Qëndresa(t) dhe pushteti(et) te Mishel Fukoja PDF Print E-mail

Qëndresa(t) dhe pushteti(et) te Mishel Fukoja

Alain Brossat

 

Përkthyer nga Miliana Balla

 

Alain Brossat është filozof dhe profesor filozofie në Universitetin Paris 8, autor i shumë librave mes të cilëve më të njohurit janë : « L'Épreuve du désastre”, “Le corps de l'ennemi”, “Pour en finir avec la prison”. Alain Brossat është edhe antar i bordit drejtues të revistës filozofike « Lignes ».                  Te Fukoja, motivi i rezistencës shfaqet si vepruesi i një eksperimentimi me dimension të shumëfishtë. Përmes tij, eksperimentohet një mënyrë origjinale, në mos tërësisht e re e të bërit politikë, por edhe e të menduarit të politikës, e vendosjes së kategorive të saj. Një mënyrë kjo që shërben veçanërisht për t’u distancuar nga diskuri i madh marksist dhe nga mënyra me të cilën ky i fundit e lidh fatin e çdo lëvizjeje çliruese ose emancipimi me perspektivën e një përmbysjeje të përgjithshme të formës së pushtetit, duke e kuptuar këtë të fundit si një bllok monolitik dhe çdo lëvizje emancipuese duke patur domosdoshmërisht për qëllim përfundimtar një ndërkëmbim të pozicioneve të pushtetit: shërbëtorët së djeshmes bëhen padronët e të sotmes, duke pritur shekullin rrezatues të emancipimit të përgjithshëm.

Te Fukoja pra, fjala rezistencë do të gjendet e instaluar në zemër të një dispozitivi njëherësh teorik dhe praktik: bëhet fjalë njëkohësisht për të rimenduar kushtet e veprimit politik dhe për të kuptuar, në terma të rezistencave, veprimet praktike të shpërndara që përbëjnë po aq singularitete, por për të cilat mund të supozojmë se paraqesin njëfarë karakteri ekzemplar. Për shembull, veprimet e GIB-it (Grupi i informacioneve mbi burgjet), të tjera  kundër dhunave policore, kundër grushtit të shtetit të Jaruzelskit në Poloni në fillim të viteve ’80, kritikat kundër drejtësisë ushtarake, kundër ekspertizës psiqiatrike të gjyqeve, apo seria e “reportazheve të ideve” të hartuara nga Fukoja mbi kryengritjen iraniane që i dha fund regjimit të shahut dhe që Fukoja e analizon tërësisht në terma të rezistencës të masës plebejane dhe jo në termat klasike të kryengritjes revolucionare apo sipas skemës marksiste të luftës së klasave (Fuko, 1994).

Për të kuptuar përmasat e zhvendosjes që presupozon ripërdorimi i motivit të rezistencës i përdorur nga Fukoja, duhet të kthehemi tek ajo që përbën premisën e saj: ripërpunimi i plotë i nocionit të pushtetit të cilin ai e bën në mes të viteve ’70, formën më të dendur të së cilës do ta gjejmë te “La volonte de savoir” (Vullneti për të ditur), (1976). Kundër nocionit të një Pushteti monolitik, të menduar si “bashkësia e institucioneve dhe aparateve që garantojnë nënshtrimin e qytetarëve në një shtet të caktuar”, kundër vetë idesë që mund të flasim për pushtet, Fukoja do të mbrojë idenë e një pushteti të shpërndarë, filli i të cilit është i përbërë nga “shumësia e raporteve të forcës që janë të pandarë nga fusha ku ata ushtrohen dhe përbërës të organizimit të tyre”.

Pushteti nuk është pra një njësi e thjeshtë dominimi (shteti, kapitali...), ai nuk është një “njësi e pamposhtur”, ai është lojë e raportit të forcave që evoluojnë dhe transformohen vazhdimisht. Po citoj sërisht: ” Është thelbi lëvizës i raporteve të forcës të cilët prodhojnë pafund, përmes pabarazisë së tyre, gjendje pushteti, por gjithnjë lokale dhe të paqendrueshme “ (Fuko, 1976, fq.98). Me Fukonë pushteti kalon nga ana e mobilitetit, plasticitetit, ndarjes, ndryshueshmërisë, shumëfishimit. Ai sigurisht që mbështetet në struktura të qendrueshme, por në një fushë mundësish të pafundme, të shpërndara.

Mbi të gjitha, Fukoja do ta verë theksin te karakteri relacional i formave të pushtetit: nuk ka substancë fikse të një pushteti të izoluar nga “tjetri” i tij (një masë, një shoqëri) e cila do të përkufizohej si pa pushtet ose papushtetshmëri, por një rrjet të dendur dhe pambarimisht të ndryshueshëm të marrëdhënieve të pushtetit. Kjo analizë e pushtetit supozon një rivlerësim radikal të vetë nocionit të subjektit (nënshtrim, sundim, etj) në mënyrat e saj të shoqërimit me nocionin e pushtetit. Nuk do të jetë më fjala për të menduar raportin mes një pushteti dhe subjekteve të tij në terma të ligjit, të të ndaluarës, të sovranitetit, por në terma që kundërshtojnë ndarjen thjeshtëzuese aktiv/pasiv, zotëri/skllav, mbajtës (i pushtetit)/ i zhveshur (nga pushteti), etj. Kësaj do t’i vihet përballë ideja e veprimit të subjekteve mbi subjekte të tjerë: ushtrimi praktik i pushtetit, nuk ka frikë të thotë Fukoja, presupozon gjithnjë që ekziston liri nga ana e atyre mbi të cilët ai ushtrohet, ai merr formën, jo të shtrëngimit të egër, por të “bësh të bëjnë”: ai është “një veprim mbi veprime”, gjë që supozon se subjektet mbi të cilët ai ushtrohet nuk janë as të palëvizshëm, as thjesht të terrorizuar. Teoria fukoiane e pushtetit është themeluar mbi braktisjen radikale të modelit “terrorist” të pushtetit, atij të përjashtimit sovran, siç e mendon, për shmebull, Karl Shmiti, i riaktualizuar së fundmi nga Xhorxho Agamben (Shmit, 1988; Agamben, 2003).

Në perspektivën fukoiane, ky model “i shpërndarë” dhe energjitik i pushtetit është ai i pushteteve modernë. Është fjala për një model që funksionon mbi një mënyrë para së gjithash biopolitike (në kundërshtim me modelin e ushtrimit tradicional të sovranitetit). Ky pushtet mbështjell trupat, veç e veç dhe të gjithë bashkë (individë dhe popullsi), ky pushtet shfaqet produktiv dhe jo thelbësisht ndalues, pasi përmes disiplinave, ai u jep formë mënyrave të reja të prodhimit dhe të organizimit social, mënyrave të reja të nënshtrimit. Termi i fundit duhet të kuptohet në kuptimin e tij të dyfishtë të mundshëm: nga ana e nënshtrimit, por edhe të vetëndërtimit të subjekteve, të të bërit subjekt (në mendimin e tij, në ekzistencën e tij, në aktualitetin e tij, etj.).

Dhe pikërisht këtu, motivi i rezistencës do të gjejë pikën e tij lidhëse. Nëse pushtetet moderne presupozojnë njëfarë forme lirie të subjekteve [Fukoja mbi Lacombe Lucien-in dhe në kundërshtim me të gjithë doxa-n oruelliane mbi totalitarizmin thotë: nazizmi nuk ju ka dhënë asnjëherë asnjë gjë gjermanëve, por ju ka dhënë një liri të hatashme, një pushtet të hatashëm, atë të zotërimit të jetës së fqinjit duke e denoncuar atë si një armik të regjimit! (Fuko, 1994, fq. 646)], atëherë bëhet e mendueshme një formë kthyeshmërie: “atje ku ka pushtet, ka rezistencë”, ose të paktën ka një potencial për rezistencë, horizont për një rezitencë të mundshme. Po citoj nga “La volonte de savoir”: “Qeveria vepron pra mbi sjelljet duke vepruar mbi individë të lirë të cilët mund të rezistojnë, që mund të lejojnë të inkurajohen, të binden, të blihen, të kërcënohen etj. Me fjalë të tjera, rezistenca nuk është diçka që vjen së jashtmi për t’iu kundërvënë pushtetit, për t’u përballur ose përplasur me të. Ajo merr jetë në vetë intimitetin e raportit të pushtetit. Në fund të fundit, çdo veprim pushteti thërret, nxit, madje programon veprimin që është i mundshëm për t’i rezistuar atij. Çdo fluks pushteti thërret këtë tkurrje që është një veprim qëndrese.”

Për ta thënë ndryshe, raportet e pushtetit, në shumësinë e tyre, në ndryshueshmërinë e tyre, nxisin shumësinë dhe ndryshueshmërinë e pikave të rezistencës. Këto të fundit, thotë Fukoja, do të luajnë, në marrëdhëniet e pushtetit “rolin e kundërshtarit, e shënjestrës, mbeshtetjes, për një ndeshje”. Nëse pushteti është gjithkund, nëse ai është i mundshëm të shfaqet në çdo vend dhe rast, atëherë edhe pikat e rezistencës janë shumë të pranishme. Lihet mënjanë miti i “Refuzimit të madh, shpirti i revoltës, foleja e të gjitha rebelimeve, ligji i pastër i revolucionarit”. Nuk ka Subjekt të madh të rezistencës, siç ka një të tillë, të supozuar për Revolucionin. Në fushën e historisë dhe të politikës, ka figura rezistente që janë të ndryshueshme, kalimtare, të pamundshme, në më të shumtën e rasteve: nuk ka zgjedhje të një Rezistenti, por ai fill i pavazhduar rezistencash plurale dhe polimorfe – këtu një grevë urie e personave pa dokumenta, atje një grup zapatistësh që nuk e tregojnë fytyrën, gjetiu një shoqatë izraelitësh të rinj që dëshmojnë për aparteidin që po ndodh nëpër pengesat e ngritura nëpër rrugë që ndajnë shtetin hebre nga territoret e pushtuara, etj. Rezistenca zhvillohet si konstelacion veprimesh të shkëputura në një shumësi situatash heterogjene ku zbulohet rëndësia e të patolerueshmes, e pushtetit si një fushë e teprimit.

Veprimet e rezistencës, megjithatë nuk mund të konsiderohen thjesht si “shenja në krye” e pushtetit, një kundëgoditje e thjeshtë. Sipas Fukosë ata janë “termi tjetër në marrëdhëniet e pushtetit; ata rrënjosen aty si një përballje e pareduktueshme”.

Ky nocion i pareduktueshmërisë është kyç në mendimin e  Fukosë. Aq sa çdo akt rezistence, çdo moment ndërtimi i një subjektiviteti rezistent është i rastësishëm dhe kontingjent, po aq kthimi pa fund i flukseve të rezistencës te Fukoja, i referohet nocionit të një përkujtimi që përbën atë mbetje përgjithësisht të pazëshme të rendit, të parekuperueshmen ose të paasimilueshmen e të gjitha regjimeve ose të gjitha formacioneve dhe që Fukoja e emëron shpesh si plebë. Një plebë pa substancë të veçantë sociale ose historike karakteristika e përbashkët e të cilës është zënia e vendit të asaj mbeturine pak a shumë të ulët të rendit dhe prodhimi në këtë rast i efekteve të trazirave specifike, pikërisht efekteve të plebës. E pareduktueshmja qëndron këtu: këta “burra të nënçmuar” për të cilët arkivat policore dhe juridike të Regjimit të Vjetër regjistrojnë lëvizjet e shpëtimit jashtë rrugëve të rendit, kjo pjesë e botës së krimit e etiketuar si e parekuperueshme të cilën rendi disiplinor modern e ka hedhur në depon e burgut penal, ata algjerianë që policia pariziane masakron dhe hedh në Senë më 17 tetor 1961, ato masa urbane që me qindra mijëra iu ekspozohen mitralozëve të ushtrisë së shahut të Iranit si një trup i pashkatërrueshëm, i pareduktueshëm dhe që arrijnë të rrëzojnë atë regjim të urryer, etj. Në perspektivën fukoiane, nga e cila shfaqet këtu tonaliteti libertar shumë rrallë i identifikuar, motivi i rezistencës dhe ai i plebës bashkërendohen shpesh. Efektet e rezistencës vërtetë të egër, spontanë, të papajtueshëm gërshetohen shumë shpesh me efektet e plebës: atje ku nuk është një subjekt historik i predestinuar, substancial, një “subjekt i madh” që ekspozohet, por një trup kryengritës që shpërthen nga poshtë lart, një trup pa emër dhe pa fytyrë të identifikueshme për një kohë të gjatë, në më të shumtën e rasteve pa precedencë e trashëgimi, faktet dhe gjestet e të cilit janë të destinuara të fshihen në rërën e historisë së anonimëve – e vetmja, do të shtonte menjëherë Fukoja, e cila do të ishte terreni i ngjarjeve të vërteta. Kujt i kujtohet se nga ç’gjoks doli thirrja që i dha vrullin e tij sulmit pas të cilit ra Bastija, më 14 korrik 1789?

Figura e rezistentit dhe e rezistencës që paraqet Fukoja ndodhet në këtë kuptim në antipodet e një tjetre, më të njohur, të cilën mund ta përshkruajmë si ajo e rezistencës së shtënë në dorë nga Shteti dhe që papritur, shkruhet me shkronjë të madhe: një rezistencë në zgjatimin e së cilës gdhenden emra në gur dhe kontrollojnë ekzistencat tona -  emra rrugësh, shkollash, pishinash, qendrash kulturore; emra heronjsh dhe martirësh, përjetësia e të cilëve i nënshtrohet kushteve të Shtetit, të kujtesës kolektive për të cilën ai është kujdestari. Rezitenca për të cilën flet Fukoja, në ndryshim, përmban këtë paradoks: ajo është ajo energji e cila saktësisht, ka si efekt faktin që ka histori dhe jo thjesht përsëritje, riprodhim ose vazhdueshmëri, e cila ka prodhuar ato efekte të mosvazhdueshmërisë pa të cilat historia nuk është veçse një mjedis jete dhe jo një topografi ku ndodhin përballje lidhur me kuptimin e investimeve tona. Por në të njejtën kohë, ajo është në formën e saj e gjallë dhe jo e instrumentuar nga Shteti, gjë që është e destinuar drejt një kushti rigoroz zhdukjeje.

Është po kjo gjë që na bën neve ashtu siç jemi historikisht, politikisht (për shembull konstelacioni i ngjarjeve plebejane që thurën Revolucionin francez) në intimitetin më të thellë tonin në mosnjohjen absolute apo pandërgjegjshmërinë e asaj që ishin mendimet, veprimet, emrat dhe fytyrat e atij pluhuri njerëzor i cili një ditë, u bë bllok dhe shpërndau thirrjen me të cilën, përgjithësisht, fillon gjithçka: “Jo!”, “Mjaft!”, “Ngrihuni!”, “Përpara!”, “Rrëmbeni armët!”, etj. Ajo thirrje, ekoja e së cilës, në hapësirat tona të paktën, dëgjohet gjithnjë e më rrallë...   

           

 

 

 
e bene
mod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_counter
mod_vvisit_counterSot96
mod_vvisit_counterDje269
mod_vvisit_counterKete jave96
mod_vvisit_counterJaven e shkuar1628
mod_vvisit_counterKete muaj1301
mod_vvisit_counterMuajin e shkuar5624
mod_vvisit_counterGjithe vizitat133016

We have: 6 guests online
Your IP: 38.107.179.221
 , 
Today: Feb 06, 2012