Edhe njëherë për opozitën destruktive PDF Print E-mail
 

Në krizën e përfaqësimit ku gjendej Shqipëria deri në vitin e kaluar, një ndër problemet kryesore që spikaste ishte keqtrajtimi i opozitës dhe marrja nëpërkëmbë e institucionit që ajo përfaqësonte. Stilema kryesore me të cilën ekzekutohej edhe shpërfillja e opozitës ka qenë edhe etiketimi i saj si “opozitë destruktive”.  Kjo shprehje është përdorur si njollë poshtëruese ndaj opozitës përgjatë gjithë tetë viteve të fundit të tranzicionit për të mveshur me fajësi Partinë Demokratikë për shumë nga problemet që u akumuluan në vendin tonë gjatë qeverisjes socialiste. Është e pamundur që të përllogaritet se sa herë është përmendur në publik shprehja famëkeqe “opozitë destruktive” në çdo medium të komunikimit, në televizione, radio, gazeta, tryeza të rrumbullakëta të hapura, të mbyllura dhe të fshehura, kudo. Në mënyrë të veçantë qeveritarët socialistë e përdornin me zell të madh shpesh këtë shprehje për të larguar nga vetja përgjegjësinë për mos-ecjen para me procesin e integrimit Euro-Atlantik si dhe për rritjen e papunësisë, kriminalitetit dhe varfërisë. Por çuditërisht me të njëjtin zell e përdornin këtë stigmë edhe aktorë të tjerë si media dhe shoqëria civile, të cilat në një farë mënyre shpesh iu takon që të solidarizohen me opozitën atëherë kur nevojitet që të monitorohet apo baraspeshohet pushteti i qeverisë.


Po ku e ka origjinën kjo shprehje që ka ngjitur kaq mirë në retorikën shqiptare? Padyshim që rrënja e saj ndodhet tek regjimi komunist gjysmë shekullor që ka kaluar vendi ynë. Vetëm një sistem i tillë mund të skaliste të tilla nocione, përndryshe  në rrethana të tjerë kjo shprehje nuk do të ishte futur kaq thellë në leksikun shqiptar. Gjatë asaj periudhe disidenca, kritika, opozita dhe mendimi alternativ ishin rreptësisht të ndaluara dhe ndëshkoheshin në mënyrë të pashpirt. Kuptohet që sipas sistemit Republika Popullore Socialiste Shqiptare gjithçka mund të ishte, përveç popullore. Rrjedhimisht regjimi kishte ndërtuar një veladon hipokrizie për të mbuluar mungesën e legjitimitetit, legalitetit dhe popullaritetit të sistemit që manifestohej në forma nga më të ndryshme. Duke filluar nga zgjedhjet me një kandidat të organizuara rregullisht me një pjesëmarrje “vullnetare, të lirë dhe aprovuese” prej mbi 99.99% të votuesve.

Por në kuadrin e hipokrizisë dhe falsitetit që karakterizonte atë periudhë, kritika “lejohej” për sa kohë ajo ishte kritikë konstruktive. Regjimi përpiqej të portretizonte si larmi zërash atë që në fakt nuk ishte gjë tjetër përveçse i njëjti zë me të njëjtin motiv, veçse me nuanca apo tonalitetete të ndryshme. Deviza “kritikë konstruktive” përdorej për të pretenduar se kritika dhe debati ekzistonte, se regjimi kishte legjitimitet dhe  qëndronte në këmbë falë vullnetit të qytetarëve dhe jo nëpërmjet mekanizmit të shtrëngimit, propagandimit, izolimit dhe dhunës. Fatmirësisht sot dihet mirë që në të vërtetë ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një formë afirmimi e mendimit monist me lajka e gjithfarë marifetesh të tjera. Dihet mirë se sa hapësirë kishte për kritikë ndaj regjimit apo qeverisjes në atë kohë, dhe po ashtu dihet mirë se ku shkonin ata që e kapërcenin kuadrin e kundërshtimit konstruktiv, dhe bënin opozitë jo konstruktive, dmth opozitë destruktive. Janë të shumtë të mbijetuarit nga burgjet politike shqiptare apo dëshmitarët e internimeve nëpër “gulaget shqiptare” që mund të dëshmojnë me përvojën e tyre se çfarë bëhej ndaj atyre që nuk bënin thjesht “opozitë konstruktive.”

Fatmirësisht në një sistem pluralist, përndryshe nga sistemi monist, farsa e “kritikës konstruktive” flaket tutje, dhe jepet liri e plotë për parashtrimin e një kritike të mirëfilltë dhe jo vetëm kaq, por edhe parashtrimi i alternativave politike që përpiqen me çdo kusht që të zëvendësojnë njëra tjetrën në qeverisje.

Mirëpo fatkeqësisht, një nga vragat e thella që kanë ngelur nga regjimi komunist të ngulitura thellë në mentalitetin bashkëkohor është edhe tendenca moniste e manifestuar me një qëndrim agresiv ndaj mendimit alternativ apo kundërshtues. Dhe nga si pasojë e këtij mentaliteti thellësisht monist, damka “opozitë destruktive” është përcjellë deri në kohët tona dhe përdoret sikur të ishte sharje, kinse opozita na paskësh detyrën për të bërë veç opozitë konstruktive. Po në cilin vend të botës  që është ndopak demokratik, opozita nuk ka për detyrë e qëllim ardhjen në pushtet dhe shkatërrimin e qeverisjes në pushtet?  Në mënyrë krejt legjitime këtë gjë përpiqet të bëjë Prodi ndaj Berluskonit në Itali apo Kambell-it ndaj Bler-it në Britani. Për sa kohë opozita përdor mjetet kushtetuese e nuk hidhet në revolucion, çdo përpjekje për përmbysje të qeverisjes ekzistuese është jo thjesht  e pranueshme, por e domosdoshme. Ne në fakt duhet të shqetësohemi nëse opozita do të binte në konsensus me qeverisjen. Atëherë do të kishim gojë të flisnim për një klasë politike e cila punon vetëm për interesat e veta. Kjo pasi rënia dakord mes opozitës dhe qeverisë do të ishte e justifikueshme vetëm për çështje të jashtëzakonshme të rëndësisë së lartë për atdheun e që ka pak të bëjë me procesin e përditshëm politik. Dhe në raste si mobilizimi kombëtar për krizën e Kosovës apo angazhimi i trupave shqiptare në luftëra jashtë vendit, opozita ka qenë solidare ndaj nismave të qeverisë.

Prania e një opozite që monitoron, kontrollon dhe denoncon apo kundërshton veprimet e qeverisë është më se e domosdoshme për një sistem demokratik. Pa opozitë të mirëfilltë, por me një opozitë “konstruktive” nuk do ishim më në pluralizëm por monizëm të maskuar. Por ajo që vlen të vihet në dukje është se roli i opozitës në Shqipëri ishte vjet akoma më i rëndësishëm në kushtet kur institucionet e tjerë monitorues dhe garantues të sistemit demokratik shqiptar nuk funksiononin si duhet.

I pari ndër ta që ishte i nxjerrë pothuaj plotësisht jashtë loje është gjyqësori. Duke mos patur pavarësinë dhe integritetin e duhur gjyqësori shqiptar nuk e ka kryer siç duhet rolin e kontrolluesit dhe barazpeshuesit të pushtetit ekzekutiv. Gjyqësori tek ne ishte rob në dorën e ekzekutivit dhe pavarësisht nga insinuatat apo akuzat e shumta për mitmarrje bërë ndaj ofiqarëve të larta, gjyqësori nuk ka pasur as vullnetin dhe as fuqinë që të ndërmarrë qoftë edhe një proces të vetëm ligjor kundër të mitmarrje. Mungesa e funksionalitetit të pushteti juridik ka bërë që të bjerë në nivelet më minimale besimi i publikut shqiptar tek institucioni i drejtësisë gjë që vihet re lehtë nga niveli jashtëzakonisht i ulët i denoncimeve që bëhen tek institucionet që merren me sigurimin e zbatimit të ligjit, si dhe nga lulëzimi i vetëgjyqësisë në Shqipëri që vjen si rezultat i mungesës së mënyrave ligjore shtetërore për të zgjidhur mosmarrëveshjet.  

Media gjithashtu luan një rol të pazëvendësueshëm për të garantuar dhe kontrolluar mbarëvajtjen e qeverisjes. Roli i medias nuk është vetëm që të përcjellë informacion me saktësi, shpejtësi dhe thellësi por edhe që të bëjë “rojën e sistemit” duke zhbiruar e investiguar për raste abuzimesh nga qeveria. Mirëpo në vendin tonë media ka qenë e karakterizuar nga një sistem i theksuar klientelizmi.

Mediat jo vetëm që nuk kanë shërbyer si përçues të interesit publik (gjë që duhet ta bënin nëse doni të shiteshin sa më shumë) por janë përdorur prej pronarëve të tyre si instrumente  për të ushtruar presion ndaj pushtetarëve për qëllime përfitimi. Kjo gjë ka ndodhur pasi pushtetarët e mëparshëm ishin të shantazhueshëm dhe kishin arsye për t’u ndikuar nga presioni.  Pra del qartë që ka informacione në lidhje me aferat e tyre, me të kaluarën e tyre apo me kryerjen e detyrave të tyre, që po të bëheshin publike  nëpërmjet mediave, mund të bëheshin shkak për shkatërrimin e tyre. Në fakt ky sistem i klientelizmit u diskutua hapur në fillimin e vitit të kaluar kur deputetë të ndryshëm të legjislaturës së kaluar hartuan edhe projekte ligjore që synonin ta institucionalizonin këtë marrëdhënie klientelizmi.

Jo vetëm që mediat nuk mund të konsideroheshin më të ndershme sesa spektri politik, por ishte e përfshirë në sistemin e paligjshmërisë në mënyrë më të thellë. Kështu në Shqipëri numri i gazetave veç rritej ndërkohë që numri total i lexuesve të gazetave veç ulej. Shqipëria u bë me mbi 20 gazeta të përditshme politike-sociale kombëtare ndërkohë që vendi i dytë në Evropë, Greqia nuk ka më shumë se 13. Kjo pasi jeta e gazetave nuk varej nga besueshmëria e për rrjedhojë lexueshmëria e tyre, dhe as nga reklamat që ato thithnin, por nga interesa të tjera të pronarëve. Institucionet mediatike shpesh u shndërruan në mjete shantazhi për të shtënë në dorë reklama nga shteti, për të siguruar imunitet për dallavere te fshehta ose për të siguruar komisionime apo tendera për bizneset e tjera që zotëroheshin nga pronarët.

Në mënyrë të veçantë porosia e reklamave apo njoftimeve shtetërore tek media të caktuara, ka qenë një formë e drejtpërdrejtë shpërblimi për shërbimet që këto media kanë bërë në favor të qeverisë, ose një ryshfet për të mbajtur gojën mbyllur në rast se ato kanë shtënë në dorë ndonjë lajm komprometues. Vetëm kështu mund të shpjegohet çudia që ndërrmarje shtetërore që janë monopole, të shpenzojnë qindra mijëra euro për të transmetuar reklama disaminutëshe apo publikuar reklama me faqe te plota pa kurrfarë dobie. Dhe përveçse me reklamat marrëdhënia klienteliste mes qeverisë dhe shtetit  kryhej edhe nëpërmjet dhënies së ambientet publike me qira me kosto qesharake ndaj disa firmave mediatike, mospagimi i detyrimeve ndaj shtetit si dhe favorizimi i aktiviteteve ekonomike të tjera të pronarëve të mediave duke dhënë tendera apo leje ndërtimi. Nëpërmjet këtyre mënyrave qeveria e mëparshme ka qenë përpjekur që median ta vërë në shërbim të vetes ose ta pengojë që të demaskojë pisllëqet e panumërta që bëhen nga ajo. Dhe duket që ia ka dalë sepse mes mediave nuk njihet institucioni i falimentimit i cili është edhe e vetmja dëshmi që do të tregonte se sektori i mediave është  në konkurrencë dhe se jeta e gazetave varet nga shitja, abonimi dhe marketingu.

Për rrjedhojë në kushtet shqiptare të medias, vazhdimisht kanë qenë të paktë ata aktorë mediatikë që do guxonin të denonconin apo paraqisnin fakte komprometuese për qeverinë. Kjo pasi veprimtaria e gazetave apo televizioneve në më të shumtën e rasteve diktohen nga interesat e pronarëve të tyre dhe jo nga roli fisnik që media duhet të ketë për të mbajtur nën presion qeverinë. Për rrjedhojë media në Shqipëri ka qenë mbajtur peng nga qeveria nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta për tendera apo tjetër gjë që ka shteti me pronarët e mediave ose nëpërmjet shantazhimeve  e kërcënimeve ndaj bizneseve të pronarëve.

Nga  shoqëria civile gjithashtu pritet që të luhet roli i garantimit të sistemit dhe bërjes së presionit ndaj qeverisë. Mirëpo shumica e atyre aktorëve që përbëjnë atë që quhet shoqëri civile në vendit tonë, nuk janë gjë tjetër veçse kompani konsulence apo zbatuese të komisionuara me fonde të ardhura nga jashtë. Dhe bashke me këto fonde që vijnë nga jashtë për OJF-të tona të “komisionuara”, vijnë edhe qëndrimet, prioritetet dhe rekomandimet për çështjet politike. Shumica e tyre nuk janë të ndërtuara nëpërmjet iniciativës së lirë dhe spontane të vendit për qëllime të qarta e legjitime por janë porosi, kopje të pastra apo sajesa të importuara shabllon nga jashtë.

Prandaj sa moralitet kishin këto organizata për të sharë politikanët dhe nëpërkëmbur opozitën, kur këtyre vetë iu mungonte legjitimiteti dhe ndershmëria? Sa vullnetariat kanë këto shoqata, kur dihet qe rrogat në sektorin e tretë janë më joshëset në tregun shqiptar të punës? Sa larg kësaj politike të fëlliqur janë këto shoqata jo qeveritare kur dendur në to gjenden ish politikanë ose njerëz që dikur ose ende i shërbejnë politikës? Kush është mandati i këtyre shoqatave dhe sa e përfaqësojnë ato publikun shqiptar kur llogarinë ato e japin vetëm para donatorit dhe kur shumicën e parave marrin nga jashtë? Kush është elektorati që i jep legjitimitetin këtyre shoqatave dhe ku është tregu që i bën të përgjegjshme këto shoqata? Për më tepër në Shqipëri ndodh dendur që një shoqatë apo think-tank të organizojë pas një projekti për mbrojtjen e ambientit, një tjetër për të drejtat e njeriut dhe ndërkohë të aplikoj tek donatorët e ndryshëm për një projekt për decentralizimin. Sa kompetencë kanë këto shoqata kur dihet se ato zor se janë të specializuara e për rrjedhojë eksperte për një lëm të caktuar? Po edhe sikur ta zotërojnë këtë ekspertizë duke ditur se sa para shtien në dorë, kuptohet që ato shndërrohen më shumë në kompani konsulence që përfitojnë abuzivisht nga ligji i OJF-ve se sa OJF që ofrojnëkonsulencë.
Në parim këto shoqata duke sharë politikën dhe institucionin thelbësor politik që është opozita kanë kërkuar që zëvendësojnë demokracinë përfaqësuese me demokracinë duke propozuar struktura paralele të errëta dhe duke minuar institucionet e demokracisë përfaqësuese. Zgjedhjet e lira, parlamentet e përgjegjshme, forca e ligjit dhe qeveritë efikase nuk kanë se si të zëvendësohen nga aktivizmi civil. Propagandimi i iluzionit që politika konvencionale mund të zëvendësohet me daljen në shesh, botimet e fletë palosjeve, tryezat e rrumbullakëta, aleancat e koalicionet etj etj, ka një dëm të jashtëzakonshëm për publikun pasi dekurajon angazhimin politik dhe i çarmatos ata nga mjetet që kanë ata në dorë për të realizuar të drejtat e tyre. Këto organizata shpesh jo vetëm që nuk kanë kontribuar në përmirësimin e situatës dhe zvogëlimin e deficitit demokratik shqiptarë, por kanë thelluar një hendek mes publikut dhe qeverisjes duke eliminuar mundësinë që publiku ta kontrollojë dhe influencojë qeverisjen.

Së fundmi, dihet që institucioni kryesor që vë para përgjegjësisë qeverinë për çfarëdo prapësie apo abuzimi është institucioni i zgjedhjes së lirë e të ndershme. Nëpërmjet zgjedhjeve qytetarët japin verdiktin e tyre për një qeveri duke shpërblyer me votë një qeverisje të mirë dhe ndëshkuar me votën ndaj opozitës një qeverisje të keqe. Është rreziku i një vote kundër kërcënimi më i madh për një qeveritar që e shtyn për të nxjerrë  më shumë rezultate nga puna e vete e mos abuzojë apo shpërdorojë pushtetin. Mirëpo përvoja e dekadës së fundit ka treguar se ky institucion vital është më i përdhosuri e nëpërkëmburi në Shqipëri.

Vetëm vota e tre korrikut të kaluar dha një dritë shprese se ky institucion do të vihet në vend dhe restaurohet. Rotacioni politik e ka futur vendin në një dinamizëm politik ku ish opozita, tanimë e gjetur në pushtet, e ka të qartë dhe e njeh rolin e opozitës. Por ndryshimi politik i tre korrikut duhet të shoqërohet pikësëpari me rritjen e besueshmërisë ndaj pluralizmit dhe institucioneve bazë të liberal demokracisë kushtetuese dhe më pas me ndryshimin e mënyrës së veprimit të forcave të tjera të gjalla të cilat nuk duhet t’u bëjnë përkarshi institucioneve legjitime, por duhet të jenë plotësuese. Kjo pasi deri tani në fakt zanati i politikanëve ka qenë më i ndershëm dhe më pak hipokrit se zanati i gazetarisë, shoqërisë civile që aq shumë e shajnë politikën. Kjo pasi në politikë përpjekja për të vënë stërkëmbësha, bllokuar apo rrëzuar kundërshtarin është thelbi i lojës dhe është  veprimtari e legjitimuar. U takon aktorëve të tjerë të veprojnë në përputhje me natyrën e tyre që edhe të meritojnë legjitimitetin e zanateve që kanë zgjedhur. Përndryshe, këta aktorë që shajnë politikën dhe e quajnë një opozitë “destruktive” më mirë të futen edhe vetë njëherë e mirë e haptazi në garën politike (sepse në fakt tashmë kanë bërë boll politikë në prapaskenë) të nënshtrohen para syve dhe vlerësimit të publikut dhe të përballojnë peshën e demokracisë dhe garës elektorale.

 

 

 
e bene
mod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_counter
mod_vvisit_counterSot89
mod_vvisit_counterDje269
mod_vvisit_counterKete jave89
mod_vvisit_counterJaven e shkuar1628
mod_vvisit_counterKete muaj1294
mod_vvisit_counterMuajin e shkuar5624
mod_vvisit_counterGjithe vizitat133009

We have: 2 guests online
Your IP: 38.107.179.222
 , 
Today: Feb 06, 2012