| Euro dhe Europa Lindore. Një përmbledhje e debatit mbi Euroizimin e njëanshëm në Europën Lindore |
|
|
|
|
Dr Altin Ilirjani University of North Carolina
Altin Ilirjani ka mbaruar shkollën e lartë në Universitetin e Mesdheut Lindor, dhe më pas ka vazhduar studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Qendrore (Central European University) ku ka marrë doktoraturën në ekonomi politike. Ndërkohë është duke përfunduar doktoraturën e dytë në Universitetin e Karolinës së Veriut ku edhe jep mësim me kohë të plotë. Hyrja e Euro-s në qarkullim ndryshoi në mënyrë rrënjësore sistemin monetar në Europë dhe ka patur një efekt të madh mbi vendet jo-anëtare të Bashkimit Ekonomik Monetar. Ndikimi i Euro-së mbi vendet e tjera varet nga intensiteti i marrëdhënieve tregtare dhe financiare të një vendi me Eurozonën, prania e tyre në tregun ndërkombëtar të kapitalit, politikat e kursit të këmbimit si dhe nga roli i Euro-së si valutë ndërkombëtare. Disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore janë përpjekur të përfitojnë nga situata e krijuar nga monedha e re Europiane për të nxitur reformat e tyre ekonomike dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik me vendet perëndimore të Bashkimit Europian. Rezultati ka qenë një debat i ndezur mbi meritat e Euroizimin të njëanshëm në këto vende, një debat në të cilin pozicioni zyrtar i Bashkimit Europian ka qënë në kundërshtim me pjesën më të madhe të analizave të ekonomistëve.
Shumë ekonomistë që kanë studiuar këtë çështje, përkrahin idenë se me adoptimin e njëanshëm të Euro-së përpara pranimit zyrtar në Bashkimin Ekonomik Monetar, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore mund të përshpejtojnë integrimin ekonomik me vendet anëtare të Eurozonës, të përfitojnë nga normat e ulta të interesit dhe nga ekspozimet e reduktuara ndaj sulmeve spekulative (Orlowski 2005; Salvatore 2004).
Rostowski and Bratkowski (2001; 2002; 2003) kanë qenë ndër avokatët kryesorë të Euroizimit të njëanshëm në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore dhe veçanërisht në Poloni. Sipas tyre, meqënëse vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore janë tashmë anëtare të Bashkimit Europian, në dallim nga Britania e Madhe, çështja nuk është nëse këto vende duhet të adoptojnë Euro-n, por se kur është koha më e mirë për ta adoptuar atë. Thelbi i argumentave të Rostowskit dhe Bartkowskit mund të përmblidhet kështu: Suksesi i reformave të tregut në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, si dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian, kanë zgjuar shpresat e një rritje ekonomike më të shpejtë. Kjo do të thotë se shtetasit do të kursejnë më pak, ndërsa investitorët e huaj janë të gatshëm të gjejnë fondet e nevojshme për të mbuluar hendekun e krijuar mes kursimit dhe investimeve. Rezultati është një përmirësim i llogarisë së kapitalit dhe një defiçit në llogarinë rrjedhëse të këtyre vendeve, çka i bën vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore shumë të prekshme nga kufizimet e rrjedhjes së kapitalit. Rostowski argumenton se në një situatë të tillë, keto vende nuk mund të mbështeten as në politikat monetare dhe as në politikat fiskale. Si rezultat, periudha para anëtarësimit në Bashkimin Ekonomik Monetar (EMU), ose i ekspozon vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore para një rreziku të lartë të krizës së monedhës ose i detyron që të zhvillohen me ritme më të ngadalta nga çfarë është e mundur. Duke patur parasysh se një nga synimet kryesore për anëtarësimin në Bashkimin Europian është zhvillimi ekonomik, integrimi ekonomik dhe arritja e standarteve ekonomike të vendeve perëndimore, atëhere rruga e anëtarësimit në EMU e përkrahur nga Bashkimi Europian për shtetet e reja anëtare dhe kandidate, do të ishte kundër këtij synimi. Si e tillë kjo politikë e BE-së duhet hequr në favor të një adoptimi më të hershëm të Euro-s nga këto vende. Rostowski arsyeton se pavarësisht kritereve teorike të zonës optimale të monedhës (optimum currency area theories), vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore i përmbushin ato në të njëjtin nivel si shtetet aktuale anëtare të EMU-së ose janë shumë pranë tyre (Rostowski 2003: 996). Coricelli (2002) ndan të njëjtin mendim se euroizimi i njëanshëm do të ishte një mundësi më e mirë për politika ekonomike për vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore sesa rruga e përcaktuar nga BE sepse Mekanizmi i Kursit të Këmbimit (ERM-II) dhe kriteret e Mastritit mbi inflacionin, mund të bëhen shkak për probleme serioze, si p.sh, zhvlerësimi i monedhave lokale, pasi këto vende karakterizohen nga norma të larta të rritjes ekonomike, defiçite të mëdha të llogarive rrjedhëse dhe një vlerësim real i kursit të tyre të këmbimit (i njohur ndryshe edhe si efekti i Balassa-Samuelson).
Mazzaferro, Thimann, dhe Winkler (2003) të Bankës Qëndrore Europiane argumentojnë se, megjithëse eksperiencat e politikave të euroizimit apo dollarizimit sugjerojnë se politika të tilla mund të ndihmojnë integrimin ekonomik me vendet kryesore të EMU-së, këto raste duhen studiuar më me kujdes për të përcaktuar shkaqet potenciale të suksesit të tyre ekonomik. Autorët theksojnë se suksesi i euroizmit të njëanshëm mund të varet edhe nga faktorë të tjerë, si transfertat e rëndësishme nga vendet e BE-së, integrimi financiar dhe integrimi tregtar, apo turizmi. Pavarësisht se këto veçori të përcaktuara nga Mazzaferro, Thimann, dhe Winkler, janë kushte të nevojshme që një bashkim i njëanshëm monetar të jetë i suksesshëm, ato përmbushen nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore ashtu edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore si dhe të Ballkanit Perëndimor, marrin tashmë transferta të mëdha nga Bashkimi Europian. Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, direktivat më të fundit të BE-së propozojne që, për të përshpejtuar proçesin e tyre të integrimit, Bashkimi Europian duhet ti nxitë këto vende të marrin pjesë në Programet e BE-së, të cilat janë të rezervuara vetëm për shtetet anëtare. Nivelet e integrimit ekonomik janë të larta, pasi 75% e tregëtisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor bëhet me vendet e BE-së dhe në vende si Shqipëria, banka të vendeve të Eurozonës zotërojnë mbi 95% të sektorit bankar tregtar.
Bashkimi Europian ka qënë kundër idesë së Euroizimit të njëanshëm që në fillimet e këtij debati. Këshillli Europian ka sugjeruar që anëtarësia në Eurozonë duhet të ndodhë vetëm me përmbushjen e tre fazave të rëndësishme për një integrim të plotë në EMU: Faza e parahyrjes; faza e hyrjes, që mbulon periudhën nga anëtarësimi në BE e deri në adoptimin e Euro-s, dhe së fundi, hyrja në EMU dhe zëvendësimi i monedhës vendase me Euro-n. Gjithsesi, në këtë qëndrim mund të vihen re disa kontradikta.
Këshilli Europian është dakord që të mos ketë kufizime formale mbi zgjedhjen e regjimit të kursit të këmbimit përpara anëtarësimit në BE, dhe që një vendim i tillë është përgjegjësi e shtetit që synon anëtarësimin. Nga ana tjetër BE kundërshton me forcë Euroizimin e njëanshëm dhe e konsideron në kundërshtim me llogjikën ekonomike të Traktatit të Bashkimit Europian. Këshilli iu kujton vendeve kandidate se “zgjedhja e regjimit të kursit të këmbimit në rrugën nga faza e parahyrjes e deri në fazën e pranimit duhet të marrë në konsideratë disa faktorë, si p.sh., arritja e stabilitetit makroekonomik, lehtësimi i tranzicionit, arritja e konvergjencës reale, përgatitja për integrimin në Bashkimin Europian dhe pjesëmarrja në Tregun e Përbashkët” (ECOFIN 2000). Gjithsesi, Bashkimi Europian ka injoruar tërësisht efektet potenciale të Euroizimit të njëanshëm për arritjen e këtyre qëllimeve, ndërsa Banka Qëndrore Europiane ka qenë aq armiqësore në lidhje me këtë temë sa edhe refuzon që të komentojë për të.
Karakteristika të sistemit bankar në Ballkanin Perëndimor në vitin 2004.
Burimi: Raport i Komisionir të Bashkimit Europian për vëndet e Ballkanit Perëndimor, 2004
Argumentat e Bashkimit Europian nuk janë gjykuar bindëse. Schoors (2002) argumenton se armiqësia e BE–së ndaj Euroizimit të njëanshëm në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore është një gabim serioz në politikat e integrimit Europian. Ai argumenton se Euroizimi është një mënyre elegante për të nxitur rritjen dhe integrimin ekonomik në këto vende, dhe është më mirë nëse BE-ja do ta stimulonte një mundësi të tillë për te gjitha vendet kandidate në kornizën e një politike më të gjerë për përshpejtimin e integrimit dhe anetarësimit përfundimtar në Bashkimin Europian. Sulling (2002) analizon rastin e Estonisë dhe arsyeton se, nëse Estonia do të ndiqte rrugën e propozuar nga Bashkimi Europian për Euroizimin, atëherë përfitimet e pritura nga Euroizimi –si p.sh., norma interesi më të ulta dhe më të qëndrueshme apo kosto më të ulët të shkëmbimeve – vështirë se do të ktheheshin në realitet kur të vijë koha që Estonia të ketë plotësuar të gjitha kushtet e EMU.
Bratkowski dhe Rostowski (2002) kanë argumentuar se pjesa më e madhe e argumentave të BE-së kundër Euroizimit të njëanshëm, janë rezultat i keqkuptimeve ose pozitave mbrojtëse për të shmangur ndonjë dëm të mundshëm për anëtarët aktualë të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar, ndonëse mundësia që kjo të ndodhë është e paktë dhe në kundërshtim me objektivat politike afatgjata të Bashkimit Europian në Europën Lindore. Ashtu si edhe Nuti (2002), ata janë të mendimit se nuk ka justifikime ligjore për kundërshtinë e Bashkimit Europian ndaj Euroizimit të njëanshëm në shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Vendet e Euroizuara nuk do të marrin pjesë në institucionet e Eurozonës, kështu që nuk mund të ndikojnë negativisht apo të dëmtojnë Euro-n për anëtarët ekzistues të EMU.
Frika se Banka Qëndrore Europiane do të duhet të vepronte si huadhënësi i fundit (lender of last resort) për vendet e Euroizuara në kohën e krizave, është gjithashtu e pabazuar, pasi këto vende zotërojnë rezerva të mëdha të valutës dhe sektori bankar zotërohet gjerësisht nga bankat e Eurozonës. Covill (1999) thotë se frika nga kërkesa për para cash (cash call) në rast krize monetare nga vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore është e pa bazuar, pasi përvoja e dekadës së fundit tregon se asnjë bankë qëndrore apo qeveri në Europën Qëndrore dhe Lindore nuk ka kërkuar ndonjëherë para Cash në rast krize nga Bashkimi Europian, sic ka ndodhur me krizat në Meksikë apo vende të tjera te Amerikës Latine kur ka ndërhyre FMN-ja apo Qeveria Amerikane.
Lavasseur (2004) ka argumentuar se besueshmëria se Bashkimi Europian do aplikojë sanksione ndaj vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore që adaptojnë një politikë të Euroizimit të njëanshëm është e paktë, madje zero, sepse këto vende janë të integruar ekonomikisht dhe politikisht në BE. Një argumet të tillë mund ta përdorim edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor sepse zhvillimi ekonomik dhe integrimi Europian i tyre është një objektiv politik shumë i rëndësishëm për BE-në. Kështu që Bashkimi Europian nuk mund ta “armiqësojë” këtë zonë politikisht me anë të vendosjes së sanksioneve në rastin e Euroizimit të njëanshëm. Kotios (2002) ka studiuar euroizmin e njëanshëm në kontekstin e vendeve te Ballkanit Perëndimor dhe argumenton se euroizimi është një politikë superiore ndaj të gjitha zgjedhjeve të regjimeve të kursit të këmbimit duke përfshirë dhe opsionin e një bordi monedhe të lidhur me Euro-n. Gros (2002) ka sugjeruar se ndër përfitimet kryesore të euroizmit do të jetë edhe nxitja e reformave radikale në sistemin financiar në vendet e Ballkanit Perëndimor, që mund të sjellë ndryshime në ekonominë politike dhe do të ndihmojë në rritjen e transparences politike dhe ekonomike. Vërtet, integrimi më i shpejtë ekonomik në BE-në do të sillte përfitime reale nga integrimi Europian për shtetasit e këtyre vendeve, përndryshe askush nuk mund të përjashtojë një rishfaqje të politikave nacionaliste apo konsolidimin e praktikave qeverisëse të korruptuara në Ballkanin Perëndimor.
Si konkluzion, mund të themi se pjesa më e madhe e studimeve përkojnë me idenë se euroizimi i njëanshëm i vendeve kandidate te Bashkimit Europian përpara anëtarësimit është një zgjedhje më e mirë për integrimin ekonomik dhe monetar me vendet e Europës Perendimore. Euroizimi është një mënyrë elegante për të nxitur integrimin dhe rritjen ekonomike të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Korrespondenca: Për më shumë informacion për këtë studim mund të kontaktoni: Dr Altin Ilirjani, University of North Carolina at Chapel Hill, Department of Political Science, 361 Hamilton Hall CB# 3265, Chapel Hill, NC 27599-3265, USA. Email: This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it Ky artikull është përkthyer nga libri “The Euro before the EU? An Estimate of the Economic Impacts of Unilateral Euroization in Western Balkans” (2006).
Referenca
Coricelli, Fabrizio. 2002. Exchange Rate Policy during Transition to the European Monetary Union: The Option of Euroization. Economics of Transition 10 (2):405-17. Covill, Laura. 1999. The quick and dirty way into EMU. Euromoney (366):28. Cyr, Arthur I. 2003. The Euro: Faith Hope and Parity. Int Affairs 79 (5):979-992. ECOFIN. 2005. Report by the ECOFIN Council to the European Council in Nice on the exchange rate aspects of enlargement The European Council, 2000 [cited April 2005]. Available from http://ue.eu.int/ueDocs/cms_Data/docs/pressdata/en/misc/13055.en0.html. Gros, Daniel. 2002. The euro for the Balkans? Economics of Transition 10 (2):491-511. Kotios, Angelos. 2002. Southeastern Europe and the Euro Area: The Euroization Debate. Eastern European Economics 40 (6):24-50. Mazzaferro, Francesco, Christian Thimann, and Adalbert Winkler. 2003. On the Sustainability of Euroisation/Dollarisation Regimes: How Important Are Fiscal Transfers, Offshore Finance and Tourism Receipts? Comparative Economic Studies 45 (3):421-36. Nuti, D. Mario. 2002. Costs and Benefits of Unilateral Euroization in Central Eastern Europe. Economics of Transition 10 (2):419-44. Orlowski, Lucjan T. 2005. Monetary Convergence of the EU Accession Countries to the Eurozone: A Theoretical Framework and Policy Implications. Journal of Banking and Finance 29 (1):203-25. Rostowski, Jacek. 2001. Unilateral Euroization in Central and Eastern Europe: Why the EU Should Support It. Wirtschaftspolitische Blatter 48 (5):539-44. Rostowski, Jacek. 2002. The Eastern Enlargement of the EU and the Case for Unilateral Euroization. Financial policies in emerging markets:165-91. Rostowski, Jacek. 2003. When should the Central Europeans Join EMU? International Affairs 79 (5):993-1008. Salvatore, Dominick. 2004. Restructuring and Euroization in Accession Countries. Journal of Policy Modeling 26 (7):889-902. Schoors, Koen. 2002. Should the Central and Eastern European Accession Countries Adopt the Euro before or after Accession? Economics of Planning 35 (1):47-77. Sulling, Anne. 2002. Should Estonia Euroize? Economics of Transition 10 (2):469-90.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 5 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 100 |
![]() | Dje | 103 |
![]() | Kete jave | 275 |
![]() | Javen e shkuar | 618 |
![]() | Kete muaj | 730 |
![]() | Muajin e shkuar | 3837 |
![]() | Gjithe vizitat | 35743 |
Your IP: 38.107.191.99
,
Today: Sep 08, 2010









