| Lëvizja e lirë e Shqiptarëve! Endërr e një natë pranvere! |
|
|
|
|
Genci Kojdheli Ditë e shtunë në mëngjes. Marr taksinë për në aeroport, kaloj 75 minuta mbi Adriatik, ulem në aeroportin e Romës, mbaj rradhën 5 minutëshe, i tregoj pasaportën me shqiponjën dykrenare policit italian, i cili e shpalos sa për procedurë, më buzëqesh dhe më uron qëndrim të këndshëm. Jam në Itali! Pastaj, më del gjumi. Sapo kam parë një ëndërr që çdo shqiptar ka 15 vjet që e shikon, e mendon dhe shpreson që një ditë të bëhet realitet. Neni 12, pika 2 e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Politike e Civile dhe Neni 2 i Protokollit 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut specifikojnë se “…Gjithkush do të jetë i lirë të largohet nga çdo vend, përfshirë dhe vendin e tij”. Kuptohet që instumenti nuk mund të jetë kaq thjesht i aplikueshëm, përndryshe do të kishim një botë kaotike, me disa vende të mbipopulluar e të tjera vende të boshatisura. Sidoqoftë, argumenti filozofik është që ne, humanët, si specie, kemi ‘të drejtën’ të lëvizim lirisht. Por, pavarësisht nga deklamimet ligjore, ne nuk kemi ‘mundësinë’ për ta ushtruar këtë të drejtë lirisht, përsa kohë që, në rastin specifik, kemi lindur shqiptarë.
Brenda BE-së, lëvizja e lirë e njerëzve është një shtyllë themelore e zonës së lirë, qysh prej krijimit të unionit. Është një e drejtë themelore e qytetarëve Evropianë. Ajo që pritet dhe shpresohet nga vendet kandidate [si Shqipëria] është që me integrimin eventual në Evropë, edhe ne të përfitojmë nga kjo e drejtë. Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, shumica e shqiptarëve shohin si përfitimin kryesor të integrimit në BE mundësinë për të lëvizur lirisht në Vendet Anëtare të Bashkimit. Ky kuptim është njëkohësisht i ngushtë, aspak koherent dhe jo-realist.
Samitet e kaluara të BE-së (Barcelonë, Sevilje, Selanik), kanë pasur një axhendë evidente, konkrete dhe thelbësore në kuadrin e politikave të përbashkëta sociale të Vendeve Anëtare në drejtim të lëvizjes së lirë për qytetarët e ‘vendeve të treta’; me pak fjalë, krijimin real të Evropës Fortesë. Një term me nota të forta ironike, duke qënë se merr shkas nga përpjekjet e Hitlerit në 1942 për të krijuar një rrethim mbrojtës të pushtimeve të Rajhut nga ofensivat aleate.
Logjika proteksioniste e BE-së e ka vendosur lirinë e lëvizjes nën kuadrin e kritereve ekonomikë të kërkesës dhe ofertës; qytetarët e vendeve të treta s’janë veçse migrantë potencialë që përbëjnë një rezervë krahu pune me kosto të ulët. Shembulli tipik është ai i mijra shqiptarëve, migrantë të rregullt e të parregullt, me letra e pa letra, që kontribuan jo pak (disa edhe me jetën e tyre) në ngritjen e faciliteteve të Lojrave Olimpike Athina 2004, por nuk morën asnjë garanci pune, qëndrimi, sigurime shëndetësore e jete. BE-ja e ka finalizuar prej kohësh pozicionin negociues në lidhje me lëvizjen e lirë. Logjikisht dhe moralisht do të mund të flisnim për mundësinë që, nëse vende të reja (psh. Hungaria apo Polonia që u bënë pjesë e unionit në 2004) futen në BE, qytetarët e tyre duhet të kenë të drejtën, njësoj si të tjerë qytetarë të BE-së, të kërkojnë punë në të tjera Vende Anëtare. Kjo është, në fund të fundit, pjesë e paketës bazë që vjen me antarësimin.
Por, të tmerruar nga shqetësimet për vërshime të puntorëve nga Evropa Qendrore e Jug-lindore, vendet e BE-së kërkuan një pushim “të përkohshëm” të kësaj të drejte në lidhje me qytetarët e vendeve të reja anëtare. Që do të thotë se, puntorët nga vendet e reja anëtare nuk do ta kenë mundësinë që të hyjnë dhe kërkojnë punë qysh nga dita e aderimit në union. Do t’ju duhet të presin. Gjithçka filloi me zhurmnajën e ngritur nga frika e Gjermanisë dhe Austrisë se do të ‘pushtoheshin’ nga punëtorë Çek, Polakë e Hungarezë dhe kjo do të linte gjermanët e austriakët pa punë. Vendimi për pushimin e kësaj të drejte u mor pamvarësisht nga raportet e Komisionit të BE-së se kjo frikë pushtimi ishte tepër e pabazë. Frika është shumë më tepër e “marrë me mend” sesa e bazuar në fakte. Duhet kujtuar që statistikisht sipas eksperiencave të mëparshme të BE-së, shumë pak njerëz (më pak se 2%) zgjodhën të migronin nga një vend në një tjetër pas pranimit të vendit të tyre në BE.
BE thotë se liria e plotë e lëvizjes do të lejohet vetëm pas shtatë vjetësh nga aderimi i vendeve të reja në union. Ç ’do të thotë ky fakt përsa i përket Shqipërisë? Me pak fjalë, dhe me llogaritje të thjeshta matematikore, ëndrra jonë për lëvizje të lirë, dhe për të shpresuar në një punësim ‘evropian’ mund të kthehet në realitet rreth vitit 2022. Gjithmonë nëse BE-së nuk i teket ta çojë edhe ca më lart afatin pushues kur ti vijë rradha vendit tonë.
Po le ta shohim problemin edhe nga një tjetër perspektivë. Sa efektive kanë qënë politikat proteksioniste të BE-së kundrejt shqiptarëve? Kush ka përfituar në fakt prej politikave me procedura mastodontikisht të stërgjatura për vizat në ambasadat e huaja në Tiranë? Edhe të ashtuquajturit ‘barbarë’ në Romën e Lashtë e kishin më të lehtë të lëviznin nëpër perandori sesa të rrezikshmit shqiptarë sot drejt vendeve fqinje. Ka pak rëndësi se cili është statusi yt civil, profesioni, arsyeja e udhëtimit, sfondi akademik, të ardhurat mujore; në dyert e ambasadave në Tiranë, shqiptarët bashkohen të tërë nën petkun e ‘specimenëve’ që duhen trajtuar e zhbiruar me kujdes, duhen lënë me orë e ditë të tëra në shi, diell dhe erë, duhen trajtuar si krijesa të pavlera, gjithçka në emër të sigurisë, rregullit dhe vlerave qytetare evropiane. Dhe jemi gjeografikisht thuajse në mes të Evropës së ‘civilizuar’. Sidoqoftë, fakti më shqetësues është se, me gjithë këmbënguljen utopike, shqiptarët nuk janë ndaluar faktikisht të ikin nga vendi. Thjesht ata gjetën mënyra të tjera, jo-ortodokse (dhe natyrshëm, jo ligjore) për tu larguar. Përfituesit kryesorë ishin organizatat kriminale që kryenin transportin e paligjshëm. Rreth mesit të viteve 90, zyrtarët evropianë pyesnin habitshëm se si organizatat kriminale shqiptare u fuqizuan kaq shpejt. Përgjigja nuk është edhe aq e vështirë miq të dashur teknokratë evropianë! Shqiptari i mesëm paguante 350-500 dollarë për të kaluar në Itali, dhe 2 apo 3-fishin për të kaluar në ndonjë vend tjetër të BE-së. Sa më tepër kohë kalonte, aq më profesionistë e të rafinuar bëheshin individët e organizatat që merreshin me këtë trafik. Pastaj erdhën kurdët, kinezët, drogat, prostitutat, armët. Krimi i gjen telat e bashkëpunimit shumë më shpejt e më efektivisht sesa shtetet. Shifrat flasin vetë; sot, rreth 25% e popullsisë totale në vend, ose 35% e forcës së punës, ka emigruar. Shqipëria ka rreth 900.000 emigrantë, shumica në Greqi (600.000) e Itali (200.000) e pjesa tjetër në vende të tjera të BE-së si dhe SHBA dhe Kanada. Ndërkaq, hallexhinjtë shqiptarë, ata më të ndershmit, vazhdonin të përplasnin kokën nëpër muret e ambasadave, duke pritur rradhët e gjata, nën përbuzjen e zyrtarëve konsullorë, të cilët jo rrallë janë gjendur të përfshirë në skandale e kulisa allishverishesh, shitje vizash, pasaportash e kështu me rradhë. Po shqiptarët janë mësuar të durojnë! Sidoqoftë, është trishtuese që një trajtim i tillë na rezervohet nga ‘miqtë’ tanë kufitarë. Historikisht, argumentet e përdorura ndaj lëvizjes së lirë dhe emigrantëve kanë qënë tepër të ngjashme kudo në botë; psh. ‘…shqiptarët janë të pagdhendur, të pakulturuar, janë ndryshe’. Kujtojmë, sidoqoftë, që nga fundi i shekullit të 19të dhe fillimi i shekullit të 20të Amerikanët ankoheshin e protestonin keqazi se italianët ishin ndryshe nga të tjerët. Ata ishin “pijanikë dhe përtacë, kriminelë që vetëm formonin banda mafioze.” Dhe ç’është më e keqja, kishin fe tjetër: Katolikë Romanë. Si mund të lejoheshin italianët në Amerikë?? Historisë asnjëherë nuk i ka munguar sensi i ironisë!
Kuptoj edhe një herë se shanset që ëndrra ime e lëvizjes së lire, për një popull që tani është vetëm 3 milionë banorë, vazhdojnë të jenë minimale, paçka se justifikim për këtë akoma nuk ka. Mendoj se ka ardhur koha që dinjiteti i një kombi të mos nëpërkëmbet më për arsye qesharake, apo për të mbajtur në këmbë diskurset ksenofobe në Evropën e civilizuar. Shqiptarët nuk janë fenomenë cirku apo kafshë kopshtesh zoologjike. Garantimi, të paktën i së drejtës së lëvizjes së lirë, do të ishte një akt logjik dhe shenjë mirënjohjeje ndaj një populli të vogël, që sidoqoftë i ka dhënë mjaft Evropës dhe botës. Hyrja në BE prapë do të na rezervojë kushtëzime të cilat nuk kanë logjikë humane por thjesht justifikime ekonomiko-politike. Lëvizja e lirë e qytetarëve nuk është as mjet as një qëllim. Është një e drejtë humane që seicili prej nesh e ka që prej lindjes. Thuhet se gjithë të drejtat janë të barabarta. Por disa të drejta janë “më të barabarta” se të tjerat! Dhe ne s’na ngelet veç të mbajmë në mënyrë të barabartë rradhën e gjatë të pritjes integruese.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 1 guest onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 90 |
![]() | Dje | 269 |
![]() | Kete jave | 90 |
![]() | Javen e shkuar | 1628 |
![]() | Kete muaj | 1295 |
![]() | Muajin e shkuar | 5624 |
![]() | Gjithe vizitat | 133010 |
Your IP: 38.107.179.223
,
Today: Feb 06, 2012










