| Sjelljet zgjedhore dhe racionaliteti i votuesit shqiptar |
|
|
|
|
Ermal Hasimja Në fillim të fushatës zgjedhore për parlamentaret e 3 korrikut, mes dhjetëra të dhënave statistikore të një sondazhi të realizuar në një nga zonat e Tiranës, njëra prej tyre tërhoqi vëmendjen e analizuesve. Përveç prirjeve të votës, të anketuarit ishin pyetur edhe për cilësitë pozitive dhe negative të kandidatit për të cilin kishin ndërmend të votonin. Aspektet pozitive natyrisht nuk përbënin ndonjë befasi dhe ishin të shpërndara pak a shumë barabartë në opsione të ndryshme, por ato negative shpalosën një sfidë të vërtetë interpretuese. Cilësia kryesore negative që kishin veçuar pjesa më e madhe e votuesve të njërit prej kandidatëve për njeriun të cilin synonin të dërgonin në parlament ishte:... “Është i korruptuar”! Pesha e paradoksit është më tepër se thjesht verbale: si mund të votosh për dikë që e gjykon të korruptuar? Në fakt, nga të gjithë aspektet negative të paraqitur si opsione ky ishte i vetmi që mund të cilësohej si “mëkat” votëvrasës. Por me sa duket kjo nuk vlente në këtë rast.
Përse ky lloj konstatimi përbën problem? Duhet thënë menjëherë, për të shmangur keqkuptimet, se në fakt përbën problem vetëm për një gamë të caktuar shpjegimesh të sjelljeve zgjedhore. Më saktësisht, drejtpërdrejt me ato që mbështeten në paragjykimet e ngjizura me elementë të teorive klasike të demokracisë. Këta paragjykime gjysëm-teorike e gjysëm-ideologjike na ofrojnë ideal-tipin, në tentativë për ta bërë real-tip, të qytetarit të mirëinformuar, të përgatitur, të përgjegjshëm dhe...racional kur është fjala për të zgjedhur mes programeve të shumta partiake. Por a mund të besojmë sot ende, ashtu si John Dewey një shekull më parë dhe pas dështimit të sprovës në rrafshin empirik, se një qytetar i tillë ekziston dhe është njësia vepruese e demokracisë moderne. Për të shmangur debate me natyre kronologjike, mund të rendisnim plot teori e përpjekje të tjera më të afërta në kohë që rreken të përligjin një vizion të idealizuar të demokracisë, ngritur prej imazhit prometean të votuesit “racional”. Një model i përsosur teorik e normativ si ai i pushtetit komunikativ i Habermasit e ka vështirë t’u rezistojë qoftë edhe kritikave që vijnë nga e majta e Shkollës së Frankfurtit. Mëkati origjinal i shumë modeleve të përsosura teorike: raportet dhe dinamika shoqërore e “botës së jetuar”, gjithnjë sipas të majtës, e bëjnë të pazbritshëm nga qielli i ideve këtë model. Një model komunikativ i pushtetit, që siguron teorikisht vlefshmërinë juridike dhe faktike të ligjvënies, nuk mund të përshkruajë realitetin në të cilin komunikimi është, në mos oligarkik, të paktën i polarizuar nga aktorët që janë në gjendje të përkthejnë pushtetin shoqëror apo ekonomik në pushtet komunikativ. Nga ana tjetër e medaljes, plot autorë të tjerë do të na kujtonin, deri në ironizim siç bën Lipmani, Shumpeteri, Ç..Rajt Millsi, për të përmendur vetëm klasikët, se në çastin e hyrjes në botën e politikës racionaliteti i qytetarit zbret në nivelin e një fëmije. Një rast i mirë për një model si i Parsonsit për të zgjidhur strukturalisht dhe neutralisht përligjien e procedurës demokratike. Një elitë politike, merr nga votuesit, “ashtu siç janë”, një kredi qeverisjeje të cilën mund ta harxhojë e t’i lerë vendin opozitës, ose ta rrisë e të vazhdojë të qeverisë për një mandat të dytë. Në fakt, skemat proceduraliste, minimaliste, strukturaliste dhe elitiste konstatojnë problemin e racionalitetit dhe menjëherë më pas e tejkalojnë përmes një zgjidhjeje logjikisht të pranueshme. Por problemi i racionalitetit mbetet aty ku është. Shumica e modeleve të paraqitura, ose përdorin një ideal-tip të pavlefshëm të qytetarit racional (qytetari zgjedh në mënyrë racionale programin më të mirë sipas gjykimit të tij, madje nganjëherë pretendohet se e bën këtë nisur nga “interesi i përgjithshëm”), ose e deligjitimojnë racionalitetin e tij për t’ia kaluar funksionin e legjitimimit të pushtetit krejtësisht procedurës (qytetari nuk merr vesh nga programet, por zgjedh thjesht përfaqësuesit dhe kjo është e mjaftueshme për ta bërë pushtetin legjitim). Le të bëjmë të qartë se qëllimi i kësaj analize nuk ështe elaborimi apo paraqitja e një përkufizimi filozofik universal të racionalitetit. Në të vërtetë, natyra empirike e debatit na detyron të punojmë në truallin e përkufizimeve më pranë fjalorit të komunikuar politik sesa atij filozofik. Por ç’është ky racionalitet për të cilin flasim. Në pamje të parë të krijohet përshtypja se termi na vjen drejtpërdrejt nga fjalori i Iluminizmit. Por a mund të arrijmë në një koncept neutral dhe të zbatueshëm të racionalitetit votues nëse nuk çlirohemi nga mbetjet e modeleve që mund të jenë ndoshta tepër të tejlakuara dhe shumë pak realiste? Teoritë klasike (semi-pozitiviste apo edhe normative) të demokracisë e trajtojnë racionalitetin zgjedhor si një cilësi (ndoshta nuk e teprojmë nëse themi virtyt) që mund të mësohet duke votuar ose si atribut të një sistemi që mund të aktivizohet dhe zbatohet në nivel vetjak ditën e zgjedhjeve duke bërë abstraksion të gjithçkaje tjetër që e lidh individin me mjedisin, përfshi edhe kapacitetin e tij njohës dhe rrjedhimisht edhe nivelin e kompetencës politike. Që nga ky çast nuk gjendemi më në truall asnjanës: ky nocion i racionalitetit nuk është universal, sepse mund (ose më keq akoma, duhet) t’i referohet një pike të caktuar, një procedure, disa rezultateve. Vetëm këto pika referimi cilësohen, gjithnjë nga teoritë e lartpërmendura të demokracisë, si të denja për të qenë gjenerues të racionalitetit. Por cilët mund të jenë këto pika? Himerat e filozofisë politike klasike: e mira e përgjithshme, realizimi i vullnetit të përgjithshëm si qëllim në vetvete...? Por a nuk kishim arritur prej kohësh në përfundimin se është e pamundur sot të përkufizojmë të mirën e përbashkët, të mirën publike, trajtën e vullnetit të përgjithshëm, në kushtet e një shumësie të pafundme perceptimesh dhe pikëvështrimesh individuale mbi këto pika që supozohen të mbështeten në një konsensus vullnetar apo të vetvetishëm? Kjo gjë duket e pamundur. Atëherë ku është ratio në këtë histori? A kemi të drejtë ndoshta të themi për demokracinë të njëjtën gjë që Mahatma Gandi tha kur u pyet çfarë mendonte për qytetërimin perëndimor: “Është ide e mirë”!? Apo më tej, të pranojmë bashkë me autorët e “shkollës së dyshimit” se sundimi i elitave është i pashmangshëm dhe gjithçka tjetër është vetëm fasadë? Ndoshta jo. Problemi merr një tjetër trajtë nëse ndryshohet pikëvështrimi mbi racionalitetin. Le të operojmë me një koncept tjetër, duke u nisur nga pohimi se në përgjithësi (përjashtimet do të rezultojnë të pakta dhe konfirmuese të rregullit), zgjedhësi voton në funksion të përmirësimit apo ndryshimit të gjendjes së tij, madje edhe ruajtjes së status quo-së nëse kjo i intereson, duke synuar përmbushjen e nevojave të tij materiale apo vlerore. Teknikisht këtë gjë e realizon përmes votës, pra thënë ndryshe duke përshtatur qëllimet e tij në raport me mjetet. Që nga ky çast kemi dëbuar konceptin e vjetër të racionalitetit dhe kemi futur një të ri: një racionalitet vetjak që nuk është i ndarë nga vizioni i botës së zgjedhësit, interesat e tij shumëpërmasore dhe asaj që ai beson dhe dëshiron të mbrojë. Ky koncept ka nevojë të mbrohet nga përjashtimet sidoqoftë. Vërejtja e parë që mund t’i bëhet është brishtësia ndaj funksionimit masiv të parimit të identifikimit partizan me një forcë politike. Në fakt, në pjesën më të madhe, ky identifikim përkthehet thjesht dhe plotësisht me një identifikim aksiologjik me vlerat e afishuara të forcës politike së zgjedhur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa faktorë të tjerë të ngjashëm, si ndikimi i përkatësisë fetare, asaj rajonale, kaq të përfolur në Perëndim sa dhe jug-veriun kuq e blu shqiptar, e shumë faktorë minorë të ngjashëm. Për të folur me një gjuhë veberiane do të mund të thonim se racionaliteti i votës nuk mund të jetë ekskluzivisht utilitarist nga pikëpamja ekonomike, por do të duhet të përfshinte kategori të tilla si racionaliteti vleror, racionaliteti tradicional, e kështu me rradhë. Për të ndryshuar fjalor, le të themi se nuk do të kishte kuptim që të kufizonim racionalitetin në një kategori të vetme arbitrare, p.sh nuk do të mund të kishte kuptim të kufizonim votuesin “homo politicus” në kategorinë “homo economicus”. Sidoqoftë edhe nëse do të dëshironim të mos e tepronim me liberalizimin e përdorimit të konceptit të racionalitetit, ky do të ishte thjesht një problem sasior, sepse ndikimi i këtyre faktorëve, larg të qenit ekskluziv, do të na detyronte më së shumti të pyesnim veten (në fakt jemi futur tashmë në spekulim) se në çfarë niveli arrin racionaliteti i zgjedhësit X. Por vetë pyetja vërteton përkufizimin e paraqitur më lart: bëhet fjalë për një çështje sasiore dhe jo cilësore. Ndoshta, mund të na lejohet, megjithëse personalisht nuk jam i bindur për këtë, që të gjykojmë për shkallën e racionalitetit në zgjedhjen e një votuesi në ditën e votës, por duke bërë këtë kemi pranuar paraprakisht se bëhet fjalë për racionalitet. Ndoshta do të dëshironim t’i shikonim të gjithë qytetarët të fusnin në përdorim vetëm një lloj të caktuar racionaliteti ditën e zgjedhjeve, p.sh. për përgatitësit e platformave ekonomike të partive të ndryshme, do të dëshironin që zgjedhësit të votonin nisur nga vlerësimi i përputhjes së interesit të tyre me strategjitë e propozuara. Por kjo është çështje tjetër që nuk ndikon në përkufuzimin tonë dhe për më tepër askush nuk ka të drejtë morale, aq më pak teorike, të paracaktojë ose të vlerësojë te votuesit mbizotërimin e një lloji të caktuar racionaliteti. Rezultati është i thjeshtë: nuk ka një mënyrë të vetme, teorikisht apo praktikisht të përcaktueshme, për të qenë racional në çastin e votës. Në mënyrë të thjeshtuar duhet thënë se shqiptarët kanë diku rreth 2 milionë e 800.000 mënyra të vlefshme për të qenë racionalë ditën e zgjedhjeve. Koncepti klasik i racionalitetit në fakt sjell te politologët një jehonë të konceptimeve holiste të shoqërisë, të theksuara në teori qoftë edhe kontradiktore, që nga kontrata shoqërore e Rusosë e deri te utilitaristët, e ndoshta akoma më larg në “fjalorin” burokratik të institucioneve të sotme mbi-kombëtare. Nuk është e rastësishme që kulmin e vet, “racionaliteti” i këtij lloji e arrinte në zgjedhjen e përfaqësuesve të Kuvendit Popullor në Shqipërinë komuniste, pikërisht sepse ekzistonte një etalon “racionaliteti” i paracaktuar nga Parti-shtet dhe lista me një emër e kandidatëve. Një kundërargument interesant vjen nga studimet pas-zgjedhore në Evropën Perëndimore. Rezultatet e tyre tregojnë në fakt se shumica dërrmuese e të anketuarve deklarojnë se në vendimin e tyre të votës më tepër ka ndikuar vlerësimi i gjendjes ekonomike të përgjithshme sesa vlerësimi i gjendjes apo perspektivës vetjake. A mos gjendemi përpara një paradoksi? Aspak. Së pari, jo të gjithë ndajnë të njëjtin ndikim në votën e tyre. Së dyti, edhe ata që ndikohen nga vlerësimet e përgjithshme ekonomike, zbatojnë racionalitetin e tyre në një nivel tjetër, të cilin pa dashur të tregohemi arbitrar duke rrezikuar vetë përkufizimin tonë, mund ta quanim më të thellë. Këta votues ndihen shumë më të sigurtë (edhe individualisht) në kuadrin e një ekonomie në rritje që garanton përmirësimin e gjendjes së shumicës dërrmuese të individëve në veçanti, pra përfshi edhe ata vetë, sesa në një gjendje ekonomike të mirë individuale, por duke bërë abstraksion ose duke lënë në plan të dytë gjendjen e përgjithshme si garanci të vazhdimësisë së rritjes. Pra në fund të fundit, edhe ajo votë që ka pamjen e një vote kolektive, është e përkthyeshme në një votë të ngjizur nën ndikimin e interesave individualë. Është plotësisht e natyrshme dhe aspak irracionale që banorët e një lagjieje apo një fshati, të votojnë masivisht për një kandidat apo një parti, nëqoftëse rezulton se vlerat apo ofertat e shpalosura prej tij përputhen me interesat dhe vlerat e bashkësisë në fjalë. Nuk ka vend për t’u habitur pse disa kandidatë të përsosur nuk fitojnë në zgjedhje, ashtu siç nuk ka vend për tu befasuar me dështimin e partive të krijuara nga grupe ekspertësh apo teknicienësh. Raste të tilla njihen edhe nga historia e vonë e Ballkanit. Natyrisht, disa do të paraqisnin problemin e “manipulimit” të prirjeve të votës apo efekteve të një marketingu të suksesshëm që mund të fshehë pas tij njerëz apo parti pa vlera e kapacitete, ashti siç mund të mund të paraqisnin problemin e oratorëve të mirë, që më pas vërtetohen si përfaqësues të dështuar. Por kjo është një e keqe e demokracisë që e kemi marrë përsipër si kosto që atëherë kur pranuam se Demosteni dhe kolegët e tij duhet të na “ndriçonin” në punët publike me oratorinë e tyre. Janë gjithashtu të njëjtat probleme të përfaqësimit që na bëjnë të themi se demokracia nuk është sistem i mirë, por është sistemi më i mirë. Pra vota na shfaqet e lidhur me synime reale dhe aspak me caqe abstrakte të deduktueshme nga konstruksionet teorike të demokracisë. Në këtë nivel kërkimi, studiuesi ndoshta do të duhet t’i jepte përparësi kuptimit të procesit real duke marrë me shumë rezervë zbërthimin e parimeve të ndërtuara a priori sipas modeleve të përmendura më lart. Është e qartë se ky koncept i racionalitetit do të duhej të mbështetej nga një përpjekje metodologjike. Shumica e teorive pozitivisto-normative të demokracisë i kanë detyruar sistemet institucionale në terren të paguajnë haraçin e konceptimeve holiste dhe akoma më keq deterministe. Mirëpo, siç thamë më lart, me konceptin “e liberalizuar” të racionalitetit, mund të shtojmë një numër të pafund ndryshorësh në ekuacionin e prirjes së votës, duke i dhënë njëkohësisht secilit prej tyre legjitimitetin e mohuar nga teoritë e lartpërmendura. Me këtë zhvendosje e kemi dëbuar irracionalen në kufinjtë e patologjikes apo emocionalitetit, pra dukurive gjithsesi të kufizuara. Ndryshimi në konceptim qëndron në faktin se gjatë analizimit të sjelljes zgjedhore nuk marrim përsipër ta shpjegojmë atë nisur nga parime a priori apo nga standarte të racionalitetit të përkufizuara më parë, por me anë të një zbërthimi kuptues të arsyeshmërisë që vetë aktori i jep votës së tij. Metoda e individualizmit metodologjik e sheh aktin individual të çdo votuesi si një përshtatje racionale të gjendjes së tij vetjake me një raport apo konjukturë forcash politike, ashtu siç e percepton ai. Por kjo gjendje e tij individuale përcaktohet në rradhë të parë nga statusi shoqëror dhe ekonomik, nga besimet dhe vlerat e tij në kuadër të përkatësive shumëpërmasore. Kjo është arsyeja pse veprimi i ndryshorëve/faktorëve të shumtë që ndikojnë në votë është plotësisht i integrueshëm skemën e racionalitetit subjektiv. Në një përpjekje të fundit përkufizuese kundër teorive holiste e deterministe do të mund të shpreheshim se është e nevojshme që akti zgjedhor të shikohet jo më thjesht si një akt shkakësie, por edhe si një akt qëllimshmërie, pikërisht për shkak të natyrës së vetë votuesit. Pyetja e parë që mund të shtrohet është kjo: a është ky koncept i racionalitetit në përputhje me teoritë e demokracisë? Në fakt, varet se me cilën teori. Natyrisht jo me teoritë klasike apo normative. Ndërsa përshtatshmëria me vizionin minimalist apo proceduralist të demokracisë është e pjesshme, por gjithsesi më e pranueshme. Afirmimi i këtij lloji të racionalitetit e bën të panevojshëm analizimin e aftësive të votuesit për t’u orientuar në fushën politike. Njësoj si në të gjitha fushat e tjera të jetës shoqërore, racionaliteti në fushën e politikës nuk mund të gjykohet a priori, sidomos për shkak të elementit të qëllimshmërisë të tij, por edhe për arsyet e shpjeguara më lart. Ndoshta mund të veprohet për përmirësimin e infrastrukturës së komunikimit duke u afruar sa më tepër drejt një modeli si ai i pushtetit komunikues. Sidoqoftë, afrimi me këtë model dhe realizimi i tij janë dy gjëra jashtëzakonisht të ndryshme. Megjithatë veprimet tona nuk e ndryshojnë në thelb natyrën e racionalitetit zgjedhor, por vetëm zgjerojnë mundësitë e funksionimit të tij. Këtu mund të hapim një parantezë qartësuese për faktorët ose ndryshorët kryesorë të përfshirë në sendërtimin e prirjeve zgjedhore. Deri në fund të viteve ’70 në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara vërejmë një ndikim dhe relievizim më të dukshëm të këtyre faktorëve në prirjet zgjedhore. Në përgjithësi, mund të thuhej me rreth 75-80% se një zezak amerikan i punësuar, apo një prostestant që jeton në rrethinat popullore të zonave urbane do të votonte për demokratët. Në të njëjtën mënyrë mund të përcaktoheshin prirjet e votimit për republikanët. Në të njëjtën mënyrë, mund të thuhej pak a shumë me saktësi se një sipërmarrës i suksesshëm, banor i Alsasës në Francë, katolik praktikues ose të paktën i rritur në një familje të tillë, me të ardhura të mira dhe banues i një periferie rezidenciale, do të votonte rregullisht për të djathtën goliste. Në gjirin e këtyre votuesve mund të gjendeshin ata që emërtoheshin nga profesionistët e fushatave, një profesion relativisht i ri dhe shumë fitimprurës, me termat “yellow dog democrat” apo “true blue republican”. Këta votues janë ata që për një periudhë shumë të gjatë të përvojës së tyre votuese do të pranonin të votonin për çdo kandidat të partisë me të cilën identifikohen, pavarësisht se cili është kandidati. Faktorët ndikues në prirjet zgjedhore janë shumë, por disa nga më kryesorët janë: identifikimi partizan me një parti, përkatësia dhe statusi shoqëror, besimi fetar, niveli i të ardhurave, zona e banimit, prejardhja etnike natyrisht, , etj[1]. Jo më kot u theksuar pak më parë, periudha e viteve ’70 si një lloj kufiri që nuk ëhstë sidoqoftë i prerë. Në të vërtetë, në mënyrë graduale, por të sigurtë, ndikimi i këtyre faktorëve bëhet më pak i dukshëm në vitet ’80 e më pas. Por arsyeja kryesore, për mendimin tim personal nuk është dhe aq shumë dobësimi i ndikimit të drejtpërdrejtë të secilit faktor në vetvete, sesa mbivendosja asnjanësuese e faktorëve kundërshtues. Rritja e lëvizshmërisë në hierarkinë shoqërore është faktori kryesor në këtë mbivendosje. Zhvillimet ekonomike dhe shoqërore e kanë nxitur në mënyrë të pandërprerë këtë lëvizshmëri duke shtuar ndjeshmërisht kontigjentet e individëve të cilët kanë arsye të votojnë për një parti po aq sa dhe për një tjetër. Profesionet e lira janë një shembull i mirë, por megjithatë ende i pjesshëm. A mund të evidentohet ndikimi i faktorëve të ngjashëm në Shqipëri? Vështirë të thuhet për aq kohë sa të vetmet rezultate të studimeve që kemi (në fakt besoj se e teproj nga pak kur i quaj studime), janë ato të sondazheve parazgjedhore. Së pari, është shumë e vështirë të pranohet për Shqipërinë çfarëdo lloj kategorizimi në terma të majtë. Duke përdorur pikërisht këta terma, do të na duhej të parashikonim se një “klasë” e caktuar voton përgjithësisht në një mënyrë të caktuar. Por, duke përdorur përsëri gjuhën e së majtës, është e pamundur të identifikojmë një “klasë”, meqenëse për këtë do të na duhej të konstatonim ndërgjegjësimin e individëve përfaqësues të saj (në sensin e mostrës së një sondazhi) për përkatësinë në këtë “klasë”. Ndryshe nga vende me traditë të gjatë teorike të Evropës Perëndimore, dhe pas 50 vjetësh traume komuniste të përkthyer në shndërrimin në tabu të termave marksistë, sot duket e vështirë të identifikosh në Shqipëri “klasa” të profilizuara me individë të ndërgjegjshëm për përkatësinë në to. Nëqoftëse një punëtor francez nuk e ka problem (jo gjithmonë) ta kategorizojë veten në klasën punëtore, një punëtor shqiptare nuk do të përmendte këtë kategorizim kurrë pa një buzëqeshje ironike që thotë gjithçka. Nga ana tjetër çfarë mund të bëjmë nëse studimet[2] e deritanishme na vërtetojnë se në lidhje me zbatimin e politikave sociale, tipike të majta, votuesit besojnë shumë më tepër te Partia Demokratike, sesa te e majta socialiste dhe aleatët e saj. A nuk do të ishte e drejtë të gjenim këtu edhe një shpjegim për ndarjen e dukshme veri-jug. Së pari kjo ndarje duhet relativizuar. Për shkak të sistemit zgjedhor në Shqipëri, harta në të cilën ne dallojmë ndarjen i përket mazhoritarit. Atëherë kur themi se Partia Demokratike fiton pothuajse në të gjithë veriun, në fakt ne kemi thjeshtëzuar në mënyrë trashanike rezultatin e vërtetë të votës, sepse flasim për mazhoritarin, por harrojmë se rezultatet proporcionale tregojnë tjetër gjë. Ato tregojnë në fakt se PD-ja në veri fiton jo më shumë se 50% të votave. Por ajo që ne shohim në fund është ndarja kuq e blu e hartës mazhoritare. E njëjta gjë mund të thuhet për jugun e supozuar socialist. Një zonë në jug-lindje, e fituar nga kandidati socialist, kuqëlon në hartën mazhoritare që ne shohim në TV, por në fakt ajo zonë është fituar me vetëm 40 vota dallim në rreth 18.000 votues. E gjithë kjo për të thënë se bastionet nuk tregojnë në fakt sundim të plotë të një prirjeje, por një mbizotërim relativ dhe shpesh mjaft të brishtë. Duke u kthyer te analiza e votës në veri, mund të themi se ky mbizotërim relativ i votës së kaltër në rastin konkret, bëhet i lexueshëm kur kemi parasysh perceptimin që ka shumica e shqiptarëve për angazhimin social të PD-së si dhe nivelin e varfërisë në këto zona, i cili është sipas statistikave shumë më i lartë sesa mesatarja e vendit. Ajo që na rezulton, nuk është ndonjë ndarje e supozuar, apo e stigmatizuar verbalisht në politikë, mes jugut e veriut, por thjesht një diferencim relativ me natyrë socio-ekonomike. Në koherencë të plotë me konceptin e racionalitetit të formuluar më lart, prirjet e votës së një qytetari të veriut nuk ka pse të përligjen (të paktën në përgjithësinë konfirmuese) me ndonjë ndikim të errët të tribalizimit të supozuar apo ndonjë tipar tjetër të “errët” të antropologjisë politike, por vetëm me një racionalitet, i cili edhe pa qenë i ndërtuar verbalisht nga vetë aktori, vepron në kuadër të ratios së pastër, qoftë ajo edhe plotësisht automatike. Ky sqarim bëhet në fakt për të treguar se sa e lehtë është të “zbulosh” ndikimin e ndonjë faktori pak a shumë spektakolar siç do të ishte “tribalizmi”, duke mos vërejtur se pas tij fshihen në fakt faktorë të tjerë më pak të “dobishëm” për sulmet politike. Por mungesa e studimeve na rëndon edhe në vlerësimin e ndikimit të faktorëve të tjerë. Ndryshe nga vendet perëndimore, duket se feja nuk luan ndonjë rol në formësimin e prirjeve të votës në Shqipëri. Megjithatë kjo mbetet të vërtetohet plotësisht. Sidoqoftë është e parashikueshme se feja mund të jetë më shumë një faktor shoqërues apo përforcues i faktorëve të tjerë shoqërorë sesa një faktor në vetvete, duke patur parasysh nivelin e ulët të praktikimit të fesë pas regjimit ateist të Enver Hoxhës. Breza të tërë votuesish në fakt mbeten shumë larg logjikës fetare. Në këtë shkrim, interesi ynë i drejtohet pikërisht asaj pjese të ndikimit të fesë që është më e fuqishmja në krijimin e sjelljeve shoqërore të individit, duke përfshirë edhe raportet me grupet e tjera, me idetë politike dhe me institucionet apo forcat konkurruese në zgjedhje. Por fatkeqësisht, spekulimi në këtë nivel do të ishte një sport tejet i rrezikshëm. Faktori i identifikimit me një parti mbetet në përgjithësi i shpjegueshëm përmes faktorëve apo nën-faktorëve të tjerë. Ndërkohë, problemet e mosnjohjes së nivelit të ndikimit të faktorëve na bëjnë të presim studimet e mëtejshme. Pas parantezës së shkurtër të faktorëve kryesorë, tani le të kthehemi te çështja e përputhjes së konceptit të lartpërmendur të racionalitetit zgjedhor me teoritë e demokracisë, por kësaj rradhe në rastin e Shqipërisë. Në kuadrin e zbatimin në analizë të konceptit në fjalë, ajo që ka më tepër rëndësi është një problem që në fakt shumë pak vende evropiane e kanë. Dhe ato që e kanë, janë të gjitha në lindje apo verilindje të Shqipërisë. Ky është tjetërsimi i votës. Pa dashur të merremi me këtë problem që nuk ka natyrë teorike, por thjesht teknike, duhet të analizojmë ndikimin e tij në prirjet e votës, meqenëse ky është niveli që na intereson. Tjetërsimi i votës nga një forcë politike shkakton një dëm akoma më të madh sesa thjesht uzurpimi i pushtetit dhe deligjitimi i tij. Ai deligjitimon plotësisht edhe vetë procesin e zgjedhjeve. Nisur nga supozimi se abstenimi zgjedhor është pasojë jo vetëm e indiferencës, por sidomos e ndjesisë së votuesit se vota e tij nuk do të ndryshojë asgjë, arrihet në përfundimin se tjetërsimi i votës ëshë mënyrë më efikase për të “ftohur” çfarëdo lloj vullneti për të votuar. I njëjti racionalitet i tregon këtu votuesit se vota e tij nuk do të ketë asnjë rol duke e bërë të pavlefshme. Ekziston në qëndrimet politike një qëndrim sipas të cilit abstenimi nuk është një problem në vetvete, meqenëse pjesa e qytetarëve që voton ëhstë realisht pjesa më kompetente në fushën e politikës dhe abstenimi shërben kështu si një lloj filtri. Të mos harrojmë se deri vonë në Belgjikë, ishte i vlefshëm një ligj zgjedhor i cili përjashtonte nga e drejta e votës analfabetët duke i konsideruar të paaftë për t’u informuar në fushën e politikës. Por edhe nëse e pranojmë si te vlefshëm një konstatim të tillë, duhet ta dallojmë menjëherë efektin e tij nga abstenimi i cili vjen prej “ftohjes” nga ndjesia e pavlefshmërisë së votës dhe perspektiva e tjetërsimit të saj. Duke pranuar abstenimin e indiferentëve kemi dobësuar rrënjën “demos” brenda termit “demokraci”, por duke pranuar abstenimit prej ndjesisë së tjetërsimit e kemi lënë këtë term pa rrënjë fare. Nëse do të ishte e nevojshme që të punohej në mënyrë të ndërgjegjshme për të zhvilluar infrastrukturën që lehtëson funksionimin e racionalitetit zgjedhor do të na duhej të vepronin në disa nivele. Ai i shmangies së tjetërsimit të votës ëshë më banali, por dhe më parësori. Kontrolli i mediave nga bizneset e mëdha, nuk ka pse të përbëjë tabu ose shqetësim, për aq sa gjithkush është i lirë të veprojë në fushën e mediave. Ajo që duhet shmangur është situata monopoliste dhe sidomos ndikimi i shtetit në politikat redaksionale. Nga ana tjetër, formulimi i qëndrimeve më të qarta ideologjike të partive të krahëve të ndryshëm do të ndihmonte në zhvendosjen e debatit prej nivelit personal apo teatral në nivelin e programeve koherente dhe të zbatueshme. Në vend të ideologjisë demokratike, demokracinë ideologjike.
[1] Disa studime gjysëm komerciale të viteve ’70 në Itali tregonin se votuesit e së djathtës demokristiane kishin preferenca krejtësisht të ndryshme seksuale nga votuesit e së majtës. Përtej efektit spektakolar, tipik për politikën italiane, kjo është plotësisht e kuptueshme, duke patur parasysh se votuesit e secilit krah politik përmblidhnin në fakt në vetvete shumicën e faktorëve të tjerë shoqërore apo ekonomikë. Është e qartë se nëse votuesit e një partie demokristiane do të vijnë nga pjesa tradicionaliste, fetarisht konservatore e shoqërisë, do të kenë aspekte të ngjashme të sjelljes dhe preferencave seksuale. Sidoqoftë, preferencat seksuale në këtë rast nuk ishin aspak një faktor ndikues në prirjet zgjedhore, por thjesht një pasojë e ndikimit të faktorëve të tjerë të përbashkët për këta votues.. [2] Është fjala këtu për studime të realizuara nga National Democratic Institute dhe Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” nga Prishtina.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 7 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 102 |
![]() | Dje | 103 |
![]() | Kete jave | 277 |
![]() | Javen e shkuar | 618 |
![]() | Kete muaj | 732 |
![]() | Muajin e shkuar | 3837 |
![]() | Gjithe vizitat | 35745 |
Your IP: 38.107.191.98
,
Today: Sep 08, 2010









