| SHQIPERIA SOT; ANALIZA, SFIDA DHE MUNDESI. |
|
|
|
|
Gjatë këtyre viteve ne pësuam ndryshime aq të thella dhe të shpejta, të cilat, në shumicën e rasteve, iu nënshtruan një interpretimi, që nuk i shpëtoi ngjyrimeve demagogjike për përfitime imediate politike. Të gjithë duam dhe dëshirojmë një formë qeverisje demokratike, por rrallë ajo që shikojmë dhe dëgjojmë përputhet me parimet e një qeverisje demokratike. Pyetja që dëgjohet, që nga majat e shtetit dhe deri në kafenetë plot me tym duhani është, a do të arrijmë ta ndërtojmë shtetin demokratik? Kush janë përgjegjësit pse nuk ndodh një gjë e tillë? A duhen kërkuar këta brenda nesh apo jashtë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë edhe optimiste edhe pesimiste. Përgjigjet optimiste bazohen më shumë në referimin ndaj historisë sonë dhe faktit të njerëzve të shquar, sidomos të sferës politike, që ka nxjerrë Shqipëria dhe kontributi i tyre në vendet ku kanë vepruar. Përgjigjet pesimiste kanë doza të theksuara fatalizmi, të cilat kanë si pasojë psikologjinë e ikjes nga ky vend, për ta gjetur lumturinë diku tjetër. Shikoni në postë ku dërgohet llotaria amerikane dhe kërkesat e shumta për në Kanada.
Pjesa tjetër e përgjigjeve kanë doza të theksuara të psikologjisë së pritjes, që shprehen në frazën "Europa që na bëri kështu, ajo le të na rregullojë", ose "Më mirë të qeverisemi nga të huaj se sa nga shqiptarë". Prej këtej buron një prirje për ta sharë historinë tonë, sikur ajo të ishte një pallto që duke e flakur tutje ne do të shpëtojmë prej saj, ose dikush tjetër do ta veshë duke harruar se ajo mbetet historia jonë qoftë kjo e mirë apo e keqe. Ky drejtim gërmon, sidomos në shkrimet e studjuesve të huaj, pasazhe ku stigmatizohen ashpër shqiptarët. Ndërsa, drejtimi glorifikues gërmon në pasazhet më egzaltuese për shqiptarët, duke i anashkaluar të metat. Dy dyja qëndrimet nuk kanë azgjë të përbashkët me trajtimin shkencor. Ka rëndësi se që të kuptojme se çfarë jemi, më parë duhet të mesojmë se çfarë kemi qënë dhe çfarë kemi bërë. Këto nuk janë opinione të kësaj kohe. Po të shikojmë shkrimet e intelektualëve të viteve '30 në Shqipëri, do të vemë re se edhe shqetësimi i tyre përmblidhej në çështjen e ndërtimit të shtetit, dhe largimin e njerëzve nga psikologjia e pritjes dhe inaktivitetit. Ja si e përshkruan këtë situatë Mithat Frashëri: "Një tjatrë mentalitet është se, Shqiptari duke mos qenë i mësuar në jetë politike, dua të them duke mos pasurë gjer më sot shtet, qeveri dhe indipendencë, s'ka kuptuarë barrëtë, detyratë dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente. Kështu që, duke rrojturë gjer më sot në sundim të huaj e ka mësuar popullin tonë të presë dhe të shpresojë prej të huajvet; nuk e ka lënë individualitetin politik t'i zhvillohetë dhe iniciativa personale nuk ka gjeturë kohë që të hedhë shtat e të forcohetë" Dhe përfundimi i tij merr ngjyra mjaft aktuale dhe tragjike kur shkruan: "Edhe kështu, për fatin tonë të zi shohim sot kafenetë dhe selamllëket plot pluhur, hi dhe baltë, mbushurë me njerëz përtacë që shkojnë të njëzet e katër orët e ditës me politikë duke hapur gojën që tu bjerë një hallvë e gatuarë në kuzinë të Evropës..."[1] Edhe atëherë ekzistonte mentaliteti; "Evropa, Evropa, ajo që na bëri, ajo të na nxjerrë nga balta!". Këto ide datojnë vitin 1924. Çështja që shtohet sot është; a jemi shkëputur nga ky mentalitet? Si mund të çlirohemi nga një makth i tillë? Si shpjegohet ky mentalitet dhe kjo sëmundje? Pse inteligjenca shqiptare ka mbetur në rolin e spektatorit dhe e pafuqishme për të ndikuar? Çfarë duhet bërë për të dalë nga ky impas historik? A është ky vetëm një fenomen specifik shqiptar apo edhe popuj të tjerë janë përballur me situata të tilla? Por ne kemi njohur periudha me shtet, madje me shtet shumë të fortë, siç ishte komunizmi ku një autoritet qëndronte gjithmonë në këmbë dhe vigjëlon edhe mbi kënaqësitë e individit, që fluturon përpara hapave të tij, për të shmangur të gjitha rreziqet, pa pasur nevojë që të mendonte për to, në të njejtën kohë që heq edhe gjembat më të vegjël në rrugën e individit, bëhet zotëruesi absolut i lirisë dhe jetës së individit. Kështu shteti monopolizon lëvizjen dhe ekzistencën në një pikë të tillë sa që gjithçka lëngon rreth tij kur ai lëngon, që gjithçka fle kur ai fle, që gjithçka vdes kur ai vdes. Këto regjime të forta mbarojnë me personin që i ka krijuar. Kjo është pozita e individit në regjimet që bazohen mbi nocionin e shtetit total. Për më tepër njerëzve iu tha që përmes revolucionit do të zëvendësoheshin zotërinjtë e vjetër me shokë të rinj. Por anjë nuk shtronte dot pyetjen se kush na siguron se shokët e rinj do të jenë më të mirë se zotërinjtë e vjetër. Përvoja jonë tregoi se shokët e rinj dolën më keq se zotërinjtë e vjetër. Edhe përvoja e tranzicionit tregoi se me heqjen e shokëve do të vinin zotërinj të rinj, të cilët do të ndërtonin shoqërinë e tregut të lirë, ku do të lulëzonte inisiativa e lirë etj. Por kjo periudhë pati si shoqërues perturbacione të thella sociale. Pse? Sepse ne ende nuk po bëjmë pjesë të jetës dhe mendimit tonë konceptin bazë të arsyetimit demokratik. Zgjidhja e problemit nuk qëndron dhe aq tek zgjedhja e njerëzve të mirë, përvoja jonë dhe ajo botërore tregon se është e vështirë që të gjenden ata, por në projektimin e institucioneve të mira, me qëllim që të kontrollohen drejtuesit nga të qëverisurit, qofshin këta edhe të këqinj, që të mos shkaktojnë dëme të mëdha në shoqëri. Vendet që hyjnë në një rrugë të re zhvillimi kanë shansin të përfitojnë nga përvoja e qytetërimit. Në diskursin politik haset shumë termi ndërtim institucionesh, por në praktikë është bërë shumë pak. Krijimi i institucioneve të pavarura dhe me kompetenca të qarta dhe të fiksuara në ligje të qarta dhe jo me formulime të vagëta dhe të shoqëruara me shumë përjashtime, nuk është thjesht çështje e mosnjohjes së këtij mësimi, por më tepër është një çështje e mungesës së vullnetit politik për ta realizuar. Këtu vijmë tek ideja e kontratës, ndarjes së pushteteve dhe respektimit të institucioneve. Çfarë mund të thuhet për nocionin e kontratës sociale? Ky nocion është thelbësor në kulturën politike të çdo qytetari. Por a e kanë lejuar rrethanat historike që të formësohet një nocion i tillë në mendësinë shqiptare? Përgjigja është jo, për arsye se historia jonë ka qenë karakterizuar nga pushtime të shumta dhe pushteti është mbajtur për një kohë të gjatë nga të huajtë. Kështu që ndërgjegja politike shqiptare karakterizohej nga një pragmatizëm që synonte mbijetesën dhe shpesh, në luftëra të dëshpëruara, që përfunduan me dështim. Historia e Shqipërisë është e mbushur plot me revolta të ekzaltuara dhe dramatike, të cilat kanë tërhequr admirimin e studiuesve dhe poetëve më të shquar të Evropës, por shpesh të shoqëuara me kompromise dhe zgjidhje poshtëruese. Në vend të kontratës sociale, akti themelues i shoqërisë ishte konspiracioni i realizuar nga konspiratorët, ose një modus vivendi provizor me shtypësin. Fati tragjik i Shqipërisë e ka shtyrë një personalitet të shquar të kulturës shqiptare që ka jetuar në Graz të Austrisë të shkruajë këto fjalë dëshpërimi, por që shfaqet një shkëndijë optimizmi. “Shqipëria e 1913 për mue ma fort – shkodranisht – asht nji vend dreqit a ma mirë vend haram e vend vakuf: I mallkuem nga DJALLI por I bekuem nga ZOTI: Si I mallkuem nga Djalli ka për të qenë gjithmonë object grindjesh, gryksinash e inatesh… personale, lokale e internacionale; I bekuem prej Zotit sepse çdo dorë grabitqare që në të digjet, shkrumbohet e cungohet për të zezën e vet”.[2] Në këto kushte liria ishte një vlerë kolektive që shprehte aspiratën për çlirim kombëtar. Ishte ky ideal heroik i çlirimit që ushqente revoltën kundër pushtuesit dhe shfaqej si e vetmja vlerë për të ruajtur identitetin kolektiv përballë rreziqeve që vinin nga pushteti i huaj. Pra, kolektivja kishte përparësi ndaj lirisë individuale. Kështu, kauza e çlirimit kombëtar dhe ajo e modernizimit të shoqërisë kanë qenë në konflikt. Liritë individuale kërkoheshin vetëm në masën që shërbenin si mjet per lirinë kombëtare. Me të drejtë At Zef Valentini do të shkruante në vitin 1935: “Vetëm do të pandehim, se për të pasun atë liri kombëtare që kemi, na prun ndofta rrethanat që të flijojmë përkohësisht sa lirinë shoqërore”[3]. Edhe regjimi komunist vuri përparësinë e kolektivit ndaj individit. Komunizmi nuk mund ta përgatiste figurën e qytetarit. Në këto kushte, kalimi nga kolektivizmi drejt lirisë individuale përbën një nga detyrat më të vështira dhe kërkon, përveç edukimit, edhe përforcimin ligjor. Ky është objektivi i ngutshëm i një qeverie demokratike. Këtu duhet të shfaqet roli i elitave kulturore, të cilat sa më afër popullit që të qëndrojnë, aq më të forta do të jenë. Por, për fat të keq, idetë e vjetra kanë një jetë të gjatë dhe kur shfaqen veshtiresi ekonomike dhe sociale rrezikojnë të sjellin pasoja tepër negative. Në të tilla raste shfaqet rreziku i daljes së demagogëve që dinë aq mirë t'u pëlqejnë njerëzve për ta përdorur më pas pushtetin për përfitime personale. Ka rëndësi që të kuptohet thellë ky moment nga intelektualët e kombit për tu mësuar qytetarëve se si ta përdorin demokracinë. "Një popull - shkruante Tokëvili duke ju referuar shembullit amerikan - që nuk ka dëgjuar kurrë të trajtohen para tij çështjet e shtetit, beson të parin tribun që i paraqitet”. Ky mendim në trajtën e një maksime ka një vlerë të madhe për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen që bëjnë, sepse në kohën e demokracisë "sharlatanë të çdo lloji dinë aq mirë t'i pëlqejnë, ndërsa shpesh, miqtë e tij të vërtetë dështojnë"[4]. Pra kultura mbizotëruese ishte e ndryshme nga tradita perëndimore, që vinte nga epoka e iluminizmit me glorifikimin e njeriut dhe të arsyes njerëzore. Ishte kjo kulturë që bazohej në dy vlera themelore të koncepsionit republikan të demokracisë, që e përcakton politikën duke u nisur nga njeriu, që e shtron problemin e politikës në aksin e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe pushtetit. Në çdo rast pikënisja është individi dhe respektimi i të drejtave themelore. Me fjalë të tjera, shoqëria, organizimi politik dhe pushteti janë vetëm mjete që kanë për qëllim realizimin e plotë të njeriut dhe respektimin e dinjitetit të tij. Nga tërë paraqitja e mësipërme del një problem tepër aktual për momentin. Si mund të përfitohet nga përvoja botërore duke pasur parasysh dhe traditën historike kulturore? Aktualisht moderniteti ligjor shikohet thjesht si një proces i përkthimit të ligjeve të vendeve të përparuara demokratike. Kështu, ligji për të drejtat themelore të njeriut nuk është gjë tjetër veçse konventa evropiane e lirive dhe të drejtave themelore. Fjala është se si të zbatohen sa më mirë në të drejtën e brendëshme këto standarde, sepse praktikat e kopjimit të përvojave të vendeve të tjera nuk kanë qenë të frytshme. Edhe meksikanët e kopjuan a la lettre kushtetutën amerikane, por ata nuk mund të kopjonin shpirtin amerikan. Prandaj dhe dështuan. Nuk është nevoja që të provojmë të vërtetën e thjeshtë, të cilën shumë njerëz e harrojnë, se përsosmëria e organizimit shoqëror, mbarësia dhe krijimtaria e organizimit shoqëror, veprimtaria dhe fatet e saj historike varen, para së gjithash, nga natyra e anëtarëve të saj. Për djallëzorët mund të shkruhet një kushtetutë ideale, megjithatë ajo do të mbetet në letër. Ndërsa shoqëria e përbërë nga engjëj të pafajshëm, mund të ketë një kushtetute mjaft të keqe ose të mos ketë asnjë, e megjithatë marrëdhëniet shoqërore ndërmjet anëtarëve të saj të jenë të shkëlqyera. Një shoqëri e përbërë nga batakçinj ose nga budallenj, me gjithë reformat që mund të ndërrmarë, do të bëjë batakçillëqe dhe do të mbetet shpirtërisht shterpë për aq kohë sa anëtarët e saj do të kenë cilësi të tilla. Shkurt, me të drejtë Hegeli shkruante se nuk mund të ndërtojmë një komunitet politik pa krijuar më parë një komunitet moral. Për më tepër, pa sigurimin e jetës, të pasurisë dhe pa sigurimin e nderit, një vend nuk mund të përparojë dhe, për pasojë, morali public nuk mund të përmirësohet. Problemi që shtrohet është ky: A është kjo një gjendje tipike shqiptare apo edhe popujt e tjerë e kanë kaluar? Në mentalitetin dhe në diskursin politik jo rrallë haset arsyetimin se Shqipëria përbën një rast unikal dhe kërkon një trajtim unikal. Shpesh ky arsyetim shërben edhe për të justifikuar gabimet ose për të mbuluar veprime dhe politika që nuk janë në përputhje me parimet demokratike. Unë do të thosha se kjo gjendje nuk është tipike vetëm për shqiptarët. Edhe në popujt e tjerë janë hasur situatra të ngjashme. Më lejoni të jap dy shembuj nga literatura e filozofisë politike. Monteskjë e shkruajti "Frymën e ligjeve" për tu treguar bashkëkohësve se në qoftë se donin të shpëtonin nga rreziku i despotizmit duhej t'i hidhnin sytë nga përvoja angleze e përfaqsimit dhe jo nga despotizmi spanjoll. Por ai, pavarësish nga kushtet e rënda monarkiste të kohës dhe pozita fisnike e gjendjes së tij nuk ngurroi të fshikullonte edhe gjendjen e korruptuar të elitës politike të kohës së tij dhe sa keq ndikonte ajo në aspektin moral dhe intelektual të njerëzve. Ja si e pikturon gjendjen e shoqërisë së kohës së tij: "Ambicja në limonti, mjerimi shpirtëror në krenari, pabesia, braktisja e të gjitha angazhimeve, përbuzja ndaj detyrave qytetare, frika e princit ndaj virtutit, shpresa në dobësitë dhe, më shumë se kaq, prirja e përjetshme qesharake ndaj virtutit, besoj se formojnë karakterin e numrit më të madh të kurtizanëve që shihen kudo. Eshtë për të ardhur keq që shumica e kryesorëve të një shteti janë njerëz të pandershëm dhe inferiorët njerëz të mirë, që të parët janë mashtrues dhe të dytët pranojnë të jenë vetëm viktima të mashtrimit"[5] Në qoftë se fjalën princ do ta zëvendësojmë me një njeri tjetër, kjo pikturë mund t'i shkonte fare mirë kohës sonë që quhet ajo e tranzicionit. Që një situatë e tillë të ketë jetë të gjatë duhet që për disa përsona të mos ekzistojë nocioni i barazisë para ligjit dhe, nga ana tjetër, nuk duhet të ekzistojë pavarësia e institucioneve. Ky është mësimi më i rëndësishëm që del nga përvoja europiane, drejt së cilës pretendojmë se duam të shkojmë, por që nuk mund të shkojmë me mendësi të kaluar ose me eksperimente shartuese. Në qoftë se shoqëria do të bjerë në gjendjen e mësipërme, atëherë korrupsioni mbulon tërë shoqërinë. Më lejoni t'i kthehem edhe njëherë Moteskjësë se kur populli bie në nje gjendje të tillë. "Populli bie në një fatkeqësi të tillë, kur ata të cilëve u beson (drejtimin), duke dashur që të fshehin korrupsionin e tyre, kërkojnë që ta korruptojnë. Me qëllim që të mos shihet ambicja e tyre, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse i flasin për madhështinë e tij, me qëllim që të mos shihet kopracia e tyre, ata i pëkëdhelin pa pushim të tijën".[6] A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut? A nuk po shikojmë ne individë të caktuar, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfërinë e intelektualëve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtut? A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetet impersonal? Për t'i shkuar deri në fund arsyetimit, sado i pakëndshmën për sytë dhe veshët e disave, do t'i rikthehem idesë së Monteskjësë, i cili merr trajtën e një profecie më fatale. Në qoftë se shoqëria bie në gjendjen e mësipërme, atëherë "Korrupsioni do të shtohet midis të korruptuarve dhe do të rritet akoma më shumë midis atyre që tashmë janë të korruptuar. Populli do t'i shpërndajë të gjitha mallrat publike dhe, meqënëse ai do te ketë bashkuar me përtacinë e tij drejtimin e çështjeve, ai do të dojë që të bashkojë me varfërinë e tij kënaqësitë e luksit. Por, me përtacinë dhe luksin e tij, i vetmi objekt që mbetet për të, është thesari publik".[7] Ruajna zot në qoftë se ne biem në një situatë të tillë! Në këtë rast mund të ndodhe që të formohen tiranë të vegjël, të cilët kanë, si të thuash, veset e njëshit. Shpejt mund të ndodhë që ajo çka mbetet nga liria e porsafituar të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na çojë drejt autoritarizmit. Pasoja më e dukshme e kësaj situate është rritja e hendekut ndërmjet qytetarëve dhe politikës. Por, pasoja më negative është struktura mendore që krijohet te njerëzit dhe, sidomos te të rinjtë. Kjo stukturë mendore ka të bëjë me atë formë të arsyetuari, që nuk ka asgjë të përbashkët me mënyrën demokratike të arsyetimit dhe që Poperi përdor termin teoria konspirative e shoqërisë. Sipas kësaj teorie janë disa njerëz që e zotërojnë të vërtetën dhe ata kanë çelsin e të ardhmes. Kjo situatë jo vetëm e përforcon apatinë politike, por i rrit shanset e manipulimit me njerëzit nga ana e sharlatanëve politikë, që dinë shumë mirë që të spekullojnë me “instiktet demokratike të turmës”, sipas shprehjes së Tokëvilit, të cilët kanë si motiv nxitës vetëm përfitimin dhe jo idealin e një shoqërie demokratike. Ky mentalitet shprehet më së miri në pohime të natyrës: “Këtë e do ky ose ai ambasador, ose atë tjetrin nuk e do”; etj., etj. Për fat të keq është edhe media që e përforcon një strukturë të tillë arsyetuese. Mirëpo kjo mendësi ka bërë që edhe në klasën drejtuese politike të krijohet ideja se burimi i legjitimitetit vjen nga jashtë. Atëherë ne ndodhemi në kërkim të orientimeve. Shumë ekspertë kanë vënë në dukje, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të Lindjes, se në rastin e tranzicioneve jo – revolucionare nuk kemi forca gjeneruese për një integrim social dhe politik dhe aftësi vepruese. Grupet e presionit janë të vogla, me një organizim të dobët, ideologjikisht konfuze dhe ju mungon një vizion strategjik si dhe një mbështetje masive qytetarësh. Këto tipare i gjejmë edhe në shoqërinë tonë, por me një intensitet më të lartë për shkak të veçorive të sistemit të mëparshëm dhe veçorive të rajonit ballkanik dhe të natyrës së konflikteve dhe shkallës së emancipimit të elitave politike të vendeve ballkanike. Ajo që vemë re në politikën poskomuniste është një pakënaqësi mjaft të madhe, tjetërsim dhe një cinizëm në lidhje me elitat politike dhe politikat e tyre të ndryshimeve. As rënia e regjimit të mëparshëm, as edhe ndërtimi i shoqërisë së re demokratike nuk i atribohet ndonjë projekti koherent dhe të arsyeshëm. Si shkatërrimi dhe ndërtimi shihen më tepër si produket i forcave anonime ku nuk ka as shkakësi as qëllim. Është ky proces “pa subjekt”, në të cilin bashkëjetojnë sistemi i vjetër në shkatërrim dhe një mënyrë vegjetuese e mekanizmave të reja ekonomike dhe politike. Me këtë shpjegohet dobësia e institucioneve demokratike dhe inaktiviteti i tyre nga veprimi i individëve të caktuar politikë si dhe rritja e shkallës së pasigurisë së qytetarëve dhe humbja e besimit të tyre tek shteti dhe kalimi te vetgjyqësia, e cila çoi në situatën më absurde që disa njerëz të kërkonin reformimin e Kanunit, për të frenuar vetgjyqësinë. Pra, nuk ka një plan ose projekt solid transformimi, sepse tek ne nuk mund të flitet për palë fituese, e cila të ketë mandatin dhe legjitimitetin për kryerjen e reformave. Atëherë forma e dëshirueshme e regjimit të ardhshëm, rregullat institucionale që duhet të përpunohen për konsolidimin e tij ndeshen me prirje të brendshme dhe të jashtme, me prirje që vijnë nga e kaluara si dhe me paditurinë e zbatimit të standarteve të perëndimit. Shqipëria, në dallim nga vendet e tjera të Lindjes, ka treguar një prirje drejt integrimit euro – atlantik dhe njerëzit mendojnë se demokracia përfaqsuese dhe ekonomia e tregut mund të realizohen duke imituar dhe transplatuar standartet perëndimore, prandaj kërkojnë me padurim asistencën dhe kooperimin perëndimor. Arsyetimi është shumë i thjeshtë: Ne duam të jemi një vend normal dhe periudha e gjatë e sundimit komunist na ka penguar dhe na ka lënë larg qytetërimit perëndimor. Regjimi i mëparshëm akuzohet për një mosefektivitet autoritativ. Për fat të keq kjo dëshirë po zëvendësohet nga pesimizmi i njerëzve për shkak të zhgënjimit nga mosefektshmëria e veprimit të aktorëve politikë dhe korrupsionit në rritje. Këtu vlen që të bëjmë një parantezë në lidhje më shikimin e tjetrit (në këtë rast të huajin) dhe marrjen e përvojës së huaj. Shqipëria, vërtet ndodhet në një pozitë të vështirë, por ka shansin e madh që të përfitojë nga përvoja e të tjerëve, për të mos i ripërsëritur gabimet e të tjerëve. Shpesh ndeshemi me arsyetimin; “edhe vende të tjera i kanë njohur të tilla fenomene”; “Edhe në vendet demokratike ka korrupsion” etj. Por ajo që nuk dëgjojmë është se si këto vende i kanë kapërxyer të tilla fenomene. Është e vërtetë se edhe në vendet më demokratike ka korrupsion, por ama nuk ka raste që figura publike të akuzuara për korrupsion të mos kenë dhënë dorëheqjen apo të mos kenë kaluar nga drejtësia. Ndërsa në lidhje me të huajin, ne nuk e shikojmë atë si interlokutor për të mësuar prej tij përvojën e qytetërimit perëndimort. Më duket se ne të huajin e duam më shumë për shkak justifikimit të apatisë dhe anemisë tonë mendore, e duam që të shpëtojmë nga përgjegjësia duke thënë se kështu na tha ky ose ai, kështu na tha FMN, Banka Botërore etj., dhe kështu aktorët politikë mendojnë se shpëtojnë nga përgjegjësia. Aktorët politikë e duan të huajin që të shkojmë tek ai duke sharë, kritikuar dhe kallzuar bashatdhetarin e vet dhe duke bërë që të kultivohet ideja kriminale se “s’jemi të zot, se nuk bëhemi njerëz, se më i mirë një i huaj se një shqiptar etj.”. Këto orientime dhe mentalitete përbëjnë universin e politikës post – komuniste dhe që nuk ndikojnë, ose ndikojnë negativisht në krijimin e qytetarit të përgjegjshëm dhe aktiv në mbarëvajtjen demokratike të vendit.. Është interesat fakti se ajo që thonë aktorët përfaqsues dhe politikë ndryshon nga ajo që ata besojnë dhe ajo që bëjnë, është e ndryshme nga ajo që thonë dhe besojnë. Zhvillimet politike vuajnë nga simptomat e një sistemi të papjekur partiak dhe politikave partiake; shohim një anëtarësi të ulët, një elektorat në rënie (le të kujtojmë përqindjen e pjesmarrjes në zgjedhjet e fundit) dhe një shkallë të lartë të fluturimit, në qoftë se mund të përdor këtë term për t’ju afruar sa më afër fenomenit, jo vetëm të votuesve, por edhe të deputetëve nga njera parti te tjetra, ndarjes së partive (më thoni se cila parti nuk është ndarë në dysh?), ose krijimin e partive të reja. Për faktin se partitë nuk janë aq të konsoliduara sa duhet që tu trasmetojnë mesazhe të qarta programatike votuesve, atëherë ne ndeshemi me një tipar mjaft interesat; diskursi politik priret drejt pretendimesh karizmatike dhe luajalitetesh personale. Në mënyrë ironike, mënyra e vjetër e arsyetimit e trashëguar nga regjimi i mëparshëm, pikërisht ndarja polarizuuese e politikës në “ne” (mbështetësit e besur të “vijës korrekte”) dhe “ata” (armiqtë e popullit dhe të partisë) vazhdon që të mbijetojë. Megjithëse tani po vemë re që “ata” po rikthehen në “ne”. Kjo mendësi është më tepër burim i shpalosjes së diskutimeve pasionante të urrejtjes dhe armiqësisë personale (shpesh përmblidhet në akuzat reciproke për korrupsion, ose lidhjet me regjimin e mëparshëm), se sa një diskutim i qetë dhe i arsyeshëm për politika normale përmes përfshirjes të të gjithë aktorëve politikë dhe socialë, ngritjen e çështjeve që na shqetësojnë më shumë, ndërtimin e një axhende diskutimesh frutdhënëse dhe jo diskutime sterile, ndërtimin e koalicioneve që sjellin zgjidhje dhe përparim dhe jo konfuzion dhe anarki, si dhe krijimin e kompromiseve në kuadrin e procedurave dhe institucioneve të pranuara gjerësisht prej tyre. Për të gjitha këto arsye, aktorët politikë paraqiten mjaft të fragmentarizuar, inkoherent, ambiciozë dhe jetëshkurtër. Megjithatë, pavarësisht nga dobësia e aktorëve politikë, nuk e lë jashtë përgjegjësisë rininë dhe elitat intelektuale, në qoftë se mund të flitet për të tillë tek ne, për propozimin e zgjidhjeve gjatë procesit të transformimeve. Këtë përgjegjësi mund të përmbledhim në tri drejtime; Së pari, një riorganizim i gjerë i jetës ekonomike është i mundur në qoftë se hidhen hapa të studjuara dhe të sigurta drejt privatizimit, marketizimit dhe stabilizimit. Fenomenet, ose veset që e frenojnë një proces të tillë dhe që e rrezikojnë janë egoizmi dhe lakmia, sepse duke u ndeshur me egoizmin dhe lakminë e të tjerëve kjo mund të na shpjerë drejt anarkisë. Gjithashtu, në këtë proces, pakujdesia dhe keqpërdorimi i pasurisë kombëtare e trondit besimin e qytetarëve dhe mund të shpjerë në dështimin e reformave. Një reformë, sado e mirë që të jetë, në qoftë se nuk kuptohet dhe nuk gjen mbështejen e qytetarëve rrezikon që të dështojë. Të mos harrojmë se besimi i qytetarëve tek shteti është tronditur shumë gjatë këtyre zhvillimeve të fundit. Kur qytetari të shikojë që qeveria vepron me seriozitet dhe drejtësi, atëherë ai do të marrë pjesë në politikat e saj. Së dyti, një qeverisje demokratike legjitime mund të jetë jetëgjatë në qoftë se do të garantojë të drejtat e qytetarëve dhe do të parashkruajë rregulla të qarta dhe demokratike për sjelljen e ardhme të politikës, si dhe mekanizmat përforcues juridikë që mbështet këto të drejta dhe këto rregulla. Së treti, një shtet mund të konsolidohet kur ka në bazë nocionin e qytetarisë, të dinjitetit të personit dhe të drejtat e njeriut. Të mos harrojmë se qytetari dhe demokracia janë rezultat të kulturës dhe jo të propagandës shterpë dhe demagogjisë. Ja pse ka rëndësi për demokracinë që të ketë qytetarë, sepse edhe projekti më i bukur mund të dështojë në qoftë se nuk kuptohet nga qytetarët edhe reforma më e mirë do të dështojë në qoftë se nuk gëzon pëlqimin dhe mbështetjen e qytetarëve. Si përfundim, imperativi i momentit mund të përmblidhet si më poshtë; ringritje shpirtërore dhe morale. Pa këtë liria dhe institucionet e brishta demokratike mbeten të rrezikuara. Më duket se thirrja e at Zef Valentinit që në vitin 1935 mbetet aktuale. “Sëmundja e krizës shpirtnore asht e keqe. Përballë këtij të pami, sejcili shqiptar qi ndien në vedi nji ndërgjegje kombëtare do të përpiqet të veprojë dishka, për ta ndalë kët rrymë o sëmundje. Prind, hapni syt mbi fëmi t’uej! Arsimtarë, njifnje përgjegjsin qi keni faqe kombit! Shtyp kombtar, në daç me kenë syni i kombit mos e trathto kët zyrë! E ju të gjith, qi për detyrë keni kujdesin e këtij kombi të pajisun me virtyte aq të bukura, përmbushnje deturën t’uej, tue e ruejtë kët popull prej kullosë së keqe!”[8]
Prof.As.Dr. Gjergj Sinani
Universiteti i Tiranës Fakulteti i Shkencave Sociale
[1] “Kthimi i Mit’hat Frashërit”, Phenix, Tiranë, 1997, f. 170. [2] Krist Maloki: “Oriental apo Oksidental”, Plejad, Tiranë, 2003, f. 164. [3] At Giuseppe(Zef) Valentini, Plejad, Tiranë, 2005, f. 49. [4] Alexis de Tocqueville, “De la démocratie en Amerique”, V.I, Flammarion, 1981, ff. 268, 286 [5] Montesqieu, “De l’Esprit de lois”, V. I, Flammarion, 1979, f. 148. [6] Po aty, f. 242. [7] Po aty, f. 244. [8] At Giuseppe (Zef) Valentini:, Plejad, Tiranë, 2005, f. 102.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 3 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 91 |
![]() | Dje | 103 |
![]() | Kete jave | 266 |
![]() | Javen e shkuar | 618 |
![]() | Kete muaj | 721 |
![]() | Muajin e shkuar | 3837 |
![]() | Gjithe vizitat | 35734 |
Your IP: 38.107.191.99
,
Today: Sep 08, 2010









