Analiza e Analistëve: Shënime për një Sociologji Kritike të Rolit të Analistit PDF Print E-mail

 

 Besnik Pula

Në Shqipëri tashmë është etabluar profesioni i “analistit politik”, mirëpo mbetet për t’u themeluar akoma kritika ideologjike dhe sociale e premisave mbi të cilat analistët ndërtojnë analizat e tyre. Kjo analizë e analistëve, një analizë sociale e aktivitetit të analistit që duhet të bëhet paralelisht me analizën e produkteve të tyre ideologjike, përbën njëkohësisht bazën për ndërtimin e një kritike të ideologjisë, kritikën e doksës dominante mbi të cilën është ndërtuar hegjemonia e re politike. E në këtë gërshetim strukturash analisti, zëri i të cilit paraqitet si i privilegjuar në komentimin e ngjarjeve politike, zë një pozicion të veçantë.

Ky pozicion përkufizohet pikërisht nga roli kontradiktor që luan analisti në raport me fushën politike, atë gazetareske dhe atë intelektuale.[1] Analisti nuk është politikan, mirëpo ai merret me politikën. Analisti nuk është intelektual, mirëpo ai kultivon imazhin e vetes si të tillë. Analisti ngarkohet me më pak punë sesa gazetari, mirëpo statusi social i tij është më i lartë se ai i gazetarit, ndonëse formalisht i përkasin të të njëjtës fushë. Dhe analisti, ndërsa përpiqet ta paraqesë zërin e një “qytetari të thjeshtë”, nuk është fare i tillë. Pozicioni që gëzon analisti është pasojë e “privilegjeve” të akumuluara shoqërore, në radhë të parë një akumulim i caktuar i kapitalit kulturor dhe shoqëror nga të cilët janë privuar kategori të tëra shoqërore, dhe jo një pozicion shoqëror që ai e okupon si pasojë e rrethanave dhe rastësisë.[2] Analisti flet “në emër të publikut” ose “për interesin e publikut” vetëm pasi të jetë arritur shkëputja e tij nga eksperienca sociale e mesatares së publikut, pasi ai të jetë ngritur në rangun e një publicisti me të drejtë fjale, autoriteti i të cilit autorizohet nga instancat dominante të sferës publike (redaksitë, pronarët e mediumeve etj.).

Aktiviteti kryesor i analistit është polemika, ndërsa mediat janë arena kryesore e realizimit të aktivitetit polemizues.[3] Çdo gazetë sot ka një seksion të veçantë për “analizën” (faqet e rezervuara për editoriale dhe opinione), ndërkohë që në treg ekzistojnë publikime të veçanta që mision qëndror kanë botimin e polemikave, të kuptuar si një zhanër i veçantë shkrimi autorial i cili objekt ka komentimin dhe gjykimin e ngjarjeve politike, dhe si pasojë, marrjen e një pozicioni politik nga autori. Edhe në televizion, përkundër asaj që zhanri i prezantimit të editorialeve redaksionale gjatë programit të lajmeve ka dalë mode, formati i emisioneve polemizuese, me një apo më tepër të ftuar, është i pranishëm kudo. Në rastin e emisioneve televizive polemizuese mund të përjashtohen rastet kur në këto emisione ftohen politikanë – interesi i politikanit është tjetër nga interesi i polemizuesve jo-politikanë, pasi investimet dhe interesi që ata kanë në fushën politike dhe mediatike janë krejt të ndryshme. Objekt i këtij shkrimi janë këta të fundit, pasi politikanët polemizojnë njëri me tjetrin dhe kështu pozicionohen politikisht njëri karshi tjetrit dhe karshi pushtetit, ndërsa polemizuesit jo-politikanë polemizojnë me politikanët pa qenë vetë të tillë.

Një sociologji e fushës së polemikës, si një nënfushë e veçantë e aktivitetit gazetaresk do të nxirrte në shesh objektivitetin e polemikës si aktivitet, duke ekzaminuar në radhë të parë raportin e forcave simbolike (të repertuareve zakonisht të pabarabarta retorike, kulturore, biografike, institucionale dhe politike të cilat mund të mobilizohen dhe vihen në përdorim nga polemizuesi) midis polemizuesve dhe aktorëve në fushën politike, midis tyre dhe gazetarëve, dhe midis polemizuesve të ndryshëm. Si aktivitet intelektual, objekt themelor i polemikës është kapja (sado momentale) e monopolit mbi definimin objektiv të “realitetit politik” dhe, si hap i dytë, dhënia e “diagnozave” dhe “analizave” që shpjegojnë raportet shkak-pasojë në fushën politike. Në esencë, kuptimi i problemeve politike ka të bëjë me zbulimin e defekteve morale dhe kulturore që i dalin në rrugë projektit (për çfarë besohet të ekzistojë një konsensus i përgjithshëm shoqëror) që thërret në veprim fuqinë e shtetit që të transformojë strukturat shoqërore që pengojnë lëvizjen drejt arritjes së synimeve kolektive, synime që zakonisht identifikohen nga terma jo gjithmonë përmbajtësorë por me një efikasitet të jashtëzakonshëm simbolik (p.sh. "evropianizimi", "demokratizimi", "tranzicioni", "integrimi", "sundimi i ligjit" etj.).

Në veprimtarinë e tij polemizuese, analisti gëzon një pozicion të veçantë brenda fushës gazetareske dhe asaj politike. Ky pozicion është i veçantë pasi për analistin, aktiviteti polemizues nuk është një aktivitet i përkohshëm apo i rastit, por një një aktivitet profesional, në kuptimin e një aktiviteti që ushtrohet rregullisht dhe kundrejt një shpërblimi financiar (honorarit apo, në rast më të privilegjuar, rrogës). Në krahasim me gazetarin, e drejta e të cilit kufizohet në pretendimin për paraqitjen objektive të ngjarjeve dhe fakteve, analistit i jepet liçensa e veçantë për shtjellimin e një metadiskursi politik (që do të thotë se përmes këtij diskursi analisti pretendon të vendoset mbi politikën), të interpretimit të ngjarjeve në fushën politike dhe shtruarjen e tyre në një plan moral, e vlerësimit të tyre në raport me “interesat jetike”, “aspiratat historike”, “vlerat themelore” apo “qëllimin përfundimtar” të bashkësisë së gjerë politike, siç interpretohen ato nga analisti. Në këtë rol, analisti evokon parimet etike të fushës politike, duke e mbivendosur moralin publik si bazë e akteve politike, një privilegj nga i cili politikani është i privuar për shkak të balancimit të vazhdueshëm që ai apo ajo duhet të bëjë duke konstruktuar barazvlera midis interesave të veçanta dhe potencialisht kontradiktore të grupeve të ndryshme të interesit dhe, si pasojë, duke ndërmarrë veprime domosdoshmërisht të (një)anshme.

 

Analisti si aspirant për rolin e intelektualit

 

Ajo që është fasinuese për kontekstin post-socialist, është fakti që roli publik i analistit ka marrë përmasa të tilla që ai pothuaj ka zëvendësuar rolin që dikur rezervohej për intelektualët (një zhvillim që ka paralelet e veta edhe në vendet perëndimore, ku intelektuali e ka gjithnjë e më të vështirë paraqitjen në sferën e gjerë publike). Për këta të fundit, marrja e së drejtës për dhënien e fjalës publike fitohet vetëm pas akumulimit të autoritetit përmes punës shkencore apo artistike, e tillë që vlerësohet në bazë të kritereve të fushave të specializuara të krijimtarisë intelektuale, që në kushtet ideale, kanë një shkallë të caktuar autonomie dhe distance nga fusha politike dhe ajo ekonomike. Në qoftë se marrim për bazë përkufizimin elementar të intelektualit të angazhuar publik, sic e e ka dhënë Sartri, si personi i cili merr përsipër përgjegjësinë e marrjes së qëndrimeve publike me karakter politik, por pa hequr dorë tërësisht nga aktiviteti artistik (p.sh. letërsia) apo shkencor (p.sh. hulumtimi), atëherë shohim se si analisti i sotëm është i liruar tërësisht nga barra e dëshmisë së punës intelektuale karshi një audience të specializuar specialistesh (atë të kritikëve të krijimtarisë artistike apo të komunitetit shkencor). Në vend të kësaj, kemi një proces në dukje mistik, që analistit i lejon pozicionimin si intelektual, por jo në mënyrën e mundimshme të ngritjes në hierarkinë e gradave të sanksionuara nga sistemi arsimor, sepse analisti arrin deri te marrja legjitime e fjalës publike duke anashkaluar autoritetin e sistemit të lartë arsimor (gjithsesi jo plotësisht, meqë edhe analisti ndjen nevojën e legjitimimit të diskursit të tij duke u mbështetur në grada universitare). Bazament i këtij ndryshimi historik nuk është ndonjë aftësi e veçantë personale e analistit, por oportunitetet e krijuara si pasojë e ndryshimeve të thella në strukturën e institucioneve mediatike (me thyerjen e monopolit shtetëror mbi prodhimin mediatik dhe formimin e tregut mediatik) dhe në delegjitimimin e prodhimtarisë intelektuale për shkak të implikimit të një pjese të madhe të saj me regjimin e vjetër. Në vend të punës për prodhimin e njohurisë shkencore (çfarë mund të jetë puna e shkencëtarit), apo e krijimtarisë artistike (sikur e shkrimtarit apo artistit), apo të informatës (siç është puna e gazetarit), aktiviteti i analistit përqëndrohet në radhë të parë në polemikën, pra, në ruajtjen e një qëndrimi polemizues karshi ngjarjeve politike, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Karshi intelektualit që pretendon dije të specializuar, dhe i cili mund të mobilizojë në mbështetje të aktivitetit polemizues autoritetin shkencor, analisti pretendon një pozicion monopolizues të njohurisë specifikisht politike, e cila, sipas rregullave të fushës gazetareske, ka të bëjë kryesisht me zotërimin e kapitalit informacional, të njohjes së zhvillimeve më të fundit në qarqet politike, sidomos ngjarjet e “mbrapaskenës” të cilat analisti, përkundrejt gazetarit, gëzon legjitimitetin e transmetimit. Mirëpo, analisti nuk mund t'i ikë raportit të dominuar që ai ka karshi fushës intelektuale, sespse bazë e gjykimeve të ngjarjeve politike dhe tentativës për të ndërhyrë në debatin politik të momentit (qoftë ai dënimi i “korrupsionit” apo denoncimi i një akti politik si dhunues i “vlerave demokratike”), janë gjithmonë kutet morale dhe ideologjike të përvetësuara  nga fusha intelektuale, me të cilën analisti gjithnjë ruan një raport të zhdrejtë.

 

Politikani pa portofol

 

Analisti në radhë të parë synon një rol politik, edhe pse pa interes të drejtëpërdrejtë politik, që e bën analistin një fetishist të politikës. Por nga aspekti social, pozicioni dukshmërisht kontradiktor i analistit, ai që gjendet, në dukje, edhe brenda edhe jashtë politikës, që është kritik ndaj politikës por gjithmonë i afërt me institucionet dhe, jo rrallë edhe me protagonistët e fushës politike, e shndërron veprimtarinë e analistit në një politikë surrogate dhe vetë analistin në një politikan surrogat – diçka që, figurativisht, mund të quhet politikan pa portofol. Kështu, raporti që analisti ka me politikën është në disa pikëpamje analog me atë të artistit në fushën artistike. Në fushën artistike konsiderohet si një artist “puro” ai që krijimtarinë e tij nuk e bën direkt për tregun, por në frymën e l'art pour l'art (artit për hir të artit), ku parimet vlerësuese i vendosin artistët e tjerë dhe kritikët e artit dhe jo shija e publikut të gjerë apo vlera komerciale e veprave.[4] Në një situatë të ngjashme gjendet edhe analisti, në raport me fushën politike. Veprimtaria e analistit ka si parim themelor një ideal të politikës që bëhet për hir të vetë politikës – politikës, kuptohet, të reduktuar në një aktivitet polemizues, një “debat” të përhershëm dhe të papërfunduar sepse është ndërtuar mbi premisa që kërkojnë që ai të jetë i papërfundueshem, një dramë e përhershme ku zhvillimet në dukje çojnë gjithmonë në përsëritjen e dramës (në këtë frymë mund të kuptohet dukuria e zakonshme e shpjegimit të realitetit post-socialist shqiptar si të një “tranzicioni” pa fund).

Nga pozicioni social, thellimi i analistit brenda strukturave politike, pa pjesëmarrje zyrtare në to, e bën atë pjesmarrës në mirëmbajtjen dhe në legjitimimin e tyre. Në esencë, analisti nuk ka si objekt analizën në kuptimin e zbërthimit të gjendjes politike, të zbulimit të relacioneve reale politike dhe të interesave shoqërore që shprehen në fushën politike (diçka që, paradoksalisht, imponon një shkëputje nga rrjedhat e fushës politikës), por ai ka analizën si mjet për arritjen e efekteve imediate politike. Kështu, roli i pretenduar si kritik dhe denoncues i politikës (p.sh. denoncuesit të “korrupsionit” të zyrtarëve dhe politikanëve të caktuar, i skandaleve të ndryshme, i kundërshtimit ose përshëndetjes së masave të caktuara etj.) përbën metodën përmes së cilës, analisti synon në radhë të parë legjitimitetin publik për veprimtarinë e tij si veprimtari që bëhet për publikun dhe në emër të tij, me analistin si përfaqësues të publikut. Për më tepër, analisti synon, përkundër pretencës për njohuri mbi mesetaren për ngjarjet e ditës në politikë, kultivimin e imazhit të tij si një “qytetar i zakonshëm”. Kjo strategji e prezantimit të vetes (Goffman 1959) arrihet kryesisht përmes formave gjuhësore që nxjerr në përdorim analisti, pra me denoncimet dhe sulmet që kryen ai kundër politikës, jo rrallë duke përdorur një “gjuhë popullore”, me një fjalë, duke denoncuar apo aplauduar politikën në mënyrën që atë do ta bënte ky i ashtuquajtur “qytetar i zakonshëm” i fantazisë ideologjike të analistit (që sidoqoftë është një konstrukt kulturor dhe jo krejt personal i analistit). Sigurisht se rreth formave të prezantimit të vetes, ekziston një rivalitet në mes të analistëve, duke e përfaqësuar veten në rangun e “ekspertit” (p.sh., ata analistë të lidhur me institute të ndryshme studimore, të cilat jo rrallë i udhëheqin vetë), kush të “intelektualit të pavarur” (analistit që vepron si një “free agent”, pa lidhje me një institucion të caktuar), kush në rangun e “njeriut popullor” (njerëz që për t’u diferencuar nga “elitistët” dhe për të maskuar pjesëmarrjen e tyre brenda elitës, theksojnë origjinën e tyre të ulët sociale, biografinë e përndjekjeve të mëherëshme etj.).

 

Zëdhënës apo zëvendës i publikut?

 

Çdo analist ndërton identitetin e vet personal dhe profesional në kundërshti me imazhin e “qytetarit indiferent”, ndërsa në këtë mënyrë analisti projekton premisat sociale dhe ideologjike të rrethit të tij social (analistë të tjerë, gazetarët, politikanët etj.) mbi gjithë shoqërinë, duke ndërtuar dhe imponuar përmes vetë formës së diskursit të tij idealin e qytetarit kritik, të qytetarit publik që është përherë në mbikqyrje të veprimtarisë së shtetit dhe i informuar mbi problemet e shoqërisë. Analisti kështu, në njëfarë mënyre, imponon veten si qytetarin ideal dhe gjuhën e tij si gjuhë ideale politike, por përmes kësaj, ai siguron se do të ngelen jashtë debatit ato segmente të shoqërisë që kanë interesa reale në vendimet e caktuara politike, por që nuk i njohin finesat e diskursit dominant politik ashtu siç i njeh analisti, pra nuk kanë “liçencë” të duhur për t’u përfshirë në debat (nuk kanë njohje të mjaftueshme të ngjarjeve politike, janë më të dobët në zotërimin e gjuhës etj.). Në të njëjtën kohë, duke ruajtur një distancë nga segmentet dhe klasat shoqërore me interesa të caktuara, dhe duke e paraqitur veten si një individ krijues (ngjashëm me një artist apo krijues intelektual), analisti afirmon pozicionin e tij si një pozicion etik dhe mbipolitik. Mirëpo pikërisht përmes refuzimit të kategorizimit të tij politik (që nuk duhet medoemos të jetë një pozicionim partiak), analisti arrin dhe efektin më të madh politik, arrin që diskursin e tij ta paraqesë si një diskurs të pastër moral, të pa-ideologjizuar dhe të pa ngarkuar politikisht, një gjuhë të pastër “vlerësuese” dhe “gjykuese”. Dhe përmes pretendimit se gjuha e tij është një gjuhë neutrale e vlerësimit dhe denoncimit, analisti krijon dhe atë iluzion të nevojshëm për ta kultivuar imazhin si përfaqësues i zërit publik. Mirëpo zëri i analistit është një zë paradoksal, sepse ai jepet në emër të publikut, por vetë analisti distancohet nga publiku dhe nga cilido sektor i organizuar shoqëror që ka interesa reale të përfaqësimit politik (p.sh. sindikatat, grupet ambientaliste, shoqatat e pronarëve apo të biznesit etj.). Me një akt të këtillë, analisti vazhdon ta kultivojë imazhin e një vëzhguesi mbi-politik, përderisa ky imazh përforcohet edhe si ego-imazh (apo ego-ideal në terminologjinë frojdiane) që i reflektohet nga roli që ai thirret ta luajë nga mediat – pra pikërisht rolin e “analistit të pavarur” që vëzhgon politikën i pa lidhur me asnjë forcë shoqërore. Kështu, analisti i bindet ideologjisë dominante mbi rolin e tij, e nuk e sheh se ky rol është në fakt efekt i strukturës, të cilës ai i përket. Përkitazi me rolet, sociologët e dinë se roli nuk është rezultat thjesht i një vetë-zgjedhjeje apo voluntarizmi të pastër, por marrje përsipër e një detyre të ngarkuar nga të tjerët, dhe veprimtaria e të cilës sanksionohet dhe legjitimohet përmes një të drejte (jo medoemos në formë legjislative) të dhënë nga kolektivi. Siç e ilustron rrëfimi legjendar i Pascal-it, Mbreti nuk sundon sepse është i dërguari i Zotit, ai sundon sepse të sunduarit besojnë se Mbreti është i dërguari i Zotit, pra, ajo që paraqitet si mandat nga Zoti është në realitet mandat nga të sunduarit për të qenë të sunduar. Roli i analistit mund të kuptohet në mënyrë analoge si një rol shoqëror, pra një rol i sanksionuar nga kolektivi (ndonëse kryesisht ai i ngushti mediatik, dhe jo nga “publiku” në kuptimin e gjerë të fjalës), rol të cilin personi i analistit ftohet për ta ekzekutuar sipas një ideal-ego-je të caktuar (të ideologjisë dominante mbi atë se çfarë duhet të bëjë një analist, të analistëve që merren si shembuj për formimin e rolit etj.). Roli, kështu, i paraprin në kohë aftësive dhe njohurive personale të analistit, në të njëjtën kohë duke ia kushtëzuar ato.

            Në konfiguracionin e sotmën institucional, në gjendjen e sotme “strategjike” në mes të fushave përmes së cilave kryhet dominimi (institucionet politike, ekonomia, mediat, të gjitha të lidhura në një qark gjithnjë e më të konsoliduar), në të cilin ekziston një ndërvarshmëri e thellë në mes të politikës dhe mediave, dhe si rrjedhojë e ekonomisë dhe politikës, roli i analistit sot është shndërruar në rol kyç për racionalizimin dhe përligjen e dominancës të strukturave politike, të legjitimimit të vendimeve të caktuara politike, të arsyetimit të përjashtimeve (shpesh të padallueshme) që bëhen në fushën politike dhe në procesin e vendimmarrjes në politikë. Analisti, që asnjëherë nuk konteston rolin që ka në riprodhimin e strukturave dhe të diskursit dominant (diskursit të prodhuar nga po ata prej të cilëve analisti synon të distancohet dhe t’i kritikojë, por nga i cili mbetët përherë në varësi), shërben jo si zëdhënës i publikut, por si zëvendës i tij. Në vend të të qenit zëdhënës i publikut karshi pushtetit, analisti në realitet funksionon si zëdhënës i pushtetit karshi publikut, pasi zëri i tij përbën mbytjen e zërit publik, mbytjen e një debati të vërtetë ku vlerë parësore ka zëri i një qytetari anonim (“të zakonshëm”, siç cilësohet në gjuhën gazetareske) dhe jo ai i një personazhi publik me detyrën e moralizimit të politikës.

            Po përse analisti është, në njëfarë mënyrë, zëdhënës i pushtetit? Meqë ka kohë që politika jonë është “de-ideologjizuar” (p.sh. politikanët nuk merren dhe nuk botojnë trakte politike, pushtetarët nuk ndjejnë obligimin e shpjegimit dhe përligjes së vendimeve të tyre para publikut, programet politike të partive nuk vlejnë si pika reference në vendimet politike, instancat ndërkombëtare, që caktojnë kahet e politikave kryesore shtetërore, trumpetojnë një ideologji në dukje të pastër teknokratike etj.), këtë mangësi të fushës politike e mbush analisti, i cili përmes diskursit të tij mbush boshllëqët ideologjike që mbetën nga veprimtaria politike e pushtetit. Këtë, analisti e arrin përmes pjesëmarrjes në ushtrimin e një “diktature të aktualitetit”, ku një ngjarje politike është e rëndësishme jo për shkak të peshës reale shoqërore që ka, por për shkak të rëndësisë që asaj i jep komuniteti auto-referencial i organizatave mediatike, i centralizuar siç është në hapësirën gjeografike (duke qenë tërësisht i përqëndruar në kryeqytet) por edhe në hapësirën sociale (duke qenë i afërt dhe duke kultivuar marrëdhënie me strukturat politike që pretendon t’i vëzhgojë në mënyrë kritike, duke qenë i hapur për lëvizje kuadrosh nga një organizatë mediatike në tjetrën, por edhe nga organizatat mediatike në politikë dhe anasjelltas). Analisti që devijon nga kjo normë e fetishizimit të ngjarjes më të re politike dhe nuk pranon t’i nënshtrohet mendimit të tufës (group think) që ai detyron, sanksionohet nga vetë bashkësia mediatike, në radhë të parë duke u përjashtuar nga privilegji i fjalës publike që ajo ia jep. Në të njëjtën kohë, kjo formë disiplinimi shoqëror siguron që “zëri heretik”, ai që mund të marrë analisti karshi zhvillimeve të caktuara, mbetet gjithmonë i parashikueshëm (dhe, deri dikund, i kontrollueshëm), duke e lënë atë të veprojë si një zëvendësim për herezinë e vërtetë politike, atë që Agamben (2005) do ta quante një akt të vërtetë politik.

 

Fig. 1. Skema e dikotomive themelore që organizojnë diskursin e analistit. Kjo skemë dikotomish bëhet efikase kur i mbivendoset një kahjeje imagjinare kohore që duhet ta ketë “tranzicioni” i Shqipërisë, ndërsa ky tranzicion përshkruhet nga analistët të ketë ngecur në një pikë të palëvizshme, ashtu që skema ekzistuese e dikotomive bëhet përherë valide dhe asnjëherë e tejkalueshme.

 

 

 

Struktura formale e diskursit të analistit

 

Diskursi standard që vihet në përdorim nga analistët ndërtohet mbi një sërë dikotomish përjashtuese me një efikasitet të fuqishëm simbolik (shih fig. 1). Siç dëshmon Sulstarova (2006), këto dikotomi kanë një histori të gjatë në diskursin politik dhe kulturor shqiptar, gjë që shpjegon edhe qëndrueshmërinë e tyre dhe forcën retorike që ato kanë edhe sot (dhe duke qenë në radhë të parë një retoricien, analisti duhet të mobilizojë mjetet retorike që prodhojnë efektetet më të fuqishme te lexuesi – prandaj dhe dikotomizimi i ekstremeve është një strategji normale). Ndërkaq, termi që mbulon në formë gjithpërfshirëse gjithë periudhën historike nga përmbysja e regjimit komunist është ai i “tranzicionit”, një tranzicion që ka një fillim por fundi i të cilit duket pothuaj përherë i paarritshëm. Pikërisht për këtë arsye, tranzicioni duket gjithmonë të ketë ngecur në një pikë (përkundër kalimit të kohës), ngecje që shënohen nga kriza apo skandali i radhës që ka mbërthyer skenën politike. Në këtë mënyrë, ngelja e realitetit politik midis dy pikave të pabashkueshme i jep efikasitet simbolik skemave dikotomike, sepse efekti simbolik i shënjuesve është më i fuqishmi kur ato ngelin në nivelin e dëshirës, e aspiratës, e jo në shënjimin e një realiteti konkret. Siç thotë Lacan, paradoksi i dëshirës është se synon jo arritjen e një objekti, por riprodhimin e vetes – pra objekti i dëshirës duhet, në një mënyrë, të jetë i paarritshëm. Rrjedhimisht, sikur Shqipëria vërtetë të bëhej perëndimore, kosmopolitane, moderne, “evropiane” etj., nuk do t’i ngelej asnjë aspiratë, asnjë raison d’être. Logjika e dëshirës është mekanizmi tjetër që siguron efikasitetin e strukturës së dikotomive të përshkruara më sipër – ato, në ekzistencën e tyre diskursive, përbëjnë domosdoshmërisht një ecje në rreth, të domosdoshme sepse mundësojnë shmangien e një krize ekzistencialiste në të cilën do të cilën do të futej e gjithë shoqëria.

Në të njëjtën kohë, për analistin, pika e referencës nuk është realiteti i vërtetë social, por një model ideal i sistemit politik që ai ka parasysh, që po të ndiqej me përpikmëri nga aktorët politikë, nuk do të prodhonte fërkimet e vazhdueshme që vëzhgohen në fushën politike. Edhe ky sistem ideal politik, nuk është ndonjë model i caktuar teorik që ka parasysh analisti (një koncept i artikuluar mbi demokracinë liberale etj.), por zakonisht mbështetet mbi thirrjet që kanë për referencë Perëndimin, atje ku, të krijohet përshtypja se as muti s’ka erë, meqë gjithçka funksionon sipas parashikimit, sipas planit dhe kontrollit të përkryer që ushtron pushteti mbi shoqërinë dhe anasjelltas. Kjo thirrje “në Perëndimin”, apo, thënë më saktë, “në Tjetrin”, është veçse një zëvendësim për vlerësimin e vërtetë kritik të situatës, duke ilustruar se ajo që plaset nëpër media nën firmën e “analizës” është, në radhë të parë, një konstrukt formulaik. Kjo formulë në instancë të fundit mbështetet mbi justifikimin, e ndërtuar më shumë mbi një fantazi ideologjike se sa në një njohje empirike, se “atje [pra, në Perëndim] nuk bëhet kështu” dhe kjo shërben si argumenti përfundimtar se ngjarjet apo praktikat në Shqipëri kanë trajtë të papranueshme.

Në anën tjetër, papërmirësueshmëria e pushtetit, skandalet dhe abuzimet që vëren analisti, nuk merren si probleme politike, por si çështje që kërkojnë racionalizime dhe interpretime të një rendi tjetër. Dhe në këto raste problemet zakonisht paraqiten si probleme me burime kulturore (shih figurën 2). Momenti i kalimit në rrafshin e shpjegimeve kulturore përbën edhe fundin e “analizës politike”, ngaqë rrafshi kulturor, i papërcaktushëm dhe amorf nga pikëpamja teorike, i konstituuar nga një pseudo-antropologji mbi esencën e “qenies shqiptare” (“identitetit” në gjuhën e diskursit dominant), shërben si një repertoar që përmban instrumente që mund të vihen në përdorim për të shpjeguar çdo dukuri (shih figurën 2). Nuk është çudi atëherë që denoncimi më i fuqishëm i politikës është pikërisht denoncimi kulturor, denoncim i një kulture që besohet ta ngërthejë politikën dhe të jetë elementi përbërës themelor i saj. Në një perversion të çuditshëm të marksizmit ortodoks, në të cilën ekonomia përbën strukturën mbi të cilën ndërtohet superstruktura e institucioneve politike, analisti kulturor sheh të keqen tek struktura kulturore e cila shihet si përgjegjëse për prodhimin e imperfeksioneve në superstrukturën politike. Si pasojë, edhe debatet më të ashpra lidhen pikërisht me problematikën e kulturës (si nocion i gjerë), e arritur kjo përmes abstraktimit të kulturës si një entitet i veçantë nga politika, thuase kemi të bëjmë me dy objekte të ndryshme, e jo një dallim historik në mes të instancave ose fushave të ndryshme, dallimi në mes të cilave është vetëvetiu një produkt historik i pushtetit (‘pouvoir’ në kuptimin Foucault-ian të termit). Dhe kjo është arsyeja pse debatet kulturore shpesh arrijnë në pikën e ripërtërirjes së modeleve totalitare të mendimit, me gjithë kontradiktat e tyre – politika e keqe është produkt i kulturës së keqe, e për ndreqjen e kulturës së keqe kërkohet ndërhyrja politike. Qarku ideologjik kështu i afrohet strukturës formale të fashizmit, i cili kërkon një Sundimtar të Fortë që me vullnetin e tij të çeliktë të kthejë gjërat në vend të vet.

Fig. 2. Raporti standard kauzal që shfaqet në diskursin e analistit. Ky raport bazohet mbi ndarjen klasike platonike të rrafshit të shfaqjeve (fenomenon) dhe atij të shkaqeve (noumenon), që në diskursin e analistit merren si të barazvlefshme me rrafshin e kulturës dhe të politikës. Në këtë konceptim, që përbën premisën gjysëm të vetëdijshme apo edhe të pavetëdijshme teorike mbi të cilën ndërtohet diskursi i analistit, kultura funksionon si një substrat mbi të cilën ndërtohet ngrehina politike, prandaj edhe shkaqet fundamentale gjithmonë i përkasin rrafshit të kulturës. Në të njëjtën kohë, edhe forca e denoncimit ndjek në drejtim të kundërt vijën e kauzalitetit – sa më të thella shkaqet, aq më i fuqishëm është denoncimi që analisti ia bën situatës. Për ta siguruar forcën e denoncimit, denoncimet kulturore shpesh ndiqen edhe me përfshirjen e vetë analistit në denoncim (“ne jemi të këtillë”, “ne nuk meritojmë më mirë” etj.), ku analisti nuk ngurron që në emër të saktësisë dhe gjithpërfshirësisë së “analizës” të shpreh edhe vetë-urrejtje.

 

 

Diskursi histerik dhe kërkesa e Tjetrit

 

            Pozicioni ortodoks – dhe, si pasojë, konservator – i cili adopton analisti i imponohet atij, nganjëherë pavarësisht dëshirave të tij. Analisti, si çdo autor tjetër, nuk e thotë “atë që dëshiron”, apo në një rrafsh ku dëshira e tij realizohet në mënyrë krejtësisht karteziane dhe autonome. Diskursi i analistit nuk ka referenca arbitrare dhe krejt subjektive por objektive dhe ndërsubjektive, ai i referohet një “realiteti politik” jashtë vetes së tij, realitet i cili vihet para interpretimit të analistit dhe që ai i jep kuptim përmes aktit interpretues. Dhe këtë interpretim ai ia ofron një lexuesi ose dëgjuesi, një konsumatori të veprës së tij. E kjo domethënë se analisti gjithmonë shkruan për kënaqësinë e një Tjetri, simpatinë dhe pranimin e të cilit e synon, mbase edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Diskursi i analistit kështu i ngjan diskursit të histerikut (siç e përkufizon atë Lacan), pasi që analisti, sikur histeriku, e ofron veten si objekt për kënaqësinë e Tjetrit, apo, më saktë, e ofron diskursin e tij si objekt për kënaqësinë e Tjetrit. Në diskursin e tij ai projekton Tjetrin, lexuesin dhe konsumatorin e produktit ideologjik të tij, nevojën për dije politike të të cilit ai do ta plotësojë me diskursin e tij. Siç argumenton Fink (1995), një veçori e neurozës sipas interpretimit lacanian është pikërisht ajo se neurotiku ngatërron dëshirën e Tjetrit me kërkesën e tij. Analisti kështu nuk shkruan e thotë “atë që dëshiron”, por, paradoksalisht, atë që Tjetri kërkon nga ai.* Siç shkruan Zizek: “përkitazi me çdo ‘luajtje të rolit’, pyetja është: për kë subjekti po e luan këtë rol? Soditja e cilit merret parasysh kur subjekti identifikon veten me një imazh? Kjo zbraztësi midis mënyrës që unë shoh veten dhe pika nga e cila shikohem për të qenë i pëlqyeshëm për veten është kyçe për kuptimin e histerisë” (1989:106). Dëshira e analistit kështu është që veten ta shoh si të pëlqyeshëm nga lexuesi/dëgjuesi, i cili në esencë mbetet një konstrukt i fantazisë së analistit dhe jo një person konkret empirik.

            Dhe pikërisht përmes konstruktimit të këtij konsumatori si një subjekt të padijshëm, atë figurë stereotipike injorante dhe të pashije që duhet të përfaqësojë “popullin” (kuptohet, shënjuesi “popull” gjithmonë përdorët për të aluduar në shtresat më të ulta shoqërore), analisti mbron veten nga paraqitja e vetes si i dalur nga normat e përgjithshme politike, ato norma të cilat garantohen nga ekzistenca e po këtij Tjetri.[ii] Ky Tjetri i padijshëm, i pashije dhe konservator i fantazisë ideologjike të analistit (përfaqësuesi i “popullit”, konsumator i produktit ideologjik të analistit) kështu paradoksalisht ia imponon analistit kufijtë e gjuhës së tij, sepse analisti, për të arritur efektin e dëshiruar retorik, pohon qëndrimin e tij në pritje të reagimeve të Tjetrit, duke i paramenduar dhe llogaritur ato reagime paraprakisht në regjistrin e tij imagjinar. Gjuha e analistit kështu kufizohet nga Tjetri, me një fjalë, Tjetri ia imponon kufijtë e diskursit, normat e saj të patejkalueshme, norma që në vetëvete bëhen të padiskutueshme. Ndërkaq, këto norma përcaktojnë kufijtë e diskursit analitik mbi politikën, apo, nëse mbështetemi në terminologjinë e Bourdieu-s, doksën e saj klasifikuese – pozicionet ortodokse dhe heterodokse në fushën politike, pozicionet konservatore dhe heretike, një diskurs i mbyllur ku intervenimet nga jashtë janë cënuese dhe të papranueshme.

Larg të qenit një autor origjinal, vetë kushtet e pjesëmarrjes në aktivitetin që ai bën e detyrojnë analistin që të jetë i varur nga strukturat dominante diskursive dhe kategoritë formale të mendimit që imponojnë ato, sepse ai i përdor ato në konstruktimin e diskursit të tij, e siç dihet, kategoritë dhe konceptet e mendimit (siç janë ato të pashmangshmet e kohës sonë, p.sh. “demokracia”, “korrupsioni”, “Evropa” etj.) nuk janë struktura neutrale gjuhësore, ato mendojnë të menduarën për subjektin, apo, thënë më shkurt, ato ia sigurojnë subjektit rehatinë e konformizmit dhe të mosmenduarit. Me përdorimin e lirshëm të kategorive dominante nga analisti, kategori që merren si të mirëqena, të natyrshme dhe transparente, lexuesi ftohet për të marrë pjesë në një ritual ku do të konfirmojë paragjykimet e veta mbi ndodhitë dhe kahjen e gjërave dhe viktimizimin e pashmangshëm që ato prodhojnë. Dhe pikërisht këtu qëndron konservatorizmi radikal i analistit – jo te diskursi i manifestuar i tij, te përmbajtja formale e tij (qëndrimet politike që merr etj.), por në riprodhimin jokritik të kategorive të mendimit që janë produkte të vetë strukturave të pushtetit. Analisti, ai që paraqitet në rolin e kritikut më të madh të pushtetit, kështu paradoksalisht bëhet operatori më efikas i hegjemonisë së tij.

 

 

 

Bibliografia

 

Agamben, Giorgio. 2005. State of Exception. Chicago: University of Chicago Press.

 

Bourdieu, Pierre. 1984. Distinction: A Social Critique of the Judgment of Taste. Cambridge: Harvard University Press.

 

Bourdieu, Pierre. 1985. “The Genesis of the Concepts of Habitus and Field.” Sociocriticism, Vol. 2, Nr. 2, fq. 11-24.

 

Bourdieu, Pierre. 1993a. “Some Properties of Fields,” në Bourdieu, Sociology in Question. London: Sage Publications.

 

Bourdieu, Pierre. 1993b. The Field of Cultural Production. New York: Columbia University Press.

 

Bourdieu, Pierre. 2001. “Forms of Capital,” në Mark Granovetter dhe Richard Swedberg, editorë, The Sociology of Economic Life. Boulder: Westview Press.

 

Fink, Bruce. 1995. The Lacanian Subject. Princeton: Princeton University Press.

 

Goffman, Erving. 1959. The Presentation of Self in Everyday Life. Garden City, NY: Doubleday.

 

Sulstarova, Enis. 2006. Arratisje nga lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadare. Tiranë: Botimet Dudaj.

 

Zizek, Slavoj. 1989. The Sublime Object of Ideology. New York: Verso.

 

 

[i]Besnik Pula është kandidat për gradën doktor pranë Departamentit të  Sociologjisë të Universitetit të Miçiganit (SHBA). Ka mbaruar MA në  shkencat politike dhe studimet evro-lindore në Universitetin  Georgetown kurse ka diplomuar në shkencat politike në City University  of New York, SHBA. Interesimet e tij studimore lidhen me  kolonializmin, nacionalizmin dhe sociologjinë e dijes. Studimi i tij  i doktoraturës është mbi shtetformimin në Shqipëri në periudhën  1919-1939, punim për të cilin po bën hulumtime arkivore pranë Arkivit  Qendror të Shtetit në Tiranë me mbështetjen e bursave Fulbright-Hays  dhe IREX.

 

* Pikërisht sikur në formulën Lacaniane a <> /A, objekti [a] që jepet si pasojë e kërkesës së Tjetrit [A/], në formën se si histeriku i nënshtrohet Tjetrit.

[ii] Ky është Tjetri i Madh, që Lacani e simbolizon me shënjuesin e fallusit [Φ], si garantor i kuptimit gjuhësor dhe i rendit simbolik.

Shënime

 

[1] Përdorimi i termit “fushë” këtu bëhet sipas përkufizimit specifik që ia jep këtij termi Bourdieu. Çdo fushë ndërtohet në raport me një habitus të veçantë, ndërsa fushat përkufizohen nga një formë specifike e kapitalit të cilat mbartin, zakonisht në shkallë të pabarabarta, pjesëtarët e fushës. Fushat kështu organizohen rreth disa parimeve të caktuara, janë hierarkike dhe njëkohësisht kanë raporte të drejta ose të zhdrejta me fusha të tjera. Shih Bourdieu (1985) dhe Bourdieu (1993a)

[2] Për konceptin e kapitalit social dhe kapitalit kulturor (forma të veçanta që dallojnë nga forma klasike e kapitalit ekonomik), shih Bourdieu (2001) dhe Bourdieu (1984).

[3] Vlen të përkujtohet në këtë rast kuptimi burimor i fjalës “polemikë”, që rrjedh nga fjala e greqishtës së vjetër polemos, domethënia e së cilës është luftë. Analisti mund të kuptohet kështu si një figurë që është në luftë të përhershme me fushën politike, jo në kuptimin e luftës politike që bëjnë aktorët e fushës politike (ku lufta politike është mjet për qëllime të caktuara që ndjekin protagonistët e fushës politike), por ku lufta dhe konfrontimi është qëllim në vete.

[4] Për organizimin e fushës artistike shih studimin e Bourdieu (1993b).

 
e bene
mod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_counter
mod_vvisit_counterSot98
mod_vvisit_counterDje269
mod_vvisit_counterKete jave98
mod_vvisit_counterJaven e shkuar1628
mod_vvisit_counterKete muaj1303
mod_vvisit_counterMuajin e shkuar5624
mod_vvisit_counterGjithe vizitat133018

We have: 5 guests online
Your IP: 38.107.179.224
 , 
Today: Feb 06, 2012