| 100 Vjet me Ayn Rand |
|
|
|
|
Ayn Rand (1905-1982) ka qenë një ndër intelektualët më të rëndësishëm të shekullit të kaluar duke patur një karrierë të shkëlqyer si shkrimtare dhe si filozofe. Viti i kaluar përkonte me 200 vjetorin e lindjes së saj.
Ayn Rand lindi në vitin 1905 në Shën Peterburg të Rusisë, në një familje intelektualësh hebrenj. Tek rritej ajo përjetoi Revolucionin e Tetorit duke parë nga ballkoni i saj të shtënat e para të fillimit të vendosjes së komunizmit dhe duke pësuar më pas shtetëzimin e dyqanit të të atit dhe zhytjen në varfëri të familjes së saj. Me thellimin e diktaturës sovjetike, Alissa Zinovievna Rosenbaum, thelloi urrejtjen ndaj komunizmit dhe përfitoi nga mundësia për të vizituar të afërmit e saj në Çikago për të braktisur njëherë e përgjithmonë Rusinë dhe familjen. Në Amerikë ajo ndryshoi emrin në Ayn Rand dhe nisi karrierën si shkrimtare.
Ajo zhvilloi filozofinë e Objektivizmit e cila bazohej tek tradita liberale klasike duke theksuar individualizmin, mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të individit për jetën, lirinë, pronën dhe qeverisjen e vogël. Ajo shkroi qoftë në mënyrë teknike dhe me stil popullor vepra të shumtë të filozofisë duke paraqitur filozofinë e saj si nëpërmjet artit ashtu edhe nëpërmjet librave rigoroz filozofik. Objektivizmi si rrymë e nisur prej saj, ka ushtruar një ndikim te madh tek breza të shumtë akademikësh, politikanësh, filozofësh, shkenctarësh dhe në mbarë publikun.
Përveçse për filozofinë e Objektivizmit, ajo është shumë e njohur për romanet e saja bestseller “We the Living”, “Anthem”, “The Fountainhead” si dhe “Atlas Shrugged” tw cilët janë shitur në mbi 20 milionë kopje dhe ende shiten në mënyrë masive në të gjithë botën.
Sipas procedurës së vendosur nga direktivat, çështje të këtij lloji nuk gjykoheshin nga një juri, por nga një panel prej tre gjykatësish që emërohen nga Zyra për Planifikimin Ekonomik dhe Burimet Kombëtare; direktivat kishin vendosur që procedurat të ishin informale dhe demokratike. Për këtë arsye tavolina e madhe e gjykatësit ishte larguar nga salla e vjetër e gjyqit të Filadelfias dhe ishte zëvendësuar me një tavolinë të vogël vendosur mbi një platformë prej druri e cila i jepte dhomës një atmosferë që të linte të mendoje se bëhej fjalë për një mbledhje ku kryesia do të bindë për diçka anëtarësinë e përbërë nga njerëz me prapambetje mendore.
Një nga gjykatësit, duke u sjellë si prokuror, lexoi akuzën. “Ju mund të bëni çfarëdo deklarate që të donit për t’u mbrojtur” Duke qëndruar para platformës, Hank Rearden u përgjigj me një zë dhe ton shumë të qartë. “Unë nuk kam deklaratë mbrojtjeje” Gjykatësi shtangu, nuk e mendonte se do të ishte kaq e lehtë. “A jeni duke kërkuar mëshirë nga kjo gjykatë?” “Unë nuk i njoh kësaj gjykate të drejtën për të më gjykuar mua.” “Çfarë?” “Unë nuk i njoh kësaj gjykate të drejtën për të më gjykuar mua.” “Por, Z. Rearden, kjo është një gjykatë e vendosur në mënyrë të ligjshme për të gjykuar mbi këtë kategori të veçantë krimi” “Unë nuk e konsideroj aktin tim si krim” “Por ju keni pranuar që keni thyer rregullat që kontrollojnë shitjen e Metalit tuaj.” “Unë nuk iu njoh juve të drejtën për të kontrolluar shitjen e Metalit tim.” “Mua më duhet t’ju vë në dukje se njohja juaj nuk është e nevojshme.” “Jo, unë e di këtë gjë dhe po veproj duke e patur parasysh.” Ai vuri re një gjendje të nderë në sallë. Duke patur parasysh pretencën e komplikuar që ata njerëz kishin vënë në jetë për dobinë e tyre, duhej ta kishin konsideruar qëndrimin e tij si të çmendur, ata duhet të kishin mbetur pa frymë nga habia dhe përçmimi, ata qëndruan pa lëvizur, ata e kuptuan. “A do të thotë kjo që ju jeni duke refuzuar që t’i bindeni ligjit?” pyeti gjykatësi “Jo. Unë jam duke iu bindur ligjit, gërmë për gërmë. Ligji juaj që ka në dorë jetën time, punën time dhe pronën time, mund të vihet në jetë pa patur miratimin tim. Shumë mirë pra, ju mund të bëni ç’të doni me mua por mos më kërkoni që të marr pjesë. Unë nuk do të luaj rolin e atij që mbron veten, sepse mbrojtja këtu nuk është e mundur, prandaj unë nuk do të mbështes iluzionin sikur këtu të ishim duke u marrë me një gjykatë drejtësie.” “Po z. Rearden, por ligji e shpreh në mënyrë të qartë se juve ju jepet mundësia që të paraqisni versionin tuaj të çështjes dhe të mbroni veten.” “Një i pandehur që çohet para gjyqit mund të mbrojë veten vetëm nëse ka një parim objektiv të drejtësisë të njohur nga gjykatësit e tij, një parim që mbron të drejtat e tij, një parim që ai mund të thërrasë dhe që gjykatësit të mos guxojnë ta prekin. Ligji me të cilin po më gjykoni mua tani, thotë se nuk ka parime, se unë nuk kam ndonjë të drejtë dhe që ju mund të bëni me mua çfarë të doni. Shumë mirë, bëni ç’të doni.” “Z. Rearden, ligji që ju po denonconi është bazuar tek parimet më të larta, tek parimi i të mirës së publikut.” “Kush është publiku? Kush është e mira që ai kërkon? Ka qenë dikur një kohë kur njerëzit besonin se “e mira” ishte një koncept që përcaktohej nga një kod vlerash morale dhe se asnjeri nuk kishte të drejtën që të kërkonte të mirën e tij duke cënuar të drejtat e dikujt tjetër. Tani mendohet se njerëzit e tjerë mund të më sakrifikojnë mua si t’u teket atyre për hir të çfarëdo gjëje që ata e konsiderojnë si të mirën e vetes së tyre. Nëse ata mendojnë se mund të vënë dorën tek prona ime vetëm sepse kanë nevojë për të, epo, kështu mendon çdo hajdut. Por është vetëm ky dallim: hajduti nuk më kërkon mua që të sanksionojë aktin e tij.” Një grup karrigesh, anash sallës së gjyqit, ishte rezervuar për vizitorët e shquar që kishin ardhur nga Nju Jorku për të përjetuar këtë gjyq. Dagny, qëndronte pa lëvizur dhe fytyra e saj tregonte vetëm një vëmendje solemne, një vëmendje ndaj asaj që thuhej duke ditur që rrjedha e fjalëve të tij do të vendoste rrjedhën e jetës së saj. Eddi Willers ishte ulur përkrah saj. James Taggart nuk kishte ardhur. Paul Larkin ishte ulur i përkulur përpara, fytyrën e nxjerrë para dhe me majë si frerët e kuajve, me një pamje frike që kthehej në urrejtje dashakeqe. Mr. Mowen që ishte ulur pranë tij, ishte një njeri shumë i pafajshëm dhe naiv duke dëgjuar me indinjatë të madhe i pëshpëriti Larkin-it “Zot i madh shiko ç’bëri! Tani ai do të bind gjithë vendin që të gjithë biznesmenët janë armiq të të mirës publike!.” “Me këtë që the ne duhet të kuptojmë që ju e konsideroni interesin tuaj vetjak më të rëndësishëm se interesi publik?” “Unë besoj se një pyetje e tillë nuk do të ngrihej përveçse në një shoqatë kanibalësh.” “Çfarë… çdo të thuash?” “Unë dua të them se nuk ka ndonjë përplasje interesash mes njerëzve që nuk kërkojnë të marrin atë që nuk e meritojnë dhe që nuk ushtrojnë kurbanet njerëzore.” “A do të thuash që nëse publiku e gjykon të nevojshme që të cenojë fitimet tuaja, ju nuk i’a njihni këtë të drejtë?” “Pse? Po, unë ia njoh. Publiku mund të më cënojë fitimet kur të dojë, duke refuzuar që të blejë produktin tim.” “Ne po flasim për…. metoda të tjera.” “Çdo metodë tjetër që përdoret për të cënuar fitimet është një metodë prej grabitësish, dhe unë e konsideroj si të tillë.” “Z. Rearden, kjo nuk është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten” “Unë ju thashë që nuk do të mbroj veten.” “Po kjo është e paparë! A e kupton se sa të rënda janë akuzat kundër jush?” “Mua as që më bëhet vonë për t’i kuptuar.” “A e kupton pasojat e mundshme nga qëndrimi juaj?” “Plotësisht.” “Është përshtypja e kësaj gjykate që faktet e paraqitura nga akuza nuk lënë hapësirë për rrethana lehtësuese. Kjo gjykatë ka fuqinë që t’ju imponojë një dënim shumë të rëndë.” “Jepini.” “Si thatë?” “Imponojeni” Tre gjykatësit panë njeri tjetrin. Zëdhënësi i tyre u kthye tek Rearden. “Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë”. “Është krejt e parregullt” tha gjykatësi i dytë. “Ligji kërkon që ju të bëni një deklaratë për mbrojtjen tuaj. Alternativa e vetme tjetër është që ju të deklaroni si formalitet që kërkoni mëshirën e gjykatës.” “Unë nuk e bëj këtë gjë.” “Por ju duhet ta bëni.” “Doni të thoni që ju prisni nga unë të bëj një lloj veprimi vullnetar?” “Po”. “Unë nuk bëj veprime vullnetare.” “Por ligji kërkon që versioni i të pandehurit të regjistrohet.” “A do të thotë kjo që ju keni nevojë për ndihmën time që ta bëni këtë procedurë të ligjshme?” “Mirë, jo … po… kjo është e gjitha, duhet përpiluar ky formular.” “Unë nuk kam për t’ju ndihmuar.” Gjykatësi i tretë që ishte më i ri dhe që kishte bërë rolin e prokurorit, shpërtheu i paduruar, “Kjo është qesharake dhe e pandershme. A mos doni që të lini përshtypjen se një njeri i kalibrit tuaj është duke u....-” Ai e ndërpreu. Dikush në pjesën e pasme të sallës nxori një vërshëllimë të gjatë. “Po dua”, -tha Rearden me zë të lartë, “...që natyra e kësaj procedure të duket ekzaktësisht siç është. Nëse ju doni që t’ju ndihmoj që ta maskoni këtë procedurë. Unë nuk kam për t’ju ndihmuar.” “Por e po ju japim juve një mundësi për të mbrojtur veten. Ju jeni duke e refuzuar këtë mundësi.” “Unë nuk do t’ju ndihmoj juve që të pretendoni se unë kam një shans. Unë nuk do t’ju ndihmoj që të mbani fasadën e drejtësisë në një situatë kur të drejtat nuk njihen. Unë nuk do t’ju ndihmoj që të nxirrni si të arsyeshme një debat i cili do të ketë armën si argument të fundit. Unë nuk do t’ju ndihmoj të bëni kinse jeni duke administruar drejtësinë. “Por ligji ju detyron që në mënyrë vullnetare të mbroheni” Në sallën e gjyqit plasën të qeshurat. “Kjo është mangësia e teorisë suaj zotërinj” tha me ashpërsi Rearden” dhe unë nuk do t’ju ndihmoj të dilni prej saj. Nëse keni zgjedhur të merreni me njerëzit duke përdorur forcën, atëherë vazhdoni kështu. Por ju do të zbuloni se do të keni nevojë për bashkëpunimin vullnetar të viktimave tuaja, në shumë mënyra të tjera të ndryshme nga kjo. Dhe viktimat tuaja do të zbulojnë se është nënshtrimi i tyre dhe jo forca ajo që i hap rrugën sjelljes suaj. Unë kam vendosur të jem koherent dhe do t’u bindem juve ashtu siç e kërkoni. Çfarëdo gjëje që do të doni nga unë, kam për ta bërë vetëm para tytës së armës. Nëse më çoni në burg, duhet të dërgoni njerëz të armatosur për të më çuar atje, unë nuk do të lëviz vullnetarisht. Nëse më gjobisni, do t’ju duhet të zaptoni pronën time për të marrë gjobën, se unë nuk do t’ua paguaj vullnetarisht atë. Nëse besoni se keni të drejtë që të më detyroni mua për diçka atëherë përdoreni armën haptazi. Unë nuk kam për t’ju ndihmuar që të fshihni natyrën e veprimeve tuaja.” Gjykatësi më i moshuar u përkul përpara tavolinës dhe me një zë të butë dhe cinik tha: “Z. Rearden, u flisni sikur të ishit duke mbrojtur një lloj parimi, por në fund të fundit ju jeni duke luftuar vetëm për pronën tuaj apo jo?” “Po, natyrisht. Jam duke luftuar për pronën time. A e dini ju se çfarë parimi përfaqëson prona?” “Ju pozicionoheni si të ishit mbrojtës i lirisë, ndërkohë që ju kërkoni vetëm liri për të bërë para dhe aq.” “Po natyrisht. Gjithçka unë dua është liri për të bërë para. A e dini ju se çfarë nënkupton liria?” “Pa dyshim Z. Rearden, ju nuk doni që qëndrimi juaj të keqkuptohet. Ju nuk do të donit që të mbështesni përshtypjen e përhapur për ju që thotë se ju jeni një njeri që nuk ka ndërgjegje sociale, që nuk shqetësohet fare për mirëqenien e bashkëqytetarëve dhe që nuk punon për gjë tjetër përveçse për fitim.” “Unë nuk punoj për gjë tjetër përveçse për fitim. Dhe unë e fitoj me mund atë.” Tek turma pas tij pati një pasthirrmë, jo pasthirrmë indinjate por çudie, dhe pati heshtje varri tek gjykatësit që gjendeshin përballë tij. Ai vijoji me qetësi: “Jo, nuk dua që qëndrimi im të keqkuptohet. Unë jam i kënaqur që ta parashtroj qartë që të regjistrohet. Unë bie plotësisht dakord me faktet e gjithçka që thuhet për mua në gazeta, me faktet por jo me vlerësimin. Unë punoj vetëm për përfitimin tim, të cilin unë e nxjerr duke shitur një produkt tek njerëzit që janë të gatshëm dhe të aftë për ta blerë. Unë nuk e prodhoj për të mirën e tyre në kurrizin tim. Unë nuk sakrifikoj interesin tim për ata ashtu sikurse ata nuk sakrifikohen për mua; ne veprojmë si të barabartë falë një miratimi të ndërsjellë të motivuar nga një avantazh i ndërsjellë. Unë jam krenar për çdo qindarkë që unë kam nxjerrë në këtë mënyrë. Unë jam i pasur dhe jam krenar për çdo qindarkë që unë zotëroj. Unë i kam bërë paratë nëpërmjet mundit tim, në shkëmbim të lirë dhe nëpërmjet miratimit vullnetar të çdo personi me të cilin kam pasur marrëdhënie biznesi; me miratimin vullnetar të atyre që punon për mua kur fillova, me miratimin vullnetar të atyre që punojnë për mua tani dhe me miratimin vullnetar të atyre që blejnë prodhimin tim. Unë do t’u përgjigjem pyetjeve që ju keni frikë t’i bëni hapur. A dua unë që të paguaj punëtorët e mi më shumë sesa më vlejnë mua shërbimet e tyre? Jo nuk dua. A dua unë që të shes produktet e mia me çmim më të ulët sesa çmimi që klientët e mi janë të gatshëm të më paguajnë? Jo, nuk dua. A dua unë që ta shes me humbje apo ta jap falas? Jo, nuk dua. Nëse kjo është gjë e keqe, atëherë bëni çfarë të doni me mua, duke përdorur çfarë standardi t’u vijë për mbarë. Këto janë të miat. Unë jam duke nxjerrë vetë paratë për jetën time, sikurse çdo njeri tjetër i ndershëm, unë refuzoj që të pranoj si faj, faktin që unë ekzistoj dhe që më duhet që të punoj për të siguruar jetesën. Unë nuk pranoj si faj, faktin që unë jam i aftë ta bëj këtë gjë më mirë se shumica e të tjerëve, faktin që puna ime vlen më shumë se puna e fqinjëve të mi dhe se akoma më shumë njerëz te tjerë janë të gatshëm të më paguajnë. Unë nuk pranoj që të kërkoj falje për paratë e mia. Nëse kjo gjë është e keqe, atëherë bëni ç’të doni. Nëse kjo është gjëja që i duket e keqe publikut për interesat e veta, atëherë lëreni publikun që të më shkatërrojë. Ky është kodi im, dhe unë nuk pranoj kod tjetër. Unë mund t’ua them se kam bërë më shumë të mira për bashkëqytetarët sesa ju mund të ëndërroni që të realizoni në të ardhmen. Por unë nuk do ta them këtë, sepse unë nuk kërkoj të mirën e të tjerëve për të sanksionuar të drejtën time për të ekzistuar, dhe as nuk pranoj që e mira e të tjerëve të jetë si sanksion për të drejtën time për të ekzistuar. Unë nuk e pranoj që për të mirën e të tjerëve të justifikohet marrja e pronës sime dhe shkatërrimi i jetës sime. Unë nuk do të them që e mira e të tjerëve ishte qëllimi i punës sime, e mira ime ishte qëllimi im dhe unë kam neveri për çdo njeri që dorëzon të mirën e vet. Unë mund t’ju them që ju nuk i shërbeni të mirës publike, që e mira e dikujt nuk mund të realizohet me çmimin e sakrificës njerëzore, që kur ju dhunoni të drejtat e një njeriu, ju keni dhunuar të drejtat e të gjithëve dhe se një publik pa të drejta është i destinuar për shkatërrim. Unë mund t’ju them se ju nuk mundeni dhe nuk keni për të arritur asgjë nëpërmjet shkatërrimit universal, gjë që bën një plaçkitës kur i duhet të largohet nga viktima e vet. Unë mund ta them por nuk do ta them. Nuk është politika juaj e veçantë gjëja që po sfidoj unë, por premisa juaj morale. Nëse do të ishte e vërtetë që njerëzit mund të realizojnë të mirat e tyre duke kthyer disa njerëz në kafshë kurbani dhe nëse do më kërkohej që të bëhesha kurban për hir të disa krijesave që duan të jetojnë me gjakun tim, nëse do të më kërkohej që t’i shërbeja interesit të shoqërisë, veçmas, duke lënë mënjanë apo në kundërshtim me interesin tim; -unë do të refuzoja. Unë do ta refuzoja duke e konsideruar si gjënë më të keqe ndaj të cilës do të luftoja me çdo forcë timen, unë do të luftoja të gjithë njerëzinë qoftë edhe sikur në këtë luftë jeta ime të zgjaste vetëm një minutë e pastaj të vritesha, unë do ta luftoja me bindjen e plotë tek drejtësia e luftës sime dhe tek drejtësia e së drejtës së një njeriu për të ekzistuar. Le të mos ketë ndonjë keqkuptim për mua. Nëse bashkëqytetarët e mi, ata që e quajnë veten publiku, besojnë se e mira e tyre kërkon viktima, atëherë unë them: Qoftë mallkuar e mira publike. Unë nuk dua të kem të bëj me të”.
Një pjesë marrë nga libri i Ayn Rand, "The Fountainhead", Pjesa IV, Kapitulli XVIII.
Roark u ngrit në këmbë “I nderuar gjykatës, unë nuk do të thërras ndonjë dëshmitar. Kjo do të jetë dëshmia ime dhe përmbyllja e mbrojtjes sime.” “Bëni betimin” Roark bëri betimin. Ai shkoi tek vendi i dëshmitarit. Të pranishmit po e shikonin me vëmendje. Ata besonin se Roark nuk kishte ndonjë shans për të fituar. Ata mund të hiqnin inatin anonim, ndjenjën e pasigurisë që ai ngjallte tek shumica e njerëzve. Dhe kështu, për herë të parë, ata mund ta shihnin atë ashtu siç ai ishte: një njeri krejt të pambrojtur nga frika. Frika që ata nuk e konsideronin si frikë të zakonshme, jo një përgjigje ndaj një rreziku konkret, por një frikë e parrëfyer në të cilën të gjithë ata jetonin. Ata mbanin mend kusurin e momenteve kur, në vetmi, një njeri vret mendjen për fjalët e mençura që mund të kishte thënë por që nuk i kishte gjetur, dhe urren atë që i kishte grabitur kurajon. Telashin që përjetohet kur dihet sesa i fortë dhe i aftë është një njeri në mendje, një portret i shndritshëm që kurrë nuk do të bëhej realitet. Ëndrra? Iluzione? Apo një realitet i vrarë, i palindur, vrarë nga emocioni gërryerës, pa emër-frikë- nevojë –varësi- urrejtje? Roark qëndroi para tyre sikurse rri çdo njeri që në mendjen e tij është i pafajshëm. Por Roark qëndroi ashtu përpara një turme armiqësore, dhe ata befas kuptuan se për atë pasja e urrejtjes ishte e pamundur. Për një çast ata kuptuan funksionimin e ndërgjegjes së tij. Cilido pyeti veten: a kam nevojë për aprovimin e dikujt? – a ka rëndësi? – a jam unë i lidhur? Dhe për atë çast çdo njeri ishte i lirë- mjaftueshëm i lirë për të ndjerë dashamirësi për çdo njeri tjetër në sallë. Qe vetëm një moment, një moment heshtjeje kur Roark ishte gati për të folur. “Mijëra vjet më parë, njeriu i parë zbuloi se si të bënte zjarrin. Ka shumë mundësi që ai të jetë djegur si pasojë e barrës që mori përsipër duke ia mësuar vëllezërve të vetë sesi të ndiznin zjarrin. Ai u konsiderua një keqbërës që ishte marrë me një demon nga i cili kishte lemeri gjithë njerëzia. Por prej atëherë njerëzit kishin zjarr për t’u ngrohur, për të gatuar ushqimin e tyre, për të ndriçuar shpellat. Ai iu la atyre një dhuratë që ata nuk e kishin konceptuar dot dhe hoqi errësirën nga toka. Shekuj më pas, njeriu i parë zbuloi rrotën. Ka shumë mundësi që ai të jetë shtypur nga rrota të cilën ua mësoi vëllezërve të vet sesi ta ndërtonin. Ai u konsiderua si një kryeneç që kishte guxuar të futej në territor të ndaluar. Por që atëherë njerëzit mund të udhëtonin përtej çdo horizonti. Ai iu la atyre një dhuratë që ata nuk e kishin konceptuar dot, dhe ai iu hapi atyre rrugët e botës. “Ai njeri, i pa-nënshtruar dhe i parë, qëndron në kapitullin hapës të çdo legjende që njerëzimi ka regjistruar për fillimin e saj. Prometeu ishte lidhur me zinxhirë në një shkëmb dhe shqyhej nga shkabat, sepse ai kishte vjedhur zjarrin e perëndive. Adami u dënua me vuajtje sepse ai kishte ngrënë frutin nga pema e njohjes. Cilado qoftë legjenda, diku në hijet e kujtesës së vet, njerëzimi e di që lavdia e tij nisi me një, dhe ai person e pagoi shtrenjtë kurajon e tij. “Gjatë gjithë shekujve ka pasur njerëz që ndërmorën hapat e para nëpër shtigje të pashkelura, të armatosur veçse me vizionin e tyre. Synimet e tyre ndryshonin, por ata të gjithë kishin këtë gjë të përbashkët: që hapi ishte i pari, shtegu i pashkelur, vizioni i pahuazuar, dhe reagimi që ata morën-urrejtje. Krijuesit e mëdhenj, mendimtarët, artistët, shkencëtarët, shpikësit, qëndruan të vetmuar përkundrejt njerëzve të kohës. Çdo ide madhështore e re u kundërshtua. Çdo shpikje e re madhështore u denoncua. Motori i parë u konsiderua budallallëk. Aeroplani i parë u konsiderua i pamundur. Tezgjahu mekanik u konsiderua i dëmshëm. Anestezia u konsiderua mëkat. Por kishte njerëz me vizion origjinal që vazhduan më tej. Ata luftuan, vuajtën dhe paguan. Por fituan. “Asnjë krijues nuk u nxit nga dëshira për t’u shërbyer vëllezërve të vet, pasi vëllezërit e tij refuzuan dhuratën që ai ofroi dhe ajo dhuratë shkatërroi rutinën e jetës së tyre. E vërteta e tij ishte motivi i tij i vetëm. E vërteta, dhe puna për të arritur motivin e tij. E vërteta e tij dhe puna e tij për ta arritur atë në mënyrën e tij. Një simfoni, një libër, një makineri, një filozofi, një avion, një ndërtesë, ky ishte qëllimi i jetës së tij. Jo ata që dëgjuan, lexuan, vunë në punë, besuan, fluturuan apo banuan gjërat që ai krijoi. Krijimi e jo përdoruesit e tyre. Krijimi dhe jo përfitimet që të tjerët nxirrnin prej saj. Krijimi që i jepte formë të vërtetës së tij. Ai mbante të vërtetën e tij përmbi gjithë gjërat e tjera dhe kundër gjithë njerëzve. “Vizioni i tij, fuqia e tij, guximi i tij vinte nga shpirti i vet. Shpirti i një njeriu është gjithsesi vetvetja. Ajo njësi që përbën ndërgjegjen e tij. Të menduarit, të ndjerit, të gjykuarit, të vepruarit, janë funksione të unit. “Krijuesit nuk ishin vetëmohues. Ky është gjithë sekreti i fuqisë së tyre, pra ata ishin të vetëmjaftueshëm, vetëmotivuar dhe vetëgjeneruar. Një shkak i parë, një burim energjie, një forcë jetike, një Pioner. Krijuesi nuk i shërbente asgjëje dhe askujt. Ai kishte jetuar për veten e vet. “Dhe vetëm duke jetuar për veten, ai ishte i aftë që të realizonte gjera që janë lavdia e njerëzimit. E tillë është natyra e arritjes. “Njeriu nuk mund të jetojë, përveçse nëpërmjet mendjes së vet. Ai vjen në tokë i paarmatosur. Truri i tij është arma e vetme. Shtazët sigurojnë ushqimin falë forcës. Njeriu nuk ka kthetra, nuk ka dhembë të mëdhenj, nuk ka brirë, nuk ka muskuj të fuqishëm. Ai duhet ta kultivojë ushqimin e vet ose ta gjuajë. Për të mbjellë ai ka nevojë për procesin e të menduarit. Për të gjuajtur i duhen armë dhe për të bërë armët, i duhet një proces mendimi. Prej nevojës më të thjeshtë tek abstraksioni më i lartë fetar, prej rrotës tek rrokaqiejt, gjithçka që ne jemi dhe gjithçka që ne kemi vjen nga një dhunti e vetme e njeriut, funksioni arsyetues i mendjes së vet. “Por mendja është një dhunti e një individi. Truri kolektiv nuk ekziston. Mendimi kolektiv nuk ekziston. Një marrëveshje e realizuar nga një grup njerëzish është thjesht një kompromis ose një rezultante mesatare e shumë mendimeve individuale, është një pasojë dytësore. Veprimi parësor, procesi i arsyetimit, duhet të ushtrohet nga çdo njeri veçmas. Ne mund të ndajmë një ushqim mes shumë njerëzve. Ne nuk mund ta tretim atë në një stomak kolektiv. Asnjeri nuk mund të përdorë trurin e vetë për të menduar për një tjetër. Të gjitha funksionet e trupit dhe shpirtit janë personale. Nuk mund të ndahen me të tjerët apo të transferohen. “Ne trashëgojmë produktet e njerëzve të tjerë. Ne trashëgojmë rrotën. Ne bëjmë karrocën. Karroca bëhet automobil. Automobili bëhet aeroplan. Por përgjatë gjithë procesit ajo që ne marrim nga të tjerët është prodhimi që vjen si rezultat i të menduarit të tyre. Forca lëvizëse është aftësia krijuese që e merr këtë produkt si material, e përdor atë dhe sajon hapin tjetër. Kjo aftësi krijuese nuk mund të jepet ose merret, ndahet ose huazohet. Ajo i takon një njeriu të vetëm. Çfarë krijohet është prona e krijuesit. Njerëzit mësojnë nga njeri-tjetri. Por të mësuarit është vetëm një shkëmbim materiali. Asnjë nuk mund t’i japi dikujt tjetër kapacitetin për të menduar. Megjithatë ky kapacitet është mjeti ynë i vetëm i mbijetesës. “Asgjë nuk i jepet një njeriu në tokë. Gjithçka që atij i nevojitet duhet të prodhohet. Dhe këtu njeriu ballafaqohet me alternativën themelore: ai mund të mbijetojë nëpërmjet dy rrugëve: nëpërmjet punës së pavarur të mendjes së tij ose si parazit i ushqyer nga mendimet e të tjerëve. Krijuesi gjeneron. Paraziti huazon. Krijuesi e përballon natyrën i vetëm. Paraziti e përballon natyrën nëpërmjet ndërmjetësve. “Shqetësimi i krijuesit është nënshtrimi i natyrës. Shqetësimi i parazitit është nënshtrimi i njeriut. “Krijuesi jeton për punën e tij. Ai nuk ka nevojë për njeri tjetër. Synimi i tij parësor është përbrenda vetes. Paraziti jeton si dorë e dytë. Ai ka nevojë për të tjerë. Të tjerët janë motivi i tij parësor. “Nevoja parësore për krijuesin është pavarësia. Mendja arsyetuese nuk mund të punojë nën ndonjë formë shtrëngimi. Nuk mund të përulet, sakrifikohet ose nënshtrohet ndaj ndonjë këndvështrimi sido që të jetë. Kërkon pavarësi të plotë në funksion dhe motiv. Për një krijues të gjitha marrëdhëniet me njerëzit janë dytësore. “Nevoja parësore e njeriut që është dora e dytë, është që të sigurojë lidhjet me njerëzit në mënyrë që të ushqehet. Ai vendos marrëdhëniet në plan të parë. Ai deklaron se njeriu ekziston për t’u shërbyer të tjerëve. Ai predikon altruizëm. “Altruizmi është doktrina që kërkon që njerëzit të jetojnë për të tjerët dhe vendosin të tjerët sipër vetes. “Asnjeri nuk mund të jetojë për një tjetër. Ai nuk mund të ndajë shpirtin e tij më dikë tjetër po ashtu sikurse nuk mund të ndajë trupin e tij. Por njeriu i dorës së dytë ka përdorur altruizmin si armë shfrytëzimi dhe ka përmbushur bazën e parimeve morale të njerëzimit. Njerëzve iu mësohet çdo lloj parimi që shkatërron krijuesit. Njerëzve iu është predikuar varësia si të ishte virtyt. “Njeriu që përpiqet të jetojë për të tjerët është i varur. Ai është një parazit në motiv dhe bën parazit ata persona të cilëve ai iu shërben. Kjo marrëdhënie nuk prodhon gjë tjetër përveçse korrupsion reciprok. Është e pamundur në koncept. Ngjashmëria më e afërt në realitet e njeriut që jeton për t’u shërbyer të tjerëve, është skllavi. Nëse skllavëria fizike është e neveritshme, aq më i neveritshëm është koncepti i shërbimit me shpirt? Skllavi i nënshtruar ka një farë nderi. Ai ka meritë, sepse ka rezistuar dhe sepse e konsideron gjendjen e tij të keqe. Por njeriu që skllavëron veten vullnetarisht në emër të dashurisë është një ndër krijesat më të ulta. Ai degradon dinjitetin e njeriut dhe degradon konceptin e dashurisë. Por ky është thelbi i altruizmit. “Njerëzit edukohen që virtyti më i lartë nuk është që të arrijnë, por që të japin. Porse një njeri nuk mund të japi diçka që nuk e ka krijuar. Krijimi vjen para shpërndarjes përndryshe nuk do të ketë diçka për të shpërndarë. Nevoja për krijuesin vjen para nevojës për ndonjë përfitues të mundshëm. Megjithatë neve na është thënë që të admirojmë njeriun dorë e dytë, atë që shpërndan dhurata, që nuk ka prodhuar duke shpërfillur njeriun që i ka bërë këto dhurata të mundshme. Ne çmojmë aktin e bamirësisë. Ne shpërfillim një akt arritjeje. “Njerëzve iu është mësuar që qëllimi kryesor duhet të jetë që të zbusin vuajtjen e të tjerëve. Por vuajtja është një sëmundje. Nëse dikush sëmuret, atëhere tjetri duhet të përpiqet që të japë ndihmë dhe përkujdesje. Por që ta quash këtë gjë si testin më të lartë të virtytit do të thotë ta bësh vuajtjen si pjesën më të rëndësishme të jetës. Pastaj njerëzit do të dëshirojnë që të shohin të tjerët duke vuajtur në mënyrë që t’u jepet rasti që ta demonstrojnë veten si të virtytshëm. Kjo është natyra e altruizmit. Krijuesi nuk merret me sëmundjen por me jetën. Megjithatë puna e krijuesve ka eliminuar format e ndryshme të sëmundjes një e nga një, sëmundje në trupin dhe shpirtin e njeriut, dhe ka sjellë më shumë përkujdesje për ata që vuajnë sesa çfarëdo altruisti tjetër mund të ketë menduar. “Njerëzve iu është mësuar që egoja është sinonimi i të keqes, dhe se vetëmohimi është virtyti ideal. Por krijuesi është egoist në formën më absolute ndërsa njeriu vetëmohues është një njeri që nuk mendon, ndjen, gjykon apo vepron. Këto janë funksione të vetvetes. “Këtu përmbysja themelore është vrastare. Çështja është degjeneruar dhe nuk i është lënë alternativë dhe liri. Po ashtu si polet e të mirës dhe të keqes atij i janë ofruar dy koncepte: egoizëm dhe altruizëm. Egoizmi pretendohet se do të thotë që të sakrifikosh të tjerët për veten. Altruizëm të sakrifikosh veten për të tjerët. Kjo lidhte në mënyrë të pakthyeshme njeriun me njerëz të tjerë duke mos i lënë shans tjetër përveç dhimbjes: dhimbje që pësohej kur sakrifikohej për hir të të tjerëve ose dhimbja që iu shkaktohej të tjerëve për hir të vetes, kur shtohet edhe se njeriu duhet të nxjerrë kënaqësi nga sakrifikimi i vetes, gracka mbyllej. Njeriu detyrohej që të pranonte mazokizmin si një ideal nëpërmjet kërcënimit se sadizmi është alternativa e vetme e tij. Ky është mashtrimi më i madh që i është bërë njerëzimit. “Ky ishte instrumenti nëpërmjet të cilit varësia dhe dhimbja shkaktoheshin si bazat e jetës. “Zgjedhja nuk është vetësakrifikim apo dominim. Zgjedhja është mes pavarësisë dhe varësisë. Kodi i krijuesit apo kodi i dorës së dytë. Kjo është çështja thelbësore. Qëndron përsipër alternativës së jetës apo vdekjes. Kodi i krijuesit është ndërtuar mbi nevojat e mendjes që arsyeton dhe që lejon njeriun që të mbijetojë. Kodi i dorës së dytë është ndërtuar mbi nevojat e një mendje që nuk mund të mbijetojë. Çfarëdo gjëje që rrjedh nga varësia e njeriut nga njerëzit është e dëmshme. “Egoisti në asnjë mënyrë nuk është njeriu që sakrifikon të tjerët. Ai është njeriu që qëndron sipër nevojave për të përdorur të tjerët në çfarëdo mënyre. Ai nuk funksionon nëpërmjet tyre. Ai nuk ka ndonjë shqetësim të madh për ta. As kur bëhet fjalë për qëllimet e tij, as për motivet, as për mendimin, as për dëshirat dhe as kur bëhet fjalë për burimin e energjisë së tij. Ai nuk ekziston për ndonjë njeri tjetër dhe nuk i kërkon ndonjë njeriu tjetër të ekzistojë për të. Kjo është e vetmja formë vëllazërie dhe respekti reciprok që është e mundur midis njerëzve.
Në një marrëdhënie të përshtatshme nuk ka asnjë sakrificë të dikujt për dikë tjetër. Një arkitekt ka nevojë për klientë, por ai nuk nënshtron punën e tij ndaj dëshirave të tyre. Ata kanë nevojë për të, por nuk kanë për të porositur një shtëpi thjesht për t’i dhënë punë arkitektit. Njerëzit shkëmbejnë punën e tyre në liri të plotë nëpërmjet miratimit të ndërsjellë për hir të një avantazhi të ndërsjellë, atëherë kur interesat e tyre personale bien dakord dhe që të dy palët e dëshirojnë shkëmbimin. Nëse nuk e dëshirojnë, ata nuk janë të detyruar që të kenë të bëjnë me njeri tjetrin. Ata kërkojnë tjetërkund. Çdo gjë tjetër është një marrëdhënie midis skllavit dhe pronarit, viktimës dhe ekzekutuesit. “Asnjë punë nuk është bërë në mënyrë kolektive, nëpërmjet një vendimi të shumicës. Çdo punë krijuese është arritur nëpërmjet udhëheqjes së një mendimi të vetëm individual. Një arkitekt ka nevojë për shumë njerëz që të ndërtojë ndërtesën e tij. Por ai nuk u kërkon atyre që të votojnë projektin e tij. Ata punojnë së bashku nëpërmjet një miratimi të bërë në kushte të lira, dhe çdo punëtor është i lirë në funksionin e vet. Një arkitekt përdor çelik, xham dhe çimento që prodhohen nga të tjerë. Por materialet ngelen çelik, xham dhe çimento derisa ai i prek ato. Se çfarë bën ai me to është një prodhim individual dhe prona e tij individuale. Ky është rendi i vetëm për një bashkëpunim të përshtatshëm mes njerëzve. “E drejta e parë në tokë është e drejta për egon. Detyra e parë e njeriut është detyra ndaj vetes. Ligji i tij moral është që të mos zëvendësojë qëllimin e tij parësor me persona të tjerë. Detyrimi i tij moral është që të bëjë çfarë të dojë, për sa kohë dëshira e tij nuk varet rrënjësisht nga të tjerët. Kjo përfshin të gjithë sferën e tij të aftësisë krijuese, të menduarit, punën e tij. Por nuk përfshin sferën e gangsterit, altruistit dhe diktatorit. “Një njeri mendon dhe punon i vetëm. Një njeri nuk mund të grabisë, shfrytëzojë dhe sundojë i vetëm. Grabitja, shfrytëzimi dhe sundimi kanë të bëjnë me viktima. Kjo nënkupton me varësi. Ky është territori i njeriut të dorës së dytë. “Sunduesit e njerëzve nuk janë egoistë. Ata nuk krijojnë gjë. Ata ekzistojnë vetëm nëpërmjet individëve të tjerë. Nëpërmjet këtij mashtrimi ata përpiqen që të shkatërrojnë egon e vetes dhe të të tjerëve. Qëllimi i gjithë këtij mashtrimi është që ata të shkatërrojnë krijuesit. Ose ti shfrytëzojnë ata, që është sinonim me të parën. “Prej fillimit të historisë, këta dy antagonistë kanë qëndruar ballë për ballë: krijuesi dhe njeriu i dorës së dytë. Kur krijuesi i parë shpiku rrotën, njeriu i dorës së dytë u përgjigj. Shpiku altruizmin. “Krijuesi, edhe pse i refuzuar, kundërshtuar, persekutuar, shfrytëzuar, vazhdoi, eci përpara duke mbartur gjithë njerëzimin me energjinë e tij. Njeriu i dorës së dytë nuk kontribuoi fare për procesin përveçse vuri pengesa. Kjo garë ka një emër tjetër: individi kundër kolektives. “E mira e përbashkët” e një kolektivi të një race, klase apo shteti, ishte pretendimi dhe justifikimi i çdo tiranie që është vendosur nga njerëzit. Çdo tmerr i madh i historisë është bërë në emër të një motivimi altruist. E ku ka bërë vaki që ndonjë akt egoizmi të ketë kapërcyer llahtaret që janë bërë nga dishepujt e altruizmit? Ku bie faji, tek hipokrizia e njeriut apo tek natyra e parimit? Kasapët më të tmerrshëm kanë qenë më të sinqertët. Ata besonin tek shoqëria e përkryer e arritur nëpërmjet gijotinës dhe skuadrës së pushkatimit. Asnjë nuk e vuri në dyshim të drejtën e tyre për të vrarë përderisa ata ishin duke vrarë për qëllime altruiste. Ishte një fakt i pranuar që njeriu duhet të sakrifikohet për njerëz të tjerë. Aktorët ndryshojnë, por kursi i tragjedisë mbetet i njëjti. Një humanitar që fillon me deklarata dashurie për njerëzimin e që përfundon me një det gjaku. Do të vazhdojë kështu për sa kohë njerëzit të besojnë se një veprim është i mirë nëse është altruist. Kjo i lejon altruistit që të veprojë dhe të detyrojë viktimat e tij që të mbartin kusurin. Liderat e lëvizjeve kolektiviste nuk kërkojnë asgjë për veten. Por shikoni rezultatet. “E vetmja gjë e mirë që njerëzit mund të bëjnë për të tjerët dhe e vetmja moto për një marrëdhënie të përshtatshme është : Duart Larg! “Tani shikoni rezultatet e një shoqërie që është ndërtuar në bazën e individualizmit. Ky është vendi ynë. Vendi më fisnik në gjithë historinë e njerëzimit. Vendi me arritjet më madhështore, me begatinë më të madhe dhe me lirinë më të madhe. Ky vend nuk ishte bazuar tek shërbimi pa interes vetjak, sakrifica, vetëmohimi ose ndonjë tjetër formë të altruizmit. Ishte bazuar tek e drejta e njeriut për të ndërtuar lumturinë. Lumturinë e tij. Jo të dikujt tjetër. Një motiv privat, personal egoist. Shikoni rezultatet. Shikojini në ndërgjegjen tuaj. “Ky është një konflikt i vjetër. Njerëzit i janë afruar së vërtetës por ajo u shkatërrua çdo herë dhe qytetërimet ranë njëri pas tjetrit. Qytetërim është progresi drejt një shoqërie individualiste. Ekzistenca e të egrës mbështetet tek publikja, sundimi nga ligjet e fisit. Qytetërimi është procesi i çlirimi të njeriut nga njeriu. “Tani, në epokën tonë, kolektivizmi, sundimi i njeriut të dorës së dytë, të klasës së dytë, përbindëshit të përhershëm, ka dalë nga zgjedha dhe është duke u vërsulur. i ka çuar njerëzit tek një nivel i ulët intelektual që është i paparë në tokë. Ka vajtur në një shkallë horrori të pashoq në histori. Ka helmuar çdo mendje. Ka gëlltitur shumicën e Evropës. Është duke rrethuar edhe vendin tonë. “Unë jam një arkitekt. Unë e di sesi do të ndërtohet diçka duke parë parimet me të cilat është duke u ndërtuar. Jemi duke iu afruar një bote ku unë nuk mund të jetoj dot. “Tani e dini pse e hodha në erë Cortlandt-in. “Unë e projektova ndërtesën cortlandt. Unë ua dhashë juve. Unë e shkatërrova. “E shkatërrova pasi vendosa që nuk do ta lija të ekzistonte. Ishte një përbindësh i dyfishtë. Në formë dhe në kuptim. Duhej t’i shpërtheja që të dyja. Forma ishte përçudnuar nga dy njerëz të dorës së dytë që i dhanë vetes të drejtën për të përmirësuar diçka që ata nuk e kishin bërë vetë dhe që po të donin nuk e bënin dot. Ata ia lejuan vetes duke hamendësuar se qëllimi altruist i ndërtesës kapërcente të gjitha të drejtat e tjera, dhe unë nuk kisha të drejtë që të pretendoja dhe të kundërvihesha. “Unë rashë dakord që të projektoja Cortlandt-in vetëm për ta parë të ngritur sipas dizenjos sime dhe për asnjë arsye tjetër. Ky ishte çmimi që unë vura për punën time. Unë nuk u pagova. “Unë nuk ia vura fajin Peter Keating. Ai është i pashpresë. Kishte një kontratë me punëdhënësit e tij. Nuk iu vu veshi. Ai kishte një premtim që struktura që ai ofroi, të ndërtohej ashtu siç ishte projektuar. Ky premtim u thye. Dashuria e njeriut për integritetin e punës së tij dhe e drejta e tij për të ruajtur autenticitetin e punës tani konsiderohet si e papërfillshme dhe jothelbësore. Ju dëgjuat vetë prokurorin tek e tha këtë gjë. Pse u shpërfytyrua ndërtesa? Për asnjë arsye. Këto veprime asnjëherë nuk kanë një arsye, përveçse kur ka të bëjë me fudullëkun e ndonjë njeriu të dorës së dytë që mendon se ka të drejta tek prona e dikujt tjetër, qoftë kjo pronë shpirtërore apo materiale. Asnjë nuk e vrau mendjen t’i jepte leje apo ta ndalonte. Asnjë nuk kishte mbante përgjegjësi. Asnjë nuk jepte llogari. Kjo është natyra e veprimit kolektiv. “Unë nuk mora pagesën që kërkova. Por pronarët e Cortlandt-it morën atë që kishin nevojë nga unë, ata donin një skemë për të ndërtuar një strukturë sa më lirë që të ishte e mundur. Ata nuk gjetën dot ndonjë që ta bënte atë siç iu pëlqente. Unë mund ta ndërtoja dhe e ndërtova. Ata përfituan nga puna ime dhe më detyruan që ta jepja si dhuratë. Por unë nuk jam altruist. Unë nuk dhuroj dhurata të këtij lloji. “Thonë se unë kam shkatërruar shtëpinë e të varfrit. Harrojnë që po mos të ishte për mua, i varfri nuk do të kishte ndonjë shtëpi të veçantë. Ata që ishin të shqetësuar për të varfrit erdhën tek unë, që asnjëherë nuk kam qenë i shqetësuar për të varfrit. Disa besojnë se varfëria e banorëve të ardhshëm iu dha atyre të drejtën mbi punën time, që nevoja e këtyre të varfërve i jepte të drejtën të kishin pretendime për jetën time. Që ishte detyra ime të kontribuoja për gjithçka që ata më kërkonin mua. Mirëpo kjo është deviza e një njeriu të dorës së dytë që tani po përpin gjithë botën. “Unë erdha këtu që të them se unë nuk i njoh askujt të drejtën për të marrë qoftë edhe një minutë nga jeta ime. As që të marrë ndonjë pjesë të energjisë sime, as të ndonjë arritjeje time. S’ka rëndësi se kush e bën këtë pretendim, sa i madh është numri i tyre apo sa e madhe është nevoja. “Unë doja të vija këtu për të thënë se unë nuk jam një njeri që ekzistoj për të tjerët. “Duhet thënë. Bota po shkatërrohet nga një orgji vetësakrifikimi. “Unë doja të vija këtu për të thënë se integriteti i punës krijuese është shumë herë më e rëndësishëm se një përpjekje bamirësie. Ata prej jush që nuk e kuptojnë këtë gjë, janë njerëzit që po shkatërrojnë botën. “Unë erdha këtu që të paraqisja rregullat e mia. Mua as që më vete mendja që të ekzistoj për të tjerët. “Unë nuk njoh ndonjë detyrim ndaj njerëzve përveç njërës: të respektoj lirinë e tyre dhe të mos marr pjesë në një shoqëri skllavërie. Vendit tim do të doja t’i jepja dhjetë vitet që do të kaloj në burg nëse vendi im nuk ekziston më. Do t’i kaloj këto dhjetë vite shenjë përkujtimi dhe mirënjohjeje për vendin tim të dikurshëm. Do të jetë një akt besnikërie, refuzim për të jetuar dhe punuar në vendin e ri që i ka zënë vendin vendit tim. “Një shenjë besnikërie ndaj çdo krijuesi që ka jetuar ndonjëherë dhe që janë detyruar të vuajnë nga forca që është përgjegjëse për Cortlandt-in që unë hodha në erë. Për çdo orë torturuese të vetmisë, mohimit, vuajtjes dhe abuzimit që krijuesi është detyruar të kaluar, dhe për betejat që ai ka fituar. Për çdo krijues të cilit i kanë shkatërruar trupin dhe shpirtin. Për Henri Cameron. Për Steven Mallory. Për atë njeri që nuk do që t’i përmendet emri por që është ulur në këtë sallë gjyqi dhe e di që unë e kam fjalë për të.” Roark qëndroi me këmbët hapur, krahët lëshuar drejt, koka e ngritur lart, sikur të ishte duke qëndruar në një ndërtesë të papërfunduar. Më vonë, kur ai u ul sërish në bangën e të akuzuarit, shumë njerëzve në dhomë iu dukej sikur ai të ishte akoma në këmbë; fotografia e një momenti që nuk do të zëvendësohet. Kjo fotografi ngeli në mendjet e tyre përgjatë gjithë diskutimeve ligjore që vijuan. Ata dëgjuan gjykatësin tek i thoshte prokurorit që i pandehur ka ndryshuar qëndrimin: ai kishte pranuar aktin por nuk e kishte quajtur veten fajtor për krimin; një çështje e turbullt legale u ngrit; i takonte jurisë që të vendoste nëse i pandehuri e njihte natyrën apo cilësinë e aktit të vet dhe nëse e dinte, a e kuptonte i pandehuri që akti në vetvete ishte i gabuar. Prokurori nuk kundërshtoi; në sallë ra një heshtje e çuditshme; prokurori mendonte se e kishte fituar tashmë çështjen. Ai mbajti fjalën përmbyllëse. Asnjë nuk e mban mend se çfarë tha. Gjykatësi i dha udhëzimet jurisë. Juria u ngrit dhe u largua nga salla e gjyqit. Njerëzit lëvizën, duke u bërë gati që të largoheshin, pa ngut, duke menduar se do të duhej të prisnin orë të tëra. Wynand në fund të dhomës, dhe Dominique në fillim, qëndronin pa lëvizur. Një polic gjyqësor shkoi pranë Roark-ut që ta shoqëronte jashtë dhomës. Roark qëndronte tek banga e mbrojtjes, sytë e tij shkuan tek Dominique, pastaj tek Wynand. Ai u kthye dhe ndoqi policin. Ai kishte arritur tek dera kur u dëgjua një zhurmë e mprehtë, dhe një moment heshtje totale derisa njerëzit kuptuan se zhurma ishte një goditje tek dera e mbyllur e dhomës së jurisë. Juria kishte arritur verdiktin. Ata që ishin në këmbë qëndruan ashtu, të ngrirë, derisa gjykatësi u kthye në vendin e vet. Juria u kthye në sallën e gjyqit. “I pandehuri të ngrihet në këmbë përballë jurisë” , -tha sekretari i gjykatës. Howark Roark bëri një hap para dhe qëndroi përballë jurisë. Gail Wynand gjithashtu u ngrit dhe qëndroi në këmbë. “Z. Foreman, a keni arritur një vendim” “Po, kemi një verdikt” “Cili është verdikti?” “I pafajshëm.”
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 3 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 93 |
![]() | Dje | 269 |
![]() | Kete jave | 93 |
![]() | Javen e shkuar | 1628 |
![]() | Kete muaj | 1298 |
![]() | Muajin e shkuar | 5624 |
![]() | Gjithe vizitat | 133013 |
Your IP: 38.107.179.223
,
Today: Feb 06, 2012










