Demokracia nga Populli dhe Zgjerimi i BE-së PDF Print E-mail

Peter Mair

 

Në Qershor të vitit 2001, për habinë e opinionit vendas dhe ndërkombëtar, votuesit irlandezë nuk e miratuan Traktatin e Nisës i cili formalizonte përshtatjen institucionale të zgjerimit. Si rrjedhojë, Traktati u ndal që në hapat e parë. Rregullat e Bashkimit parashikojnë ratifikimin e traktateve nga të gjitha shtetet anëtare, dhe sikur qoftë edhe njëri nga të pesëmbëdhjetët të thotë jo, procesi ngrin. Për t’u siguruar, irlandezëve iu kërkua ta ratifikonin përsëri Traktatin, në Tetor të vitit 2002, dhe kësaj rradhe, fushata në mbështetje të traktatit ishte më intensive dhe më e kushtueshme. Madje ishte dhe më bindëse, dhe më në fund votuesit irlandeze thanë po, duke i hapur rrugën për më tej Traktatit të Nicës.


Pavarësisht se Irlandezët ndryshuan mendje, ia vlen të kujtosh se si ia dolën mbanë ta bllokonin Traktatin e Nicës në fazën e parë. Vendimi erdhi si rezultat i një referendumi i cili u karakterizua nga një pjesëmarrje e ulët dhe nga një rezultat shumë i ngushtë kundër traktatit. Më pak se 1 milion njerëz votuan, ose më pak se 35% e elektoratit votues, dhe nga këta, më shumë se gjysëm milioni (529 478 votues për të qenë të saktë) votuan kundër. Shumica kundër Nicës ishte 76 017 vota. Kjo ishte më pak se 8% e totalit të votave dhe më pak se 3% e elektoratit irlandez që u shfaq shumë pasiv.

Në një vështrim të parë, kjo duket një mënyrë absurde për t’iu përqasur gjërave. Sot në BE ka pothuajse 300 milion votues, dhe për më tepër vetëm 529 478 prej tyre, 0.2 përqind e gjithë elektoratit të BE-së, ia doli mbanë ta bllokonte këtë traktat të rëndësishëm dhe si rrjedhojë të bllokonte shumë nga elementët formalë të procesit të zgjerimit. Zgjerimi, me të paktën 10 demokraci të reja, i BE-së ekzituese u kërcënua në këtë mënyrë nga ajo çka mund të ishte një kapriçio e më pak se gjysëm milioni e elektoratit të sotëm të BE-së.

Nëse ndalemi për një moment, kuptohet se nuk është ky absurditeti i situatës. Ajo çka është me të vërtetë goditëse në lidhje me të gjithë situatën në fjalë nuk është fakti se si aq pak votues arritën të bllokonin Nisën, sesa se si këta pak votues të BE-së në këtë rast vetëm Irlandezët, u pyetën në lidhje me Nisën.

Në një vështrim të parë, duket sikur në BE-në e sotme ka shumë pak vend për demokracinë nga populli. Pra, duket sikur nuk ka asnjë moment gjatë vazhdimësisë së proceseve të vendimmarrjes-dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me Kushtetutën dhe politikat në lidhje me formën e Bashkimit, në të cilën votuesit gëzojnë një votë vendosëse. Traktati i rëndësishëm i Maanstricht-it dhe realizimi i tregut unik u arritën me një minimum këshillimesh elektorale. Adoptimi i një monedhe të vetme dhe krijimi i një Banke Europiane Qëndrore të një pavarësie të një lloji të veçantë, kërkuan një përfshirje popullore edhe më të paktë. Nisa, ashtu siç dihet tashmë, kërkoi miratimin popullor vetëm në Irlandë.

Mes shteteve kandidate për anëtarësim në BE, ka shumë pak vend për demokracinë nga populli. Sigurisht, secili nga këto vende që kandidon për anëtarësinë në Bashkim, duhet që së pari ta shtrojë çështjen në referendum, ndoshta këshillues në formë por detyrues në përmbajtje, pikërisht në të njëjtën mënyrë sesi kanë vepruar shtetet e tjera në zgjerimet e mëparshme. Por ndoshta ia vlen te theksohet në këtë fazë të hershme se nëse negociatat për anëtarësim janë të suksesshme, dhe nëse vendimi miratohet me referendum, atëherë kjo mund te jetë mundësia e fundit për këto demokraci të reja për të grishur kontrollin demokratik nga populli në çështje që kanë të bëjnë me natyrën e Bashkimit Europian. Vendimi për t’u anëtarësuar mund të ketë ardhur si rrjedhojë demokratike, kështu që përgjegjësia i bie t’u mbetet elitave.

Sigurisht, lajmet mbi demokracinë në BE nuk janë dhe aq të këqija. Demokracia nga populli mund të kufizohet, por ashtu siç theksojnë gjithmonë avokatët e Bashkimit, ka gjithsesi vend mjaftueshëm për një lloj demokracie ”konstitucionale” apo ”Medisoniane”.  Populli europian (ose popujt) mund të mos e kenë aftësinë për të mbajtur nën kontroll institucionet europiane dhe mekanizmat vendimmarrese, po kjo kompensohet më së miri nga aftësia e vetë institucioneve për të ushtruar kontroll mbi njëri-tjetrin. Ambicjes në Europe i përgjigjet gjithmonë ambicja, dhe vendimmarrjes bashkëvendimmarrja përsa kohë që Parlamenti ushtron kontroll mbi Këshillin, Këshilli ushtron kontroll mbi Komisionin dhe Gjykata i kontrollon të tërë, përfshirë dhe shtetet anëtare. Dhe nëse një proces i tillë do të dështonte, janë gjithmonë aktet reciproke balancuese dhe mekanizmat konsensualë që gjenden në sistemin krejtësisht të dallueshëm e të veçantë europian të “qeverisjes me shumë nivele pushteti”. Ekzistenca e tërë këtyre institucioneve konkuruese dhe bashkëpunuese i jep mundësi Europës që të ketë një lloj Qeverisje për popullin. Qeverisja nga populli, ashtu si thekson dhe Fritz Scharpf

[1], ishte e pamundur të bëhej një mundësi reale në kontekstin europian dhe tashmë duket edhe më e pamundur që të jetë një mundësi pas zgjerimit.

Mos ndoshta kjo është një pamje shumë pesimiste e ndërtesës europiane sot dhe në të ardhmen? Tek e mbramja, ashtu si thuhet shpesh, liderët politikë dhe partitë e tyre janë të përfshirë në dy arena elektorale në Europë, dhe në të dyja demokracia nga populli mund të jetë vendimtare. Të dyja arenat do të mbeten gjithaq të rëndësishme edhe pas zgjerimit. Kështu, në njërën anë, liderët politikë konkurrojnë për vota në nivel kombëtar për fitimin e një mandati në qeverisjen kombëtare për realizimin e programeve të tyre. Në këtë mënyrë ata mund të influencojnë drejtimin dhe përmbajtjen e politikave të BE duke punuar në Këshilla të ndryshëm, duke emëruar anëtarë në Komisionin Europian ashtu si dhe në organizma të tjerë ndërshtetërorë. Nga ana tjetër, ata garojnë në zgjedhjet për Parlamentin Europian (PE) dhe nëpërmjet punës këmbëngulëse në komitete, apo influencimit në shumicën parlamentare, ata mund të bëhen një zë i rëndësishëm bashkëvendosës në procesin e politikëbërjes Europiane. Këtu kemi dy përqasje me të njëjtin qëllim për kontroll demokratik nga populli.

Në praktikë gjithsesi, qëllimi shpesh anashkalohet. Për më tepër, anashkalohet me paramendim[2]. Në zgjedhjet aktuale për PE-në, për shembull, zgjedhësve iu ofrohet te zgjedhin mes vizioneve të ndryshme për projektin europian, mes forcave shumë pro-europiane dhe shumë anti–europiane të cilat kërkojnë votën e popullit. Rasti i Danimarkës është një shembull shumë i mirë, ku partitë tradicionale dhe kryesisht pro europiane janë të detyruara të konkurrojnë në zgjedhjet për PE-në kunder JuniBevaegelsen (Lëvizja e Qeshorit) dhe Folkebevaegelsen mod EU (Lëvizja Popullore kundër BE). Të dyja këto grupe jane shumë armiqësore ndaj thellimit të integrimit europian dhe në zgjedhjet e vitit 1999 për PE në Danimarkë, ato arritën të merrnin së bashku pothuajse 25 % të votave. E njëjta gjë ndodhi dhe në zgjedhjet në Francë për Parlamentin Europian, ku partitë pro europiane u detyruan në 1999 të konkurronin kundër një aleance ad hoc thellësisht euroskeptike, ”Rassemblement pour la France”.

 

Duket sikur këtu zgjedhësit, mund të shprehen për rrugën drejt së cilës po shkon Europa. Por thjesht shprehja nuk është vendimtare, përsa kohë që pavarësisht problemeve rreth zgjedhjes së PE-së, vetë PE nuk ka virtualisht asnjë rol në procesin konstitucional të BE.

PE është patjetër i rëndësishëm përsa i përket politikëbërjes së përditshme brenda kuadrit të BE-së. Por ai nuk ka peshë në diskutimet rreth BE-së përsa kohë që kjo çështje është kompetencë e politikanëve të shteteve dhe qeverive të shteteve dhe, po nëpërmjet tyre, kompetencë e Komisionit dhe e Këshillit. Kështu, ndonëse partitë pro dhe kundër integrimit mund të ndeshen për një mandat në zgjedhjet për PE-në, të dy palët e dinë shumë mirë se një mandat i tillë nuk luan ndonjë rol të vecantë.

Përkundrazi, në garën në nivel kombëtar, ku një mandat që lidhet me thellimin e integrimit europian mund të bëjë në punë, votuesit rrallë, për të mos thënë thuajse kurrë, iu jepet një mundësi për të zgjedhur mes pozicioneve. Me përjashtim të rastit të rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar, ku ndarja mes avokatëve të integrimit dhe Euroskeptikëve është gjithashtu një ndarje partizane rrymash, votuesit në Europë, përballen me heshtjen ose konsensusin. Pra, ka pak dallim mes partive kryesore në lidhje me Europën, dhe në rastet kur ka qëndrime të kundërta, ato rrallë, thuajse kurrë, dalin në pah. Mandatet jepen për zgjedhjet në nivel kombëtar por jo për Europën.

Ajo çka shohim këtu, të paktën sot, është veç një truk politik. Votuesit mund të pozicionohen pro ose kundër Europës në zgjedhjet për PE, ateherë kur çështja është dukshëm pavend në lidhje me kompetencat institucionale në fjalë. Por votuesit nuk kanë shans që të mbajnë një qëndrim pro ose kundër Europës në zgjedhjet kombëtare, pikërisht atje ku mund të merret një vendim. Në këtë aspekt, është impresionuese të vihet re se asnjë nga dy partitë euroskeptike Daneze dhe as euroskeptikja Franceze nuk përfaqësohen në nivel kombëtar. Pra, të tria partitë i mohojnë votuesve një shans  për t’i mbështetur ato pikërisht në atë arenë ku një lloj mandati i tillë mund të rezultojë vendimtar, duke preferuar të garojnë në një arenë ku nuk mund të kenë asnjë autoritet.

Mospërfshirja e qytetarëve të zakonshëm në vendimmarrje në Europë, njihet zakonisht si ”konsensusi tolerant”. Europa është shumë komplekse, ose shumë teknike, ose ndoshta shumë e mërzitshme që të jetë një shqetësim për votuesit e zakonshëm, kështu që ajo po kthehet, me një pëlqim reciprok, në një çështje për elitat. Gjithsesi, ndonëse Europa mund t’u përkasë elitave në praktikë, kjo nuk vjen për shkak të një konsensusi tolerant dashamirës. Përkundrazi, kjo ndodh sepse votuesve thjesht iu mohohet një mundësi për t’u shprehur. Dhe sa më shumë ata të jenë kundër, ashtu si ishin irlandezët në Qershor 2001, aq më tepër një mundësi e tillë do të vazhdojë t’iu mohohet.

Në fakt, kjo është mënyra në të cilën është vepruar në BE prej vitesh. Duke përfituar nga konsensusi tolerant, ose ashtu si gjatë viteve të fundit duke iu druajtur nje refuzimi të planeve të tyre nga elektoratet gjithnjë e më mosbesues, liderët politikë e partiakë janë përpjekur që të trajtojnë krijimin dhe zgjerimin e BE-së si pjesë të politikave të prapaskenave. Kjo përqasje është përkrahur dhe nga vëzhguesit e studiuesit të cilët këmbëngulin se politikat europiane janë disi ndryshe dhe sui generis dhe si të tilla, nuk është e nevojshme të ndiqen modelet tradicionale të përgjegjesisë dhe transparencës. Pati dhe nga ata si Giandomenico Majone, i cili argumentonte se përderisa Europa është në vetvete një tërësi rregullash, duhet të veprohet me të ashtuquajturat institucione jo maxhoritare-pra me anë të ekspertëve, gjykatësve ose burokratëve, sesa me anë të demokracisë nga populli[3].

Për më tepër, sa më e zgjeruar dhe më e larmishme është bërë BE, aq më i theksuar është bërë refuzimi i demokracisë nga populli. E thënë ndryshe, sa më shumë ka ecur integrimi europian në ditët e sotme, aq më tepër qytetarët e zakonshëm kanë janë përballur me një politikë e cila nuk mbart përgjegjësinë demokratike. Kjo përbën padyshim një problem në BE-në e sotme. Arsyet përse kjo çështje dhe rëndësia e saj e veçantë theksohen në këtë shkrim, është fakti që problemi ka gjasa që të bëhet edhe më shqetësues në BE-në e zgjeruar. Kjo do të thotë që në një BE më të madhe e më të larmishme, ky proces do të theksohet. Sigurisht, që me 25 shtete anëtarë që negociojnë politikat, asnjë lider politik nuk do të dojë t’i ketë duart e lidhura nga këmbëngulja për këshillime elektorale.

Tashmë është bëre më se e zakonshme ironia që mbartin standartet e vendosura të BE-së mbi demokracinë për anëtarët e saj të rinj ndërkohë që në të njëjten kohë shtetet anëtarë nuk arrijnë t’i përmbushin vetë këto standarte. Ashtu si shkruan Ralph Dahrendorf, “Bashkimi ka përcaktuar kritere shumë të ashpra të virtutin demokratik për të ashtuquajturat vendet që do të anëtarësohen. Nëse, këto kritere do të zbatoheshin për vetë Bashkimin, përfundimi do të ishte dëshpërues.” Gjithsesi, ka edhe një ironi akoma më therëse që bëhet gjithnjë e më evidente. Pas më pak se 10 vjetësh që nga rënia e komunizmit dhe kthimit ose zbulimit të demokracisë, politikat e anëtarësimit po izolohen në një sistem në të cilin demokracia nga populli ka pak ose aspak rol. Brenda BE-së së sotme, kjo gjendje mund të shihet si produkt i viteve të përthithjes dhe akumulimit të pushteteve në Bruksel në mënyrë të ngadaltë e hap pas hapi. Votuesit e Europës Perëndimore kanë humbur zërin e tyre në Europë, por humbja ishte aq e ngadaltë dhe e paperceptueshme, sa dukej e parëndesishme. Të paktën deri tani.

Votuesit për politikat e anëtarësimit ndodhen në një pozitë tjetër. Jo vetëm kanë mundësi të shprehen për herë të parë, por po rrezikojnë që ta humbasin këtë mundësi në të njëjtin cast. Kjo nuk duhet lejuar.  Demokracia është shumë e rëndësishme për tu merrë si e mirëqenë dhe si e tillë të lihet pas dore. Bashkë me zgjerimin duhet të bëhet dhe reforma institucionale. Bashkimi mund te jetë i kënaqur me mekanizmat aktuale të demokracisë konstitucionale. Me zgjerimin është e rëndësishme që këto mekanizma më në fund t’iu bashkangjiten mekanizmave të reja të demokracisë nga populli.

 

 

 

 

Burimet

 

[1] Fritz W.Scharpf Governing in Europe: Effective and Democratic? (Oxford, Oxford university Press, 1999) Kapitulli I parë

[2] Për më tepër shih Peter Mair “The limited impact of Europe on National Party Systems” West European Politics 23:4(2000) 41-47 ku argumenti në fjalë trajtohet më gjerë.

[3] Shih për shembull Giandomenico Majone Regulating Europe (London, Routledge, 1996)

 
e bene
mod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_countermod_vvisit_counter
mod_vvisit_counterSot98
mod_vvisit_counterDje269
mod_vvisit_counterKete jave98
mod_vvisit_counterJaven e shkuar1628
mod_vvisit_counterKete muaj1303
mod_vvisit_counterMuajin e shkuar5624
mod_vvisit_counterGjithe vizitat133018

We have: 6 guests online
Your IP: 38.107.179.220
 , 
Today: Feb 06, 2012