| Euroskepticizmi Një Vështrim nga e Majta |
|
|
|
|
Përgjithësisht vijmë nga një kulturë dhe një sistem arsimor që nuk ka nxitur as dyshimin dhe as eksperimentin për gjetjen e së vërtetës, por bindjen tek fjala e autoritetit. E në përgjithësi kjo kulturë mbetet dominante edhe sot; prandaj në kontekstin shqiptar na del në mënyrë dramatike nevoja për dyshimin si instrument i mendimit dhe i kulturës në tërësi. Pa dyshim, një nga fushat ku është reflektuar kjo kulturë e mosvënies në dyshim të autoritetit është edhe ajo e marrëdhënieve me Perëndimin ku spikat bindja ndaj autoritetit Perëndim, që shpesh ka qenë edhe sinonim i Evropës, adhurimi me verbëri dhe mitizimi i modeleve dhe i të vërtetave të tij. Fakti që sot kemi filluar të flasim për eurodyshimin tregon se kemi arritur në një kohë kur shumë dështime të poskomunizmit na kanë çuar edhe tek nevoja për të parë në mënyrë kritike edhe Evropën edhe marrëdhënien tonë me të, e më në përgjithësi do të thoja për të dekonstruktuar mitin Evropës ashtu sikurse shumë mite të tjera. Një vështrim i shkurtër i mitit Evropë
Rënia e komunizmit në Shqipëri, ashtu sikurse në tërë kampin e udhëhequr nga BS, nuk mund të shpjegohet pa patur parasysh edhe procesin e ngritjes së mitit të Evropës që në vende të ndryshme ka filluar të ngrihet në kohë të ndryshme. Përgjithësisht ky mit (si pjesë thelbësore e mitit Perëndim) ka pasur dy trajta: atë të tokës së premtuar si dhe atë të shpëtimtarit. Miti i shpëtimtarit dhe miti i tokës së premtuar në perceptimin mitik të shqiptarëve bashkoheshin në figurën e një zoti monolitik. Pa dyshim njiheshin dallimet historike dhe gjeografike të vendeve të ndryshme perëndimore. Ekzistonin preferenca, por Evropa nuk shihej e fragmentizuar përsa i përket ëndrrës për liri dhe demokraci. Si tokë e premtuar ajo më shumë shihej si një kopësht me parcela të ndryshme ku sejcili do të mund të zgjidhte atë që i pëlqente më shumë. Kurse si shpëtimtar shihej si një e tërë. Ky perceptim ishte i fortë në vitet e para tw tranzicionit dhe nuk mund të thuhet se ka mbaruar tani, por çprej asaj kohe perceptimi i Evropës si pjesa kryesore e perëndimit ka ndryshuar jo pak. Gjatë këtyre viteve njohja e realitetit të ndryshme perëndimore, por edhe ngjarje të tilla si roli i vendeve të ndryshme evropiane në ndarjen e Jugosllavisë, apo konstatimi i interesave të përkundërta në Shqipëri të fqinjëve që, si anëtarë të komunitetit Evropian, në vizionin mitik, konsideroheshin si të pandarë kanë ndikuar jo pak në fragmentizimin e zotit monolitik Perëndim. Në këtë proces fragmentizimi hyn edhe diskuri gjithnjë e më i shpeshtë për ndarjen dhe konkurencën midis SHBA-ve dhe Evropës. Duke u ndalur tek këta shembuj do të thoja se i gjithë ky proces kalimi nga adhurimi i mitit tek hutimet dhe hidhërimet e zhgënjimeve, ku bën pjesë, pa dyshim, edhe njohja sadokudo e qëndrimeve kritike të vetë perëndimorëve ndaj realitetit të tyre, ka sjellë njohjen njëfarsoj të realitetit të Perëndimit si një botë me plot probleme - aspak një tokë e premtuar, - duke bërë që edhe në Shqipëri të lindë apo të krijohen premisat e lindjes së një frymë kritike për Perëndimin. Megjithatë ky ndryshim nuk mund të thuhet se është sistemuar nëpërmjet një mendimi të pjekur kritik. Një nga gjërat që më pak se çdo tjetër kanë zbuluar shqiptarët në Perëndim, në procesin e dekonstruktimit të mitit Evropë janë dallimet midis së majtës dhe të djathtës evropiane. Nuk mund të mohoet se kontakti me nostalgjitë e së majtës për vendet ish komuniste si dhe me antiamerikanizmin e tyre ashtu sikurse edhe kontakti me racizmin e së djathtës edhe ndaj shqiptarëve kanë qenë elementë që kanë hyrë në procesin e ndryshimit të perceptimit të Evropës, por ata më shumë se çdo gjë kanë krijuan pështjellim në përpjekjen për të rikonstruktuar imazhin e Perëndimit e të Evropës në veçanti sesa ndonjë kthjellim. Principe të majta dhe të djathta, progresiste dhe konservatore, nacionaliste dhe kozmopolite, të pasurish dhe të varfërish i gjen ende në Shqipërinë e sotme të përzjera tek çdo individ dhe tek çdo parti në një mishmash pa trajtë e pa formë. Kur flitet për euroskepticizëm sot nënkuptohet kryesisht një dyshim e kritikë që i bëhet nga e djathta projektit të bashkimit evropian. Është qëndrimi i atyre partive politike e intelektualëve, kryesisht në vendet e lindjes ish komuniste, si Polonia psh., që kanë vënë në pah rezervat dhe dyshimet që sipas tyre paraqet hapja ndaj Evropës dhe veçanërisht futja në BE. Këto rezerva e dyshime janë kryesisht dy farëshe: në lëmin kulturor si humbje e vlerave tradicionale si dhe në lëmin ekonomik - sepse euroskeptikët ngulmojnë se këto vende, duke qenë me një ekonomi më të dobët sesa vendet e Evropës Perëndimore, do të mbeten në rolin e një ekonomie të skllavëruar apo në shërbim të asaj perëndimore. Ndërkaq edhe në vetë vendet perëndimore ekziston një euroskepticizëm i djathtë. Ky sillet kryesisht rreth partive nacionaliste, si ajo e Le Painit në Francë që kërkojnë tu përgjigjen sensibiliteteve të atyre shtresave shoqërore në vendet e tyre që kanë deri qëndrime raciste ndaj të huajve e që kryesisht janë të shqetësuara jo vetëm nga bjerrja e vlerave kombëtare, por mbi të gjitha ngase tek hapja shohin depërtimin në vendin e tyre të lindorëve të cilët do të rrisin, sipas tyre, edhe më tepër nivelin e pasigurisë së jetës nëpërmjete kriminalitetit që mund të sjellin si dhe nëpërmjet zënies së vendeve të punës. Kjo u pa qartë në refuzimin e kushtetutës evropiane nga partitë e djathta dhe elektorati i tyre. E majta, si sistem vlerash, po të kemi parasysh edhe rrënjët e saj tek Iluminizmi edhe faktin se konsiderohet si progresiste, përfytyrohet si frymëzuesja dhe përkrahësja kryesore e projektit evropian. Dhe kështu është në tërësi, por ndërkaq, po të kemi parasysh refuzimin e kësaj kushtetute në referendumin në Francë do të vemë re se ky refuzim vinte edhe nga e majta, më saktë nga ato parti ose fraksione partish që janë të vendosura më majtas në spektrin politik sesa qendrat e majta. Ato e kanë refuzuar kushtetutën dhe në tërësi projektin evropian për arësye të tjera nga ato që paraqiste e djathta. Refuzimi i tyre mbështetet mbi idenë e refuzimit të një Evrope të liberizmit dhe neoliberizmit siç është ai që dominon në projektin e hartuesve kushtetutës. Kjo e majtë pra kërkon ndërtimin e një tjetër Evrope për ta pranuar atë, ku të ketë shumë më tepër peshë mbrojtja sociale. Kritika kryesore e saj qëndron në kërkesën për moshumbjen e vlerave të shtetit social kombëtar kur të kalojmë në nivel evropian. Kur flitet për euroskepticizmin në Shqipëri, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, që sipas mendimit tim sot për sot është thuajse krejtësisht mungues në artikulimet intelektuale, politike dhe në media, diskutime tw tilla duhet të synojnë që të rritet njohja e këtyre dy qëndrimeve euroskeptike. Unë do ta ve theksin tek nevoja për një dyshim e kritikë nga e majta që sipas meje është i nevojshëm edhe në kuptimin e zhvllimit të një ndërgjegjeje të majtë në Shqipëri e cila edhe ajo sot mungon thuajse krejtësisht. Arësyen kryesore pse mungon një mendim i majtë evropian sot në Shqipëri duhet ta gjemë tek ndërthurja e faktit se vendi ynë doli më 1991 nga 45 vjet tragjedi komuniste, (e komunizmi konsiderohet si ideologji e majtë), me faktin se e tërë Evropa Perëndimore konsiderohej si armiku/e kundërta e komunizmit si dhe me triumfin në ato vite të liberizmit në Evropë. Ndërthurja e këtyre tre faktorëve ndikoi që liberizmi të merrej në Shqipëri në mënyrë jo kritike, më mirë të them në mënyrën se si u morr ideollogjia komuniste, madje mund të thuash se, në një farë mënyre, e zëvendësoi atë. Një arësye tjetër është se, elitat kulturore politike u impenjuan ne orientimin e shoqërisë shqiptare drejt imitimit të modeleve dhe teorive që vinin nga Evropa dhe SHBA, pa mundur të zhvillonin sensin kritik ndaj tyre pasi edhe objektivisht ishte shumë i vështirë të bëhej njherësh edhe implementimi edhe kritika. Por klasa politike kulturore shqiptare ka qenë refraktare ndaj ideve të së majtës evropiane, jo vetëm për shkak se e kaluara ende e freskët komuniste e vendit i ka bërë njerëzit të jenë refraktarë ndaj ideve të së majtës në përgjithësi, jo vetëm për shkak të përqafimit pa frymë kritike të modeleve liberale, por edhe për shkak të një ndjenje faji të shumicës së individëve që e përbëjnë këtë klasë për shkak të së kaluarës së tyre komuniste. Ëndrra amerikane në Evropë dhe kundërshtimi i saj Përgjithësisht vështrimi kritik nga e majta i Evropës lidhet ngushtë me një kritikë ndaj projektit neoliberist të globalizimit. Kjo, pasi e majta e ka parë globalizimin kryesisht si triumf të neoliberizmit amerikan dhe jo rrallë e ka trajtuar edhe si formë neokolonializmi ekonomik dhe kulturor. Ndërkaq, vendet ish komuniste dhe veçanërisht Shqipëria hynë në epokën e re me “Ëndrrën amerikane” të globalizimit, të idealizuar dhe të zilepsur nga tërë bota (edhe nga një pjesë e mirë e Evropës) e që, në një farë kuptimi është një vizion i djathtë, që u zhvillua në SHBA shumë më tepër se në Evropë edhe si një përgjigje ndaj komunizmit. Ajo e ve theksin tek mundësia e pakufizuar e çdo individi për të kërkuar suksesin, e që në interpretimin e kohës ku jetojmë do të thotë mbi të gjitha, nëse jo tërësisht, sukses ekonomik. Në kontekstin e globalizmit e të mbijetesës në konkurrencën globale në shumë vende të Evropës ka pasur reforma që gjithnjë e më shumë kanë synuar afrimin me modelin amerikan. Mendoj se është mirë të njihet se këto reforma janë kontestuar nga e majta evropiane mbi idenë se ëndrra amerikane përqendrohet shumë në progresin material personal dhe preokupohet shumë pak në mirëqënien e përgjithshme të njerëzimit. Jeremy Rifkin, një amerikan i majtë që i ka kritikuar këto tencenda duke bërë thirrje për një „ëndërr evropiane“ që duhet ngritur mbi një traditë të vlerave të së majtës e të shtetit social e konsieron të pamjaftueshme ëndrrën amerikane në këtë botë të karakterizuar nga rreziku, nga diversiteti, nga ndërvartësia. Përballë saj ai ve atë që e quan “ëndrra evropiane“ e cila, sipas tij, ka lindur në kryqëzimin e postmodernizmit me erën emergjente të globalizimit. Duke bërë një krahasim midis ëndrrës evropiane dhe asaj amerikane ai thotë se ëndrra evropiane “...e ve theksin në marrëdhëniet komunitare më shumë sesa tek autonomia individuale, tek diversiteti kulturor më shumë sesa tek asimilimi, tek cilësia e jetës më shumë sesa tek akumulimi i pasurisë, tek zhvillimi i qëndrueshëm, që i merr parasysh të tëra gjërat më shumë sesa tek rritja e pakufizuar materiale, tek “loja e thellë” më shumë sesa tek lodhja e pafundme e punës, tek të drejtat njerëzore universale dhe ato të natyrës më shumë sesa tek e drejta e pronës, tek bashkëpunimi global më shumë sesa tek ushtrimi unilaterl i fuqisë.” Kush jeton në Shqipëri e kupton menjëherë se sa pak gjejnë jehonë në mendjen e shqiptarëve të dehur me ëndrrën amerikane idetë e Rifkin si një propozim për një të ardhme tjetër evropane i ardhur nga e majta. Konkluzion: Orientalizmi dhe euroskepticizmi (Eduart Said) Pa pretenduar kurrsesi se e kam shterruar temën, përkundrazi vetëm sa e kam cekur, dua tw konkludoj duke vënë në dukje edhe një tjetër vizion të Evropës ndër shqiptarët të pa vënë në dyshim dhe të pakritikuar. E kam fjalën për vizionin e ngulitur nga orientalizmi i cili propozon një qasje manikeiste dhe sempliste ndaj dallimeve midis Lindjes e Perëndimit sipas të cilit vizion Perëndimit i vishen cilësime pozitive, ndërsa Lindja trajtohet si “tjetri”, si e kundërta e Perëndimit. Ky vizion ka qenë pjesë e ideologjisë nacionaliste shqiptare që në kohën e Naim Frashërit e ka vazhduar edhe në periudhën komuniste duke mbetur edhe sot thuajse krejtësisht i pakritikuar. Ky është një vizion që sikurse thotë Eduard Saidi e ngurtëson përfytyrimin e dy njësive gjeografike duke i trajtuar ato si thelbësisht homogjene, johistorike, të pandryshueshme, të izolurara dhe në kundërvënie me njëra-tjetrën. Kurse, gjithë sipas tij, realitetet që përfshijnë termat Lindje dhe Perëndim janë tejet heterogjenë, historikë, të ndryshueshëm, në marrëdhënie shumëplanëshe me njëri-tjetrin dhe jo domosdoshmërisht në kundërvënie. Me anë të ligjërimit orientalist krijohet shëmbëlltyra jashtëkohore e një qytetërimi perëndimor të bazuar në arsye, shkencë, teknologji, tolerancë, laicizëm, demokraci, të drejtat e njeriut, etj. kurse Lindja paraqitet si pasqyra negative e Perëndimit, si mungesa e karakteristikave të Perëndimit. Në këtë mënyrë Lindja - një term që mund të shënojë edhe Rusinë, edhe Evropën Lindore, edhe botën arabe, botën islamike, Indinë apo Lindjen e Largët - mbetet gjithmonë e palëvizshme në një shkallë më të ulët qytetërimi, e bazuar në pasione, bestytni, misticizëm, injorancë, fanatizëm, despotizëm dhe, ç’është më e rëndësishmja, kjo Lindje përbën gjithmonë rrezik për Perëndimin. Shqiptarët e kanë ndërtuar vizionin e tyre mbi Evropën në përputhje thuajse të plotë me këtë vizion manikeist dhe konfliktual të dallimeve Lindje Perëndim. Të edukuar me këtë vizion ata kanë ushqyer shumë paragjykime raciste ndaj joevropianëve ndaj botës arabe dhe muslimane veçanërisht. Ndërkaq Shqiptarët kanë nevojë ndoshta më shumë se të tjerë ta njohin kritikën e Saidit ndaj orientalizmit sepse janë edhe vetë një popull që nën këndvështrimin e orientalistëve evropianë konsiderohen si lindorë dhe shumicë muslimane dhe jo si perëndimorë. E për më tepër sepse ata sot janë popull emigrantësh. Në kuadrin e dyshimit dhe qëndrimit kritik ndaj vizionit orientalist të Evropës do të doja të përmendjamë, për ta mbyllur, dekonstruktimin që i bën Derrida konceptit të tolerancës që i atribuohet Evropës si një nga vlerat e saj kryesore që e dallojnë nga Lindja. Ai e konsideron atë një koncept me origjinë fetare, si një koncept që presupozon ekzistencën e një superiori që i ve një prag një inferiori të cilin e toleron deri në atë prag si dhe një koncept që ka edhe elementin biologjik të asimilimit brenda, pra që nënkupton asimilimin e kulturave të emigrantëve nga kultura evropiane. Derrida propozon që Evropa ka si sfidë të fundit të saj “mikpritjen e pakushtëzuar” me çka kupton pranimin e tjetrit të ndryshëm me kulturën e tij. Besoj se vlen dyfish për shqiptarët ky vështrim kritik, sepse midis shqiptarëve ka një prirje shumë të fortë për ta kuptuar integrimin në Evropë si një pranim të pakushtëzuar të asimilimit, si për të hequr damkën lindore që ata mendojnë se kanë. [*] Fatos Lubonja ёshtё publicist, shkrimtar dhe analist i njohur nё shtypin shqiptar. Ai ёshtё gjithashtu botues dhe kryeredaktor i revistёs “Pёrpjekja”. Ai ka botur njё sёrё librash, studimesh dhe komentesh mbi komunizmin shqiptar, situatёn politike, demokracinё dhe tranzicionin shqiptar.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 7 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 97 |
![]() | Dje | 269 |
![]() | Kete jave | 97 |
![]() | Javen e shkuar | 1628 |
![]() | Kete muaj | 1302 |
![]() | Muajin e shkuar | 5624 |
![]() | Gjithe vizitat | 133017 |
We have: 7 guests online
Your IP: 38.107.179.221
,
Today: Feb 06, 2012
Your IP: 38.107.179.221
,
Today: Feb 06, 2012










