Intuita avantgardë për relevancat PDF Print E-mail

Fjala falenderuese e Jürgen Habermas me rastin e marrjes së çmimit Bruno-Kreisky në Vjenë më 9 mars 2006
 

Jürgen Habermas

 

Jürgen Habermas është nderuar nga Instituti Renner në Universitetin e Vjenës me çmimin Bruno-Kreisky për Librin Politik 2005. Në pjesën e parë të fjalës së tij, Habermas përkufizon rolin e intelektualëve sot dhe intuitën e tyre avantgardiste për relevancat (rëndësitë). Kurse në pjesën e dytë, Habermas e ka sqaruar më tej këtë duke reflektuar mbi të ardhmen e Europës. Sipas tij, europianët duhet të ndërmarrin një reformë të re, e cila jo vetëm do t’i lejonte Bashkimit Europian të kishte më shumë vendimmarrje, por edhe të kishte ministrin e vet të jashtëm, presidentin e saj të zgjedhur dhe një bazë të vetën financiare. Këto kërkesa mund të realizoheshin me anë të një referendumi që mund të kryhej në zgjedhjet e ardhshme të BE.

 


Kur drejtori i Institutit Karl-Renner më dha lajmin e gëzuar se juria e këtij viti donte të ma jepte mua çmimin Bruno-Kreisky, nuk pata vetëm rastin të mendoja mbi aspektin paksa irritues të këtij momenti të lumtur, pas kaq dekadash me konfrontime dhe famë më shumë kontroverse, se paskësham fituar aq nam të pamerituar. Mbi të gjitha, janë emrat e dy figurave historike, të lidhura kaq ngushtë me fatin e larmishëm të Republikës Austriake që për herë të parë, më japin rastin të mendoj mbi lidhjen time me socialdemokratët vjenezë. Jo se kanë ekzistuar aty marrëdhënie politike. Por, emrat e Karl Renner dhe Bruno Kreisky më kujtojnë nxitje intelektuale që ua kam për borxh një tradite të madhe teorike. Me këtë rast, do të falenderoja Austromarksizmin për dy shtysa mendimi.

Falenderim Austromarksizmit

Kur pas një studimi, më shumë konvencional të Filozofisë, më 1956 unë shkova në mjedisin jo të zakontë të Institutit të Frankfurtit për Kërkime Sociologjike, gjatë përgatitjes së një ekzaminimi empirik m’u desh të merresha me literaturë (atëherë vetëm juridike) për shtetin ligjor dhe demokracinë. Edhe pse debatet mes mësuesve të rëndësishëm të së drejtës shtetërore në Republikën e Weimar-it më dukeshin interesante, nuk mundesha të bëja lidhjen e përkufizimeve normative të Jurisprudencës me Teorinë Shoqërore, në dritën e së cilës, unë përpiqesha të ftillohesha për aktualitetin politik. Ishte leximi i një libri, ai që m’i hapi sytë për ndërlidhjen e Ekonomisë Politike me të Drejtën. Libri me titullin e mërzitshëm „Institutet ligjore të së drejtës private dhe funksioni i tyre social“ (Die Rechtsinstitute des Privatrechts und ihre soziale Funktion) botuar më 1929, bazohej në studimet, që i riu Karl Renner kishte kryer në kapërcyell të shekujve, gjatë kohës kur punonte si bibliotekar në librarinë e Këshillit të Parlamentit Austriak.

Nëpërmjet tij rashë në kontakt me shkrimet e Austromarksistëve, në të cilat gjeta tri gjëra, që më kishin munguar si asistent i Adornos në Frankfurt: së pari, lidhjen e vetëkuptueshme të Teorisë me Praktikën Politike, së dyti, hapjen e pandrojtur të Teorisë Shoqërore Marksiste për qëndrimet e shkencës akademike (një predispozitë, së cilës Horkheimer dhe Adorno i ishin larguar rishtas prej "Dialektikës së Sqarimit") dhe së treti, - e mbi të gjitha – identifikimi pa rezerva me arritjet e shtetit ligjor demokratik, pa hequr dorë nga synimet radikalreformiste, që e tejkalonin sa e sa status quo-në.

Gjatë rrugës sime nga Hegelmarksizmi tek Pragmatizmi Kantian, nga fundi i viteve ’60, një tjetër libër i një Austromarksisti më ka shkaktuar një impuls të ngjashëm – vepra e vonë e Max Adler, botuar më 1936 nën titullin "Enigma e Shoqërisë" (Das Rätsel der Gesellschaft). Me futjen e një "Apriorie sociale", Adler të kujton jo vetëm në konstituimin shoqëror të vetëdijes (Uni-t) dhe dijes sonë për botën; edhe anasjelltas, ndërvarësitë jetësore sociale duhet të ngrihen mbi aktet e dijes. Shoqëria vetë rrjedhimisht mbështetet mbi faktimin e vlefshmërisë së pretendimeve që ne ngremë me anë të komunikimit tonë. Kështu, Adler njësoj si Husserl më vonë bazohet mbi një vetëreferim imanent të shoqërisë ndaj vërtetësisë së pohimeve dhe saktësisë së normave.

Otto Bauer dhe Rudolf Hilferding, Karl Renner dhe Max Adler megjithë shkencitetin e tyre e kuptonin veten si intelektualë partiakë, të cilët sipas nevojës u nënshtroheshin detyrimit disiplinues të taktikës dhe organizimit. Si demokratë, sigurisht ata kishin një koncept krejt tjetër mbi rolin e partisë sesa leninisti Lukacs në „Histori dhe Ndërgjegje klasore“ (Geschichte und Klassenbewusstsein). Sidoqoftë, figura e intelektualit partiak i përket aradhës, tashmë historike të partive me botëkuptim të majtë. Pas vitit 1945 këtë tip nuk mund ta gjenim më në Perëndim. Ashtu si Willy Brandt, edhe Bruno Kreisky u kthye nga Skandinavia  një tjetër njeri. Është merita e këtij socialdemokrati të ardhur nga emigrimi që shoqëria e klasave është paqtuar social-shtetërisht dhe transformuar në një shoqëri qytetare.  

Para këtij sfondi, tipi i intelektualit bashkëkohës, mbi të cilin unë duhet të flas me lutje të zotit Duffek, ndryshon qartësisht: Intelektualët që dolën pas 1945 – si Camus dhe Sartre, Adorno dhe Marcuse, Max Frisch dhe Heinrich Böll – u ngjasojnë më shumë se shembëlltyrave të vjetra partiake, shkrimtarëve dhe profesorëve të palidhur politikisht me ndonjë parti. Sipas rastit ata e lënë veten të provokohen duke përdorur publikisht njohuritë e tyre profesionale, pra pa u pyetur, pa porosi dhe akordime. Pa pretendime për një status elitar, ata nuk mund të apelojnë legjitimitet tjetër përveç rolit të qytetarit të një shteti demokratik.

Intelektuali dhe publiku i tij

Rrënjët e kësaj vetëkuptueshmërie egalitare i gjejmë në Gjermani në brezin e parë pas Gëtes dhe Hegelit. Letrarët dhe lektorët zevzekë nga radhët e Gjermanisë së Re dhe hegelianët e majtë mishërojnë pamjen e intelektualit të lirë, sulmues spontan, shpesh melodramatik, kokënxehtë-polemik dhe të pakalkulueshëm, po njësoj si paragjykimet e vazhdueshme ndaj tij. Jo rastësisht brezi i Feuerbach, Heine dhe Boerne, i Bruno Bauer, Max Stirner dhe Julius Froebel, i Marx, Engels dhe Kierkegaard u shfaq në vitet para 1848, kur parlamentarizmi dhe shtypi masiv u krijuan nën flatrat mbrojtëse të liberalizmit të herët.

Qysh gjatë periudhës së inkubacionit, kur mikrobet e Revolucionit Francez u përhapën në gjithë Europën, u ravijëzua në fakt konstelacioni, në të cilin tipi i intelektualit modern do të gjente vendin e tij. Intelektualëve, kur ndikojnë në formimin e opinionit publik me argumente të mprehta retorike, u duhet një publik i aftë për rezonancë, i zgjuar dhe i informuar. Pak a shumë atyre iu nevojitet një publik me botëkuptim liberal dhe prandaj duhet t’i besojnë një shteti ligjor deri-diku funksionues, sepse gjatë kundërshtive mbi të vërteta të ndrydhura apo të drejta të privuara, ata apelojnë për vlera universale. Ata i përkasin një bote, ku politika nuk bëhet veprimtari shtetërore, bota e tyre është një kulturë politike e kundërshtimit, në të cilën mund të çprangosem dhe mobilizohen liritë komunikative të qytetarëve.

Është e thjeshtë të skicosh tipin ideal të intelektualit që nuhat temat e rëndësishme, formulon teza të frytshme dhe zgjeron spektrin me argumenta përkatëse, në përmirësim të nivelit për të ardhur keq të përballjeve publike. Nga ana tjetër, unë nuk dua as të lë në harresë aktivitetin më të dashur të intelektualëve: mbajtjen iso me kënaqësi të ankimit ritual për perëndimin e yllit të intelektualit. Më duhet të pranoj, se as unë nuk jam krejt i lirë prej kësaj. A nuk na mungojnë shfaqjet e mëdha dhe manifestet e Grupit 47, ndërhyrjet e Alexander Mitscherlich apo Helmuth Gollwitzer, pozicionimet politike të Michel Foucault, Jacques Derrida dhe Pierre Bourdieu, tekstet atakuese të Erich Fried apo Günter Grass? A është vërtetë përgjegjësia e Grass, nëse zërat e tyre sot mezi dëgjohen? Apo shoqëria jonë mediatike sërish po kalon një transformim strukturor të publikes, i cili nuk i vjen për shtat modelit klasik të intelektualit?

Nga njëra anë, kalimi i komunikimit nga libri dhe shtypi në televizionin dhe internetin ka çuar në një zgjerim të paimagjinueshëm të hapësirës mediatike dhe dendësim të pashembullt të rrjeteve të komunikimit. Hapësira publike, në të cilën intelektualët kanë lëvizur si peshku në ujë, është më përfshirëse, shkëmbimi më intensiv se kurrë më parë. Nga ana tjetër, në kapërcimin e këtij elementi kaq jetësor, intelektualët duket po mbyten si prej një mbidoze. Urata duket sikur po kthehet në mallkim. Arsyet për këtë unë i shoh në çinformalizimin e publikes dhe në çdiferencimin e roleve përkatëse.

Përdorimi i internetit i ka zgjeruar dhe fragmentuar në të njëjtën kohë ndërvarësitë komunikative. Prandaj interneti ushtron një lloj ndikimi subversiv mbi regjimet autoritare publike. Por, rrjetëzimi horizontal dhe i çinformalizuar i komunikimeve dobëson në të njëjtën kohë arritjet e opinioneve tradicionale. Këto pra ndërlidhin brenda grupimeve politike, vëmendjen e një publiku anonim dhe difuziv në njoftimet e zgjedhura, në mënyrë që qytetarët në të njëjtën kohë të kuptojnë temat dhe artikujt kritikë të filtruar. Rritja për t’u përshëndetur e egalitarizmit, që na e dhuron interneti, paguhet me decentrimin e kalimeve drejt hapësirash të paredaktuara. Në këtë medium, kontributet e intelektualëve e humbasin forcën për të ndërtuar një fokus.

Thënia se, revolucioni elektronik shkatërron skenën për daljet elitare të intelektualëve vanitozë, do të ishte megjithatë e nxituar. Sepse me televizionin, i cili operon kryesisht brenda hapësirave të ngritura publike kombëtaro-shtetërore, skena e shtypit, gazetave dhe letërsisë vetëm sa është rritur. Në të njëjtën kohë, televizioni e ka shndërruar skenën. Ai duhet të tregojë në figura, atë çka do të thotë, dhe ka shpejtuar atë që quhet iconic turn – kthimin e fjalës në figurë. Me këtë zhvlerësim relativ zhvendosen edhe peshat e dy funksioneve të ndryshme të publikes.

Meqë televizioni është një medium, i cili bën diçka të dukshme, u mundëson atyre që dalin publikisht të bërit të njohur, të famshëm. Para kamerave vetëpozicionohen aktorë, pavarësisht ndikimit të tyre në përmbajtjen e programit. Gjatë takimeve të rastësishme, shikuesi kujtohet atëherë se diku duhet ta ketë parë njëherë këtë fytyrë. Televizioni i fton pjesëmarrësit të vetëvendosen në qendër, edhe kur përmbajtja e emisionit është debatuese – si në talk show-t e shumtë. Momenti i vetëparaqitjes së aktorëve e shndërron paevitueshmërisht publikun gjykues, që ulur para ekranit merr pjesë në sherrin mbi tema me interes të përgjithshëm, edhe në një publik spektator.

Jo se kjo nuk i vikërka pas dëshirës vanitetit patologjik të intelektualëve; disa e kanë lënë veten të korruptohen para ftesës së medias për vetëparaqitje duke e dëmtuar emrin e tyre. Sepse emri i mirë i një intelektuali, nëse e ka një të tillë, në radhë të parë nuk është ngritur mbi prominencën apo njohjen, por mbi një reputacion, që duhet ta ketë përvetësuar së paku në njërën fushë, brenda esnafit të vet, pak rëndësi ka si shkrimtar apo fizikant, përpara se ta përdorë publikisht dijen dhe reputacionin e tij.  Kur ai përzihet në një debat me argumente, duhet t’i drejtohet një publiku që nuk përbëhet nga shikues, por nga folës dhe të adresuar të mundshëm, që mund t’i japin llogari njëri-tjetrit. Idealisht bëhet fjalë për shkëmbim të arsyeve, jo për dëngëzimin e inskenuar të vështrimeve.

Ndoshta kjo shpjegon pse raundet me politikanë, ekspertë dhe gazetarë që takohen tek një nga këta moderatorë të mrekullueshëm, nuk lënë asnjë boshllëk, që ta mbyllë këtë paskëtaj një intelektual. Ai nuk ka mungon, sepse gjithë të tjerët prej kohësh e përmbushin më mirë rolin e tij. Përzierja e diskursit me vetëparaqitjen shpie tek çdiferencimi dhe ngjashmëria e roleve, që dikur intelektuali tashmë i dalëmode duhet t’i mbante ndarazi njërën nga tjetra.

Ai nuk duhet ta përdori ndikimin që arrin me fjalë, si mjet për të fituar pushtetin, pra „Ndikimi“ të mos ngatërrohet me „Pushtetin“. Ç’dallim mund të kishte ai në talk-showt e sotëm prej politikanëve, që prej kohësh po e përdorin skenën televizive si një konkurs intelektual duke e pushtuar atë me tema dhe nocione shumë ndikuese? Intelektuali madje as si ekspert nuk është pyetur. Pa humbur vetëdijen e gabueshmërisë së tij, ai duhet të kishte kurajon për pozicionime normative si dhe fantazi për perspektiva idesh. Po ç’mund ta dallonte atë sot nga ekspertët, që në debate me ekspertë kundërshtarë prej kohësh kanë mësuar t’i mbrojnë datat e tyre me argumentime të forta? Nga gazetari i zgjuar, intelektualin, së fundi, duhet të dallonte më pak forma paraqitëse, sesa privilegji i të marrurit me gjëra publike si një punë plotësuese. Por edhe atëherë - si një sistem i përshpejtuar alarmi – ai duhet të ndërhynte në kohën e duhur vetëm kur çështja e ditës del jashtë kontrollit.

Më këtë kemi prekur të vetmen aftësi, që edhe sot e kësaj dite mund t’i etiketojë intelektualët - intuita pararojë për relevancat (den avantgardistischen Spürsinn für Relevanzen). Zhvillimet kritike atë duhet ta shqetësojnë, edhe pse të tjerëve mund t’u duken krejt të zakonshme. Kjo kërkon cilësi krejt joheroike:                                                                                                            - një sensibilitet mosbesues ndaj dëmtimit të infrastrukturës normative të komunitetit,                  - nuhatje të kujdesshme ndaj rreziqeve që kërcënojnë pajimin shpirtëror të formave jetësore të përbashkëta politike,                                                                                                                             - Vënien në pah të asaj, çfarë mungon dhe „çfarë mund të ishte e ndryshme“,                               - pak fantazi në hedhjen e alternativave,                                                                                     - si dhe pak kurajo për polarizim, për komente ofensive, për pamflet. 

Kjo është – dhe ka qenë gjithmonë – më lehtë e thënë se e bërë. Intelektuali duhet të mund të shqetësohet – dhe të ketë aq aftësi gjykimi politike, sa të mos e kalojë masën. Ajo që kritikët e tij - nga Max Weber dhe Schumpeter deri tek Gehlen dhe Schelsky – përsërisin vazhdimisht është qortimi i „shqetësimit steril“ dhe „alarmizmit“. Prej këtij qortimi ai nuk duhet të frikohet. Sartre, intelektuali me më shumë ndikim, me gjykimin e vet politik ka gabuar më shpesh se Aron. Padyshim që intuita për relevanten mund edhe të shkasë rëndshëm. Një historian, përshembull, që kërkon për Bundesrepublikën Gjermane një „vdekjekult politik“, të kapërcyer qysh nga 1945-a, vetëm sa turpërohet keqas: siç duket ky njeri as që ia ka idenë bërthamës shpirtërore të fashizmit.

 

E ardhmja e Europës

 

Ajo që më shqetëson mua sot, pra e ardhmja e Europës, të tjerëve u duket abstrakte dhe e mërzitshme. Pse duhet të shqetësohemi për një temë kaq të zbehtë? Përgjigjia ime është e thjeshtë: Nëse deri në zgjedhjet europiane të vitit 2009, nuk do të arrihet që pyetja polarizuese për finalité, vullneti per se i bashkimit europian, të bëhet objekt i një referendumi mbarëeuropian, e ardhmja e Bashkimit Europian do të vendoset në interes të ortodoksisë neoliberale. Nëse për hir të një paqeje të dyshimtë ne e mënjanojmë këtë temë delikate dhe çajmë përpara me të zakonshmet rrugë kompromisi, atëherë do ta lëmë të marrë udhët dinamikën e tregjeve të çliruara dhe do të bëjmë sehir, ndërsa forca ekzistuese krijuese politike e Bashkimit Europian të zhbëhet për llogari të një zone europiane të zgjeruar, difuze të Tregtisë së Lirë. Në procesin europian të bashkimit gjendemi për të parën herë para rrezikut të një rikthimi prapa nga niveli i arritur i integrimit. Ajo që mua më shqetëson është ngrirja paralitike pas dështimit të dy referendumeve kushtetuese në Francë dhe Hollandë. Një mos-vendim në këtë situatë është një vendim me rezonancë të madhe.

 

Mbi këtë temë unë me kënaqësi do të kisha folur në vendin, që sot përfaqëson drejtimin e Këshillit Europian, nëse nuk do të kisha marrë ftesën për reflektimin mbi rolin e intelektualëve. Por më në fund, siç e shihni edhe ju, njëra po më çon gjithsesi tek tjetra.   

Tri problemet më të mëdha nyjëzohen në të vetmin problem, mungesa e aftësisë vepruese të Bashkimit Europian:

(1) Kushtet ekonomiko-botërore që kanë ndryshuar me vazhdën e globalizmit, ia ndalojnë shtetit-komb sot të ndërhyrjë në burimet taksative, pa të cilat ai nuk mund të kënaqë më në atë masë pretendimet e njohura social-politike, si dhe në përgjithësi kërkesën për të mira kolektive dhe shërbime publike. Të tjera sfida si zhvillimi demografik dhe imigracioni i përforcuar e acarojnë situatën, për të dalë prej së cilës ka vetëm një zgjidhje ofensive: rifitimi i forcës krijuese politike në nivel supranacional. Pa përqindje konvergente taksimi, pa një harmonizim afatmesëm të politikave ekonomike dhe sociale ne e lëmë fatin e modelit shoqëror europian në duar të huaja. 

(2) Kthimi në një politikë pushteti hegjemonial të pamëshirshëm, përplasja e Perëndimit me botën islamike, rrënimi i strukturave shtetërore në pjesë të tjera të globit, pasojat sociale afatgjata të historisë koloniale dhe pasojat e drejtpërdrejta politike të një dekolonizimi të dështuar – të gjitha këto sinjalizojnë një situatë tejet riskante për botën. Vetëm një Bashkim Europian, që bëhet i aftë për të vepruar në politikën e jashtme dhe ndërmerr një rol në politikën botërore përkrah USA, Kinës, Indisë dhe Japonisë, mund të përkrahte në institucionet ekzistuese të Ekonomisë Botërore një alternativë ndaj Konsensusit mbizotërues të Washingtonit dhe mbi të gjitha, do të shpinte përpara reformat e kahershme brenda UNO-s, që varen prej ndihmës së USA, po aq sa janë të bllokuara prej saj.

(3) Ndarja e dukshme e Perëndimit qysh prej luftës së Irakut i ka shkaqet e veta edhe në një betejë kulturore, që edhe vetë kombin amerikan e ndan në dy zjarre njësoj të mëdha. Si pasojë e kësaj zhvendosjeje shpirtërore rrëshqasin kriteret normative deri më tani të mirëqëna të politikës qeverisëse. Kjo nuk mund t’i lërë indiferentë aleatët e ngushtë të USA. Pikërisht në  rastet kritike të veprimit të përbashkët duhet që ne të çlirohemi prej varësisë ndaj partnerëve tanë superiorë. Edhe për këtë arsye, Bashkimit Europian i nevojiten trupat e veta. Deri tani, në aksionet e NATO-s europianët i janë nënshtruar urdhrave dhe rregullave të komandës së lartë amerikane. Mirëpo ne na duhet që edhe gjatë një aksioni të përbashkët, të jemi në gjendje t’u qëndrojmë besnikë ideve tona për të drejtën ndërkombëtare, ndalim të torturave dhe ligjin penal të luftës.

Prandaj Europa sipas meje duhet t’i përvishet një reforme, që do t’i siguronte Unionit jo vetëm procese vendimarrjeje efektive, por edhe një Ministër të Jashtëm të vetin, një President të zgjedhur direkt dhe një bazë financiare të sajën. Këto kërkesa mund të ishin objekti i një referendumi që mund të kryehej bashkë me zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian. Projekti do të quhej i mirëqenë, nëse ai do të bashkonte „shumicën e dyfishtë“ të shteteve dhe votave të qytetarëve. Njëkohësisht, referendumi do të lidhte vetëm shtetet anëtare, brenda të cilave një shumicë qytetare është ka vendosur përkatësisht pro reformës. Kështu Europa do të ndahej nga modeli i konvojit, në të cilin më i ngadalti jep tempon. Edhe në një Europë me qendër dhe periferi, vendet që parapëlqejnë të qëndrojnë ndërkaq në skaj, natyrisht që do të kishin edhe opsionin për t’iu bashkuar në çdo kohë qendrës. 

Me këto fjalë – unë i bashkohem kryeministrit belg Guy Verhofstadt, i cili gjithashtu sapo ka botuar një Manifest të “Shteteve të Bashkuara të Europës”. Me këtë shembull, zonja dhe zotërinj, ju e shihni se politikanët pararojë mund t’i tërheqin pas vetes intelektualët.

(Botuar në gazetën austriake DER STANDARD, më 10-11 mars 2006)

Përktheu nga orgjinali: JONILA GODOLE   

 
e bene
mod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_counter
mod_vvisit_counterSot93
mod_vvisit_counterDje269
mod_vvisit_counterKete jave93
mod_vvisit_counterJaven e shkuar1628
mod_vvisit_counterKete muaj1298
mod_vvisit_counterMuajin e shkuar5624
mod_vvisit_counterGjithe vizitat133013

We have: 3 guests online
Your IP: 38.107.179.220
 , 
Today: Feb 06, 2012