| Korrupsioni, Ndjenjat Antikorrupsion dhe Shteti Ligjor |
|
|
|
|
Ivan Krastev
Shoqëritë post-komuniste janë thjesht të fiksuara me korrupsionin. Në periudhën e tranzicionit korrupsioni është përshkruesi më i fuqishëm i politikave. Ai shpjegon pse kanë falimentuar industritë që dikur ishin xhevahiret e ekonomive komuniste. Korrupsioni shpjegon pse të varfrit janë të varfër dhe pse të pasurit janë të pasur. Për qytetarin post-komunist fajësimi i korrupsionit është e vetmja mënyrë për të shprehur zhgënjimin e tij nga elitat politike të kohës, për të vajtuar vdekjen e shpresave të tij të 1989-ës për një jetë më të mirë dhe për të mos pranuar asnjë përgjegjësi për mirëqenien që ka. Publiku post-komunist flet për politikën, ekonominë, për të shkuarën dhe të ardhmen duke folur për korrupsionin. Të huajt janë edhe më të fiksuar me korrupsionin post-komunist. Për shumë vëzhgues korrupsioni shpjegon pse disa vende në tranzicion ia dalin mbanë dhe të tjerë mbeten prapa, pse reformat rrezikohen dhe demokracia është në rrezik, pse njerëzit janë të pakënaqur dhe mafia është e plotfuqishme. Rose, Mishler dhe Haerpfer argumentojnë se “korrupsioni ka zëvendësuar shtypjen si kërcënimin kryesor të shtetit ligjor” (Rose, Mishler, Haerpfer, 1997). Analiza e tyre e regresionit të shumëfishtë thotë se niveli i korrupsionit është një përcaktues më i rëndësishëm i qëndrimeve ndaj “alternativave jodemokratike” sesa tradita demokratike e një vendi, niveli i lirisë apo performanca ekonomike e tij. Korrupsioni vjedh rritjen ekonomike, rrënon demokracinë, degradon shoqërinë dhe shkatërron shanset e vendosjes së shtetit ligjor në shoqëritë e Evropës Lindore.
Korrupsioni është miti i zi i tranzicionit. Është shpjegimi përfundimtar për të gjitha dështimet dhe zhgënjimet e dekadës së parë post-komuniste. Shteti ligjor është miti i bardhë i tranzicionit. Pas disa viteve flirtim me idetë e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, tashmë shteti ligjor është togfjalëshi magjik në Evropën Lindore. Është shteti ligjor dhe jo demokracia që sjell investitorët e huaj, është shteti ligjor që siguron zhvillim dhe mbron të drejtat. Është mungesa e shtetit ligjor që shpjegon përhapjen e korrupsionit dhe është marshimi i shtetit ligjor që do të garantojë sukses në luftën kundër korrupsionit. Ajo që të bën përshtypje në këtë ortodoksi të re të shtetit ligjor janë nuancat formaliste dhe anti-politike. Shteti ligjor nuk portretizohet si një shoqëri ku respektohen rregullat e lojës dhe mbrohen të drejtat e qytetarëve, por si një grup mekanizmash dhe programesh për ndërtimin e kapaciteteve institucionale që pritet të çlirojë njerëzit nga papërsosshmëria e politikës demokratike. E në këtë përpjekje për ndërtimin e shtetit ligjor rol të veçantë u jepet fushatave antikorrupsion. Fushatat antikorrupsion, të dizenjuara për të arritur institucione transparente, për të rritur vetëdijen e publikut dhe për të ndërtuar kapacitetet institucionale, shihen nga Banka Botërore dhe politikëbërës të tjerë të huaj si strategjia bazë për të promovuar shtetin ligjor. Por a janë fushatat antikorrupsion rruga më e shkurtër drejt kulturës së shtetit ligjor dhe a jemi ne të vetëdijshëm për rreziqet që fsheh një fushatë e tillë? Argumenti kryesor i këtij artikulli është se mënyra aktuale e të menduarit të politikës i keqkupton efektet e fushatave antikorrupsion dhe kështu zbeh mundësitë për vendosjen e kulturës së shtetit ligjor në Evropën Lindore. Arsyeja kryesore për këtë keqkuptim është keqinterpretimi i natyrës së ndjenjave antikorrupsion të publikut. Është analiza e ekonomisë morale të ndjenjave antikorrupsion në periudhën e tranzicionit dhe njohja nga afër e përpjekjeve për të krijuar shtetin ligjor socialist në fillim të viteve 1980-të ajo që mund të hedhë dritë mbi anën e errët të fiksimit që ekziston me luftën kundër korrupsionit. Kjo ese nuk është një studim i korrupsionit, dhe as një studim i politikës së shtetit ligjor, është një interpretim i shqetësimeve të tranzicionit. Është një reflektim rreth diskursit popullor për korrupsionin dhe rolin e tij në formimin e shoqërisë post-komuniste. Diskursi antikorrupsion nuk është thjesht një diskurs për dhënien reale apo të pretenduar të rryshfeteve apo për format e tjera të shpërdorimit të detyrës publike për përfitime vetjake. Ai nuk mumd të reduktohet në zhgënjimin e paartikuluar të publikut me status quo-në. Ai është një diskurs që shpreh procesin e dhimbshëm të stratifikimit social në shoqëritë në tranzicion. Eshtë një diskurs për barazinë dhe paanësinë sociale. Eshtë një set diskursesh, në konflikt me njëri-tjetrin, dhe që riformojnë kuptimin e korrupsionit post-komunist. Deklaratat antikorrupsion të institucioneve financiare ndërkombëtare nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët me thirrjet antikorrupsion që zënë vend në media, që dëgjohen në rrugë apo kapen në fokus grupe. Çfarë është korrupsioni, kush korrupton kë, cilat janë arsyet për rritjen e korrupsionit dhe çfarë duhet bërë për ta frenuar atë, janë ndër pyetjet që marrin përgjigje të ndryshme në varësi të atij që pyet në shoqërinë post-komuniste. “Do të ishte e pamundur për një historian të shkruante një histori të korrupsionit politik në Shtetet e Bashkuara” vuri në dukje Walter Lippmann-i në 1930-ën. “Ajo çfarë mund të shkruajmë është historia e ekspozimit të korrupsionit.” Po kështu, do të ishte e pamundur për një historian të shkruante një histori të korrupsionit politik në Evropën Lindore post-komuniste. Ajo çfarë mund të shkruajmë është historia e politikave reaguese ndaj korrupsionit dhe asaj që mund të spekulojmë rreth pasojave afatgjatë të këtyre politikave. Paradoksi i korrupsionit Në rradhët e qytetarëve të zakonshëm të bllokut sovjetik korrupsioni dhe privilegjet shiheshin rëndom si tiparet më të neveritshme të “socializmit të vërtetë.” Privilegjet ishin për nomenklaturën, korrupsioni ishte për njerëzit. Njerëzit ankoheshin për të, jetonin me të dhe ngriheshin kundër tij. Edhe në shkrimet akademike komunizmi paraqitej si shumë i korruptuar. Varësia nga rryshfetet dhe kontaktet ishte famëkeqe. Aty nga fundi i regjimit komunist, shumica e të intervistuarve në anketimin e emigrantëve sovjetikë të DiFranciesco-s dhe Gitelman-it tregonte se rryshfetet dhe lidhjet mund të përdoreshin për të ndryshuar një detyrë të papëlqyer në punë apo për të dërguar një fëmijë të trashë në një departament të mirë në universitet (Miller, Grødeland, Koshechkina, 2001). Një dekadë më parë si njerëzit ashtu edhe studiuesit do të ishin habitur po të mësonin se një ditë post-komunizmi do të konsiderohej më i korruptuar se komunizmi. Është ky transformim i “të papriturës” në “jo problematike” në përceptimin e korrpsionit që unë e quaj “paradoks i korrupsionit.” Jo-banaliteti i korrupsionit post-komunist Çfarë kanë të përbashkët tranzicioni i suksesshëm polak, tranzicioni gjysëm i suksesshëm bullgar dhe tranzicioni i pasuksesshëm rus? Jo shumë, përveç faktit se shumica e polakëve, bullgarëve dhe rusëve janë të bindur se në vendet e tyre sot ka më shumë korrupsion se gjatë komunizmit. Të dhënat janë mahnitëse pasi opinionet publike polake, bullgare dhe ruse ndryshojnë dukshëm në mënyrën se si gjykojnë suksesin dhe drejtimin e ndryshimeve ekonomike dhe politike, dëshirimin e ndryshimeve, si edhe përfitimet e humbjet e tyre vetjake në periudhën e tranzicionit. Përfundimi është mahnitës edhe sepse në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të TI-së (Transparency International) për 1999-ën, Polonia renditet e 44-ta për nivelin e korrupsionit, Bullgaria renditet e 66-ta dhe Rusia e 82-ta, dhe sepse korrupsioni shfaqet si një problem kryesor social në Bullgari e Poloni, por jo në Rusi (Sajó, 1998). Deklarata se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi nuk mund të shpjegohet thjesht me dështimin e reformave të tregut. Suksesi apo dështimi i reformave mund të funksionojë si një model shpjegues kur krahasojmë nivelin e korrupsionit në vende të ndryshme, por është një shpjegues i dobët kur krahasojmë “tani” dhe “atëherë.” Kultura, feja dhe kohëzgjatja e regjimit komunist gjithashtu nuk janë faktorë shpjegues. Polonia është një shoqëri katolike, Bullgaria dhe Rusia janë vende ortodokse. Rusia ka jetuar shumë më gjatë nën komunizëm sesa Bullgaria dhe Polonia. Këto vende ndryshojnë shumë përsa i takon madhësisë dhe homogjenitetit të tyre etnik, dy faktorë të tjerë që ndikojnë përhapjen e korrupsionit. Ato ndryshojnë përsa i takon GDP-së, tërheqjes së investimeve të huaja, pasurisë në burime natyrore dhe nivelit të optimizmit ekonomik në lidhje me të ardhmen. Zbulimi që bullgarët, polakët dhe rusët ndajnë të njëjtën pikëpamje se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi është një zbulim i papritur dhe jo i papërfillshëm. Ia vlen ta analizojmë më nga afër. Korrupsioni nuk mund të studiohet drejtpërdrejtë. Por edhe studimet jo të drejtpërdrejta të korrupsionit janë problematike. Çfarë duam të themi kur pohojmë se një regjim i caktuar apo një periudhë e caktuar është më e korruptuar se tjetra? A duam të themi se gjatë kësaj periudhe është rritur numri i transaksioneve korruptive? A duam të themi se është rritur numri i njerëzve të përfshirë në transaksionet korruptive? A duam të themi se korrupsioni ka arritur në postet më të larta të pushtetit? A duam të themi se janë rritur kostot sociale të korrupsionit? A duam të themi se shoqëria në tërësi është bërë më tolerante ndaj korrupsionit, apo duam t’i themi të gjitha këto sëbashku? Si mund ta dimë çfarë kërkon të na thotë saktësisht i pyeturi kur gjykon se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi? A i referohet ai kostos së korrupsionit, shëmtisë së korrupsionit të lartë politik, apo korrupsionit të përhapur burokratik? A bazohet gjykimi i tij në eksperiencën e tij personale me korrupsionin në shkallë të vogël apo bazohet në historitë e medias për shkallën e korrupsionit politik? Gjithashtu, është e ditur se popullariteti i praktikave korruptive rrit nivelin e pranueshmërisë së tyre. Nëse pothuaj kushdo është një korruptues apo i korruptuar, atëherë korrupsioni është një rregull dhe jo devijimi nga rregulli. A do të thotë kjo se komunizmi duket më pak i korruptuar sepse kushdo ishte pjesë e lojrave korruptive? Dhe së fundi, a ka vërtet në post-komunizëm më shumë korrupsion se në komunizëm? Të dhënat empirike janë të diskutueshme dhe të paplota për të mbështetur një pohim të tillë. Në pjesën më të madhe të vendeve komuniste korrupsioni ishte një temë tabu, ndaj mungojnë të dhëna të besueshme për perceptimet e korrupsionit, ose fakte të bazuara në raporte për përhapjen e veprimeve korruptive. Të dhënat e gjykatës dhe policisë nuk mund të jenë një burim i vlefshëm informacioni. Shumica e tyre heshtin kur bëhet fjalë për korrupsionin që mbulon zyrtarët e lartë komunistë. Komunizmi ishte një sistem politik i bazuar tek virtyti, ndaj regjimi nuk donte të nxirrte në pah dobësinë njerëzore të anëtarëve të tij të shquar. Dhe çfarë lloj përkufizimi do të përdoret për qëllime krahasimi? A duhet të marrim në konsideratë vetëm veprimet që perceptohen nga opinioni publik si të korruptuara, ato që Heidenheimer i quajti “korrupsion i bardhë” (Heidenheimer, 1989), apo duhet të bëjmë tonin një përkufizim më të përgjithshëm të interesit publik, i cili do të përcaktonte si korrupsion gjithë ato veprime që shihen sot si korrupsion? Në interpretimin e korrupsionit na duhet të përballemi me të gjitha këto dhe të tjera kufizime. Debati Në debatin bashkëkohor ka një sërë qasjesh që konkurojnë për të shpjeguar dhe ndërtuar dukurinë korrupsion. Ato bëjnë ligje si duhet të mendojmë për korrupsionin, çfarë të mendojmë për korrupsionin dhe si të veprojmë kundër korrupsionit. Diskursi mbizotërues antikorrupsion i FMN-së dhe Bankës Botërore është institucional për nga natyra. Për të pohimi se një regjim politik është më i korruptuar se një tjetër nuk është një pohim empirik. Është një pohim normativ. Diskursi kryesor institucional e mat korrupsionin në bazë të shtysave për korrupsion që krijohen nga mjedise të ndryshme institucionale. Sipas kësaj qasjeje regjimi A është më i korruptuar se regjimi B nëse hapësira e pushtetit të zyrtarëve publikë dhe ndërhyrja e shtetit është më e madhe në regjimin A në krahasim me regjimin B. Pikëpamja disidente ose percepsioniste për rritjen e korrupsionit është e kufizuar për sa i takon ndikimit të saj dhe nga shumë perceptohet si mishërimi i fundit i “mbrojtësve” të korrupsionit. Ky diskurs nuk merret me shtysat për sjellje korruptive që mundësohen nga regjime të ndryshme politike. Ai nis me supozimin se nuk ekziston domosdoshmërisht një lidhje mes perceptimit të publikut se korrupsioni është i kudondodhur dhe nivelit të vërtetë të korrupsionit. Sipas kësaj shkolle të mendimit perceptimi i korrupsionit është produkt i një realiteti të dhënë mediatik (në kuptimin e gjerë) dhe jo i ndonjë ndryshimi të rëndësishëm në përhapjen reale të korrupsionit. Ndryshimi i perceptimit në Gjermani pas “çështjes Kohl” është një ilustrim i fuqishëm i faktit se është korrupsioni për të cilin kemi njohuri dhe jo niveli i vërtetë i korrupsionit që drejton ndjenjat e publikut. Gjermania pas plasjes së skandalit të Kohl-it nuk është më e korruptuar se Gjermania e një dite përpara se historia të zbulohej, por perceptimi i pastërtisë së Republikës së Berlinit ra në mënyrë drastike si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Argumenti percepsionist nuk beson në konsensusin se korrupsioni është në rritje. Në studimin e tyre ndikues për korrupsionin në nivelin e ulët (street level corruption) në katër vende të Evropës Lindore Miller, Grodeland dhe Koshechkina dokumentuan se ekperienca aktuale e qytetarëve me korrupsionin në nivelin e ulët është shumë më pak negative se perceptimet e tyre (Miller et al., 2001). Interpretimi im për rritjen e perceptimeve të korrupsionit në Evropën Lindore nuk bëhet palë as me institucionalistët as me percepsionistët. Ai bie dakort se lidhja mes perceptimeve të korrupsionit dhe niveleve të vërteta të korrupsionit është shumë problematike, por tregon se kur publiku krahason korrupsionin “tani” dhe ”atëherë” nuk “llogarit” thjesht veprimet korruptive dhe nuk “llogarit” as materialet mediatike lidhur me korrupsionin. Gjykimi për rritjen apo rënien e korrupsionit ndërmjetësohet nga reflektimet për funksionet e tij sociale. Të interpretuarit e deklaratës së opinionit se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi ka nevojë të sjellë kontekstin më të gjerë të eksperiencës së ndryshimit social të aktorëve. Shifrat dhe korrelacionet nuk mjaftojnë për të lexuar mendjen e publikut. Është pikërisht në rrjedhën e bisedave pafund për korrupsionin, të korruptuarit dhe dështimin e qeverisë për t’i bërë ballë korrupsionit që qytetarët post-komunistë negociojnë qëndrimin e tyre ndaj këtij fenomeni. E në rrjedhën e këtyre negociatave të padukshme arrihet konsensusi se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi. Kur më pak shtet nuk do të thotë më pak korrupsion Kur argumentojnë se korrupsioni i tanishëm në Evropën Lindore është rritur, shkencëtarët politikë dhe ekonomistët vënë në dukje një sërë zhvillimesh të kohëve të fundit. Brendësimi i tregtisë dhe financave dhe fundi i ndarjes së madhe ideologjike qendrojnë si arsye të jashtme për “shpërthimin e korrupsionit.” Por ka edhe shumë argumente “tranzicioni” për rritjen e korrupsionit. Trashëgimia komuniste dhe veçanërisht trashëgimia e shtetit ndërhyrës veçohet si kushti kryesor i brendshëm për rritjen e korrupsionit. Regjimet post-komuniste përgjithësisht kanë trashëguar shumë lëshime licensash dhe një pushtet të gjerë të nëpunësve shtetërorë. Ekzistenca e këtyre regjimeve që lejojnë liri të gjerë veprimi qëndron në zemër të shpjegimit institucional për përhapjen e korrupsionit. (Tanzi, 1998). Pjesa tjetër e shpjegimit është kriza e legjitimitetit dhe besimi i ulët tek institucionet publike. Ekzistenca e shtysave për korrupsion nuk mund të përkthehet direkt në deklarata për më shumë korrupsion. Rëndësi kanë edhe vlerat. Vendet nordike që shquhen për praninë domethënëse të shtetit në ekonomi janë ndër vendet me më pak korrupsion në botë. Shtysat për korrupsion e rritin nivelin aktual të korrupionit vetëm kur shoqërohen me tolerancën e publikut ndaj korrupsionit dhe mungesën e burokracisë profesionale dhe shtetit ligjor. Normat sociale janë variabli i pavarur në ekuacionin e korrupsionit, të cilat kufizjnë ambicjet e reduksionizmit institucional. Në korrupsionin e gjerë në Evropën Lindore ndikon jo vetëm qeveria e madhe, por edhe shtetet e dobëta. Një shtet i dobët nuk ka kapacitete për të forcuar ligjet dhe ul jashtëzakonisht rreziqet që lidhen me sjelljen korruptive. Shteti i dobët është në zemër të argumentit të zhvilluar nga Shliefer dhe Vishny (Shliefer dhe Vishny, 1993). Në artikullin e tyre “Korrupsioni” ata tregojnë se korrupsioni post-komunist është më inefektiv se ai komunist dhe si rezultat është më i kushtueshëm. Korrupsioni komunist ishte i centralizuar. Mjaftonte të korruptoje shefin për të vënë në lëvizje zinxhirin. Modeli i korrupsionit post-komunist është një model monopolistësh të pavarur. Me qëllim që të ndodhë shkëmbimi korruptuesi duhet t’u japë rryshfet të gjithëve në zinxhir. Një tjetër argument që shpjegon rritjen e korrupsionit në periudhën e tranzicionit është argumenti i dhënë nga konstitucionalisti hungarez András Sajó (Sajó, 1998). Ai thotë se korrupsioni post-komunist është klientelist për nga natyra dhe është ngushtësisht i lidhur me formimin e partive politike dhe rishpërndarjen e pronave shtetërore. Korrupsioni është një taksë e fshehtë që paguhet nga shoqëria për funksionimin e sistemit shumë-partiak. Mosnjohja e klientelizmit të korrupsionit dhe presioni i perëndimit për transparencë janë arsyet që shpjegojnë dramatizimin e tepruar të problemit të korrupsionit në Evropën Lindore. Por ajo që mbizotëron në shpjegimet popullore për rritjen e korrupsionit gjatë tranzicionit është shkalla e gjerë e privatizimeve. Teorikisht dhe në afatgjatë, privatizimi shpallet si një politikë që ul korrupsionin (Kaufman, 1997). Por në praktikë dhe në afatshkurtër privatizimi e rrit nivelin e korrupsionit. Shtysat për pasurim të shpejtë janë aq të larta sa sjellja korruptive është e pashmangshme. Ministri polak i privatizimit, Janusz Lewandowski, ka dhënë një nga përshkrimet më të mira për polemikën e brendshme të procesit. “Privatizimi – shkroi Lewandowski – ndodh kur dikush që nuk di kush është pronari i vërtetë dhe nuk di sa vlen në të vërtetë diçka, ia shet atë dikujt që nuk ka para” (Dunn, 1999). Përcaktimi i Lewandowski-t prek tre shqetësimet lidhur me privatizimin post-komunist. I pari është vendosja e çmimit të pronës ish-socialiste. Çmimet e ndërmarrjeve socialiste ndryshojnë jashtë mase në sytë e tregut dhe shoqërisë. Ankesa se shteti po shet “lirë” është ankesa më e përhapur në kohë tranzicioni. Në studimin e saj mbi perceptimet e punëtorëve për privatizimin e një fabrike polake për prodhimin e ushqimeve, Elizabeth Dunn-i nënvizon se “ideja e ‘rryshfetit’ këtu është ndryshesa mes dy matjeve të ndryshme të vlerës: matja e supozuar ‘objektive’ e përcaktuar nga llogaritjet e perëndimit ose nga tregu, dhe opinioni subjektiv i punëtorëve të Alima-s për vlerën e jetës dhe punës së tyre në socializëm, të cilat ishin kristalizuar në firmë” (Dunn, 1999). Shqetësimi i dytë janë blerësit. Blerësit vendas për ndërmarrjet e mëdha e madje edhe ato të mesme nuk ekzistonin në Evropën Lindore. Socializmi i vërtetë nuk ishte shoqëria e mirëqenies së barabartë, por në fillim të tranzicionit shumë njerëz besonin ende se ishte shoqëria e varfërisë së barabartë. Në vitet e para të tranzicionit rastisi që disa patën mundësi për të marrë kredi dhe u bënë blerës e të tjerët mbetën mënjanë shtetit shitës. E shkuara e pronarëve të rinj intrigoi imagjinatën e publikut shumë më tepër se e ardhmja e ndërmarrjeve të privatizuara. Dhe shqetësimi i tretë i lidhur me privatizimin ishte se vetë procesi i privatizimit perceptohej nga shumë si korrupsion në vetvete. Mungesa e kontrollit efektiv në praktikat e errëta dhe gri të privatizimit veproi si katalizator për rritjen e ndjenjave antikorrupsion dhe anti-elitë. Një studim çek identifikoi 33 raste të përfitimit personal në fushën e privatizimit, brenda një periudhe 12 mujore, që arrinin shumën e 25 miliard koronave çeke, por që rezultoi në vetëm dy ndjekje penale (Miller et al., 2001). Ekonomisti bullgar Rumen Avramov përcaktoi “privatizimin e përfitimeve dhe shtetëzimin e humbjeve” si formulën kryesore për të krijuar sektorin privat në Evropën Lindore post-komuniste (Avramov, 2001). Shkolla virtuale për shpjegimin e “shpërthimit të korrupsionit” sugjeron mënyra të ndryshme të interpretimit të fiksimit post-komunist me korrupsionin. Një numër studimesh theksojnë faktin se ka një korrelacion të ulët mes përvojës personale të të pyeturve me korrupsionin dhe gjykimit të tyre për nivelin e korrupsionit në vend (Miller et al., 2001). Lexuesit e rregullt të gazetave në Bullgari e konsiderojnë vendin më pak të korruptuar në krahasim me ata që nuk i lexojnë gazetat rregullisht. Miller, Grodeland dhe Koshechkina dëshmuan se ndryshe nga proverbi, njohja nga afër ngjall më shumë besim sesa pakënaqësi. Njerëzit priren të shohin si më pak të korruptuar ata institucione që i njohin personalisht dhe si më të korruptuar institucionet që nuk kanë të bëjnë me përvojën e tyre të përditshme. Për rrjedhojë, si rregull parlamenti shihet si më i korruptuar se policia. Në mënyrë paradoksale media e lirë është një instrument për të kufizuar dhe ulur nivelin e korrupsionit, por në të njëjtën kohë ajo rrit perceptimet për korrupsionin në shoqëri. Argumenti percepsionalist thotë se bumi i perceptimeve për korrupsion është rezultat i fiksimit të medias me korrupsionin dhe rolit të akuzave për korrupsion në politikën post-komuniste. Historitë për korrupsion shiten mirë. Publikut i pëlqen të lexojë histori degradimi. Por shpjegimi komercial nuk është i mjaftueshëm. Në kohë tranzicioni, kur ndarjet e mëdha ideologjike i përkasin të kaluarës dhe kur dallimet në politika ndërmjet partive kryesore politike janë të papërfillshme, akuzat për korrupsion mbeten arma kryesore e opozitës. Të akuzosh qeverinë se është e korruptuar të kursen nevojën për të ofruar alternativa ndaj politikave të saj. Sot në Evropën Lindore ka një paragjykim të dukshëm në favor të atyre që ngrejnë akuzat. Numri i vendimeve gjyqësore për çështjet e ngritura për korrupsion është qesharak në të gjithë rajonin. Mosfunksionimi i sistemit ligjor i jep medias si rolin e prokurorit, ashtu edhe atë të gjykatësit. Në botën post-komuniste retorika antikorrupsion është arma e parapëlqyer për këdo që kërkon pushtet. Në kontekstin e paradigmës institucionale, periudha e tranzicionit krijon shtysa të mëdha për sjellje korruptive dhe shteti i dobët post-komunist vazhdimisht nuk arrin të përgjigjet në mënyrë efiçente. Argumenti virtual e redukton rritjen e perceptimeve të korrupsionit tek asimetria e informacionit. Të dy argumentet kanë dobësi në shpjegimet se pse opinioni publik post-komunist është i bindur se “e sotmja” është më e korruptuar se “e djeshmja.” Argumentet institucionale nënvlerësojnë rolin e normave shoqërore dhe kulturore në kufizimin e korrupsionit. Argumenti virtual mbivlerëson mungesën e informacionit të vërtetë gjatë fundit të komunizmit. Fakti që rrugët zyrtare të informimit ishin bllokuar nuk do të thotë se njerëzit nuk kishin njohuri për përhapjen e korrupsionit në shoqërinë e tyre. Diskursi jozyrtar ka regjistruar shumë histori korrupsioni. Ndaj na duhet të përfshijmë perspektivën e pjesëmarrësit me qëllim që të japim një interpretim më bindës të paradoksit të korrupsionit. Pyetja e vërtetë nuk është nëse post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi, pyetja e vërtetë është pse opinioni publik e gjykon post-komunizmin të jetë më i korruptuar se komunizmi? Ekonomia morale e korrupsionit – “tani” dhe “atëherë” Paraqitja e perspektivës së aktorëve në interpretimin e pikëpamjes së opinionit publik për korrupsionin është alternativa e vetme kundrejt shpjegimeve institucionale dhe virtuale. Por paraqitja e perspektivës së aktorëve nuk është punë e lehtë. Të dhënat e studimeve antropologjike dhe fokus grupet janë kontekstuale dhe heterogjene dhe rreziqet për keqinterpretime janë të mëdha. Ata që përgjigjen se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi nuk ndajnë të njëjtën pikëpamje për çfarë duhet dhe nuk duhet të përcaktohet si korrupsion. Ata kanë prejardhje të ndryshme sociale dhe toleranca e tyre për sa i përket korrupsionit varion. Të rindërtosh motivimet individuale për të fajësuar post-komunizmin se është më i korruptuar se komunizmi është një mision i pamundur. Hipoteza e përgjithshme në esenë time është se pohimi i shprehur nga të pyeturit se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi nuk është një pohim faktik. Është një deklaratë vlerore që përmban në vetvete reflektim për funksionin social të korrupsionit. Ata që pyeten nuk është se thjesht “mbajnë shënim” korrupsionin, ata gjykojnë për rezultatin e veprimit të tij. Faktori kryesor që shpjegon ndjeshmërinë e re ndaj korrupsionit është se një tip i caktuar i korrupsionit është zëvendësuar nga një formë tërësisht e ndryshme e korrupsionit. Favori u zëvendësua nga rryshfeti. Interpretimi i “paradoksit të korrupsionit” domosdoshmërisht presupozon krahasimin e perceptimit të të intervistuarit për “favorin” dhe “rryshfetin” si forma mbizotëruese të korrupsionit respektivisht në periudhën komuniste dhe post-komuniste. “Shoqëria më bëj një nder” versus “shoqërisë më jep një rryshfet” Praktikat misterioze dhe njëkohësisht të rëndomta që rusët i quanin “blat,” (nder) bullgarët “lidhje” dhe polakët “zalatwic sprawy” njihen si çelësi i fshehtë për të kuptuar shoqërinë komuniste. Shoqëri ku, sipas reporterit të Guardian-it Martin Walker “asgjë nuk është e ligjshme, por gjithçka është e mundur” (Ledeneva, 1998). Në librin e saj informues “Ekonomia ruse e favoreve” Alena Ledeneva e përkufizon “favorin” si ”përdorimin e rrjeteve personale dhe kontakteve informale për të siguruar të mira dhe shërbime të rralla dhe për të shmangur procedurat formale” (Ledeneva, 1998). Të gjithë autorët bien dakort se favori është një dukuri tipike sovjetike (komuniste). Favori ka shumë ngjashmëri me praktikat paramoderne të dhënies së dhuratave dhe shumë teoricienë (si shumica e qytetarëve) nuk priren ta klasifikojnë favorin si korrupsion. “Tradhëtia bashkëshortore nuk është krim dhe favori nuk është korrupsion” është opinioni që ndan shumica e pjesëmarrësve në fokus grupe. Por në thelb favori është një formë klasike e shpërdorimit të pozitës për përfitime private apo të grupit. Favori vepron në atë masë që nëpunës të caktuar publikë tradhëtojnë detyrat e tyre për të favorizuar miqtë e tyre ose miqtë e miqve të tyre. Në librin e saj të shquar Ledeneva paraqet një analizë komplekse të dukurisë dhe rolit të saj në mbijetesën dhe rrënimin e sistemit sovjetik. Disa karakteristika të favorit kanë rëndësi kritike për sa i përket qëllimit tim për të shpalosur ekonominë morale të ndjenjave antikorrupsion në Evropën Lindore. Favori ishte një dukuri shumë e përhapur kudo në bllokun sovjetik. Mospërfshirja në bërje nderesh ishte një formë e sjelljes joshoqërore. Bërja e nderit ishte një shkëmbim favoresh. Edhe në rastin kur në marrëdhëniet e bërjes së nderit përfshiheshin disa dhurata apo para, shtysa kryesore në këto marrëdhënie ishte shkëmbimi i favoreve dhe jo rryshfeti. Thënë me fjalët e Ledeneva-s “favori është një formë e veçantë e shkëmbimit jomonetar, një lloj pazari bazuar në marrëdhëniet personale” (Ledeneva, 1998). Favori kushtëzohej plotësisht nga ekonomia e mungesave. Ishte një “takëm mbijetese që reduktonte pasigurinë në kushte mungesash, domosdoshmërie dhe urgjence të pandërprerë, ku kriteret formale dhe të drejtat formale nuk mjaftojnë për të vepruar” (Ledeneva, 1998). Në diskursin zyrtar favori dënohej, por nuk kriminalizohej (me përjashtim të rasteve ekstreme). Marrëdhëniet e bërjes së ndereve nuk ishin pazar i thjeshtë, ato nuk ishin domosdoshmërisht dypalëshe. Transaksionet e bërjes së ndereve mund të ishin rrethore: A-ja i bën një nder B-së, B-ja C-së, C-ja D-së dhe D-ja A-së, dhe hallka e fundit mund të mos ketë ndodhur. Shkëmbimi i ndereve ndërmjetësohet dhe mbulohet nga retorika e miqësisë. Në të kundërt, marrëdhënia mes korruptuesit dhe të korruptuarit përqendrohet tek rryshfeti. Në ditët e komunizmit favori bashkëekzistonte me rryshfetin dhe forma të tjera klasike të korrupsionit. Por favori ishte forma më e përhapur e strategjisë për të mbijetuar. Favori ishte forma tipike e korrupsionit. Komunizmi ishte totalitarizëm i moderuar nga përhapja e favoreve dhe rryshfeteve të vogla. Kur të pyeturit reflektojnë rreth përvojës së tyre në komunizëm, favori shfaqet si forma e korrupsionit që lidhet me regjimin e vjetër. Pjesëmarrësit në fokus grupe të ndryshme ngulin këmbë se praktika e “lidhjeve” ishte mjaft e përhapur në të kaluarën, por veprimet e “korrupsionit të vërtetë” ishin shumë më të kufizuara se tani. Në librin e saj Ledeneva argumenton madje se favori nuk duhet të klasifikohet si korrupsion. Pikëpamje të tilla mund të vihen re edhe kur njerëzit tregojnë për eksperiencat e tyre të bërjes së ndereve. Kujtimet e pjesëmarrësve për bërjen e ndereve merrnin ngjyrime të miqësisë personale dhe gatishmërisë për të ndihmuar. Argumenti i Ledeneva-s shërben për të dalluar favorin nga forma të tjera të transaksioneve informale. Por gjithashtu është e vërtetë se favori perceptohej si korrupsion nga të tretë pasi përfshinte shpërdorimin e detyrës publike për përfitime private. Pra korrupsion ishte thjesht bërja e ndereve nga të tjerët. Në diskursin e gjerë “bërja e ndereve nga të tjerët” komentohej dhe shihej si korrupsion. Kur mamaja tregonte historinë pse fëmija e saj nuk mundi të hynte në universitet, kur një konsumator ankohej pse nuk mundi të “siguronte” mallrat e duhuara, shpjegimet ishin privilegjet dhe “lidhjet”, të cilat gjykoheshin si korrupsion. Fushatat antikorrupsion që ishin tipar i zakonshëm i ditëve të fundit të regjimeve komuniste e ilustrojnë më mirë se çfarëdo tjetër faktin se favori perceptohej si një formë e veçantë korrupsioni dhe si një praktikë që shkatërron të mirën publike. Qytetari i shoqërisë komuniste ishte i vetëdijshëm për çmimin shoqëror të favorit, por ishte gjithashtu i vetëdijshëm për mungesën e ndonjë alternative tjetër realiste për të mbijetuar. Zhdukja e ndereve është zhvillimi kryesor për të kuptuar realitetin e korrupsionit post-komunist. “Kushtet e tregut kanë ndryshuar marrëdhëniet personale dhe kanë shkatërruar shumë miqësi – deklaroi një nga rusët e intervistuar nga Ledeneva – nuk ka më vend për ndere ashtu si dikur. Duket sikur favori nuk do të jetë më i njëjti dhe vetë fjala po mbetet në harresë.” Rezultatet e sondazheve të opinionit publik tregojnë se favori po e humbet rëndësinë e tij (Ledeneva, 1998; Miller et al., 2001). Fundi i ekonomisë së mungesave dhe ngritja e “parasë së vërtetë” ndryshoi rregullat e lojës. Procesi kryesor që vihet re në të gjitha vendet në tranzicion është monetarizimi i marrëdhënieve të favoreve dhe zëvendësimi i favorit me rryshfetin. Ekonomia e ndereve u zëvendësua nga ekonomia e shërbimeve me pagesë. Tranzicioni rizbuloi pushtetin e pakufizuar të parasë. Kështu nuk është e çuditshme që ish-shoqëritë komuniste reaguan ndaj monetarizimit të favorit në të njëjtën mënyrë që reaguan shoqëritë paramoderne në përplasjen e tyre më të hershme me modernitetin (Avramov, 2001). Sipas interpretimit tim, perceptimi brenda shoqërive në tranzicion se post-komunizmi është më i korruptuar se komunizmi lidhet me faktin se rryshfetet zëvendësuan favorin si forma dominuese e korrupsionit. Rrjetet e favoreve janë riorganizuar sipas principeve të tregut. Rrjetet e favoreve janë shndërruar në rrjete të korrupsionit klasik të përfshira në rishpërndarjen e pasurisë shtetërore, ndërsa forma të tjera të rrjeteve të favoreve thjesht janë zhdukur. Interesat personale janë bërë interesa biznesi. Sipas njërit prej pjesëmarrësve në sondazhin e Ledeneva-s “financat, licensat, kreditë me leverdi, aksesi në informacionin e biznesit, janë mungesat e sotme” (Ledeneva, 1998). Çështja kryesore është çfarë e bën favorin dhe rryshfetin kaq të ndryshëm në perceptimin e publikut post-komunist. Umit Berkman ka theksuar se sjellja korruptive është e kushtëzuar nga natyra e veprimit korruptiv (Miller et al., 2001). Karakteri jomonetar i favorit është kritik për të kuptuar pranueshmërinë e tij sociale. Qytetarët e kanë më të lehtë të ofrojnë dhurata sesa para. E nëpunësit kërkojnë më kollaj ndere sesa para (Miller et al., 2001). Por pranueshmëria sociale e favorit nuk mund të reduktohet tek karakteri i tij jomonetar. Në vitet e fundit të socializmit rryshfeti në para po rritej për nga rëndësia në marrëdhëniet e favoreve. Janë funksionet e fshehta të ndereve dhe rryshfeteve respektivisht në sistemet komuniste dhe post-komuniste ato që shpjegojnë dallimin. Favori është një formë korrupsioni e pranueshme nga shoqëria jo thjesht sepse është një formë jomonetare e korrupsionit, por sepse rrit barazinë sociale në shoqërinë komuniste. Ai “lejon” pjesëmarrësit në një transaksion favoresh të (keq-)identifikojnë aktivitetin e tyre si “ndihmë” dhe ta mbulojnë atë me retorikën e miqësisë. Në shumicën e studimeve favori analizohet si një shkëmbim shërbimesh dhe informacioni. Favori ishte i vetmi kanal për të paprivilegjuarit për të siguruar mallrat e pamjaftueshme. Shihej si një formë proteste kundër regjimit komunist. Por çfarë është edhe më e rëndësishme është se favoret ishin gjithashtu një shkëmbim i statuseve sociale. Në ekonominë e defiçiteve statusi i pushtetit të personit përcaktohej nga njëra anë nga pozicioni i tij në vertikalen e pushtetit (të qenit ose jo pjesë e nomenklaturës), por nga ana tjetër nga aksesi tek mallrat dhe informacionet e pakëta. Favori shkatërroi varësinë e konsumit nga vendi që zihej në hierarki. Në rradhët për marrjen e një libri të shquar, por në kopje të pamjaftueshme, nuk ishte profesori apo nëpunësi i lartë, por miku i librashitësit që zakonisht fitonte. Në formën e tij radikale favori ka zëvendësuar marrëdhëniet mes roleve publike me marrëdhëniet mes njerëzve. Kjo rishpërndarje e pushtetit mbështeti dhe në të njëjtën kohë shkatërroi pushtetin. E bëri jetën të durueshme por prishi marrëdhëniet e pushtetit. Besnikëria ndaj rrjetit tënd të ndereve ishte më e lartë se besnikëria ndaj shtetit. Duke përdorur këtë zhargon nderet fuqizuan të papushtetshmit. Në ligjërimet e shumicës së njerëzve “lidhjet” ishin të padrejta por ishin e vetmja mënyrë për të “bërë njerëzore” natyrën burokratike të regjimit. Fjala “burokraci” tingëllonte më keq se lidhjet. Diskursi për korrupsionin në periudhën komuniste ishte një diskurs i përfshirjes. Funksionet sociale të rryshfetit në realitetin post-komunist janë e kundërta e funksioneve të ndereve. Rryshfeti shkaktoi inflacionin e kapitalit shoqëror të përcaktuar si favor. Monetarizimi i marrëdhënieve shoqërore çoi në inflacionin e investimeve shoqërore që qytetari i zakonshëm ka derdhur në rrjetet e tij të ndereve. Në rrethanat e reja kanë mbjetuar vetëm rrjetet e favoreve të atyre që kanë pushtet. Tregu e zhveshi librashitësin nga pushteti i tij. Fundi i ekonomisë së mungesave uli peshën e pjesës së librashitësit në kooperativën e ndereve. Tani ai nuk ka asgjë për të ofruar përveç miqësisë së tij. Gjithashtu është shumë më e kushtueshme të mbash rrjetet e mëparshme të ndereve. Favori kushtëzohej jo vetëm nga ekonomia e mungesave por edhe nga kostoja e ulët e komunikimit, kafesë dhe pasjes me bollëk të kohës së lirë. Tani nuk është më e mundur të shpenzosh orë të gjata në telefon për të folur për asgjë dhe të largohesh nga zyra në çdo moment që miku juaj do t’ju takojë. Tranzicioni nga favori tek rryshfeti ishte i dhimbshëm për shoqëritë post-komuniste. Rryshfeti nuk mund të fshihet nën retorikën e miqësisë dhe kjo i bën njerëzit të mos ndihen rehat moralisht. Rryshfeti kontribuon në stratifikimin shoqëror duke e bërë më të lehtë për të pasurit të marrin atë që duan. “Korrupsioni sjell dallim; në të vërtetë nuk duhet të ekzistojë asnjë ndryshim” pohoi një pjesëmarrës në diskutimet e një fokus grupi në Sofje. Pabarazitë në pasuri sigurojnë mjetet për të paguar rryshfetet, ndërsa pabarazitë në pushtet sigurojnë mjetet për të detyruar dhënien e tyre (Miller et al., 2001). Pse opinioni publik në Evropën Lindore e percepton post-komunizmin si më të korruptuar se komunizmi? Kjo ese jep argumente për një përgjigje komplekse. Publiku gjykon për korrupsionin jo duke numëruar veprimet korruptive apo historitë e medias të lidhura me korrupsionin. Gjykimi për korrupsionin ndërmjetësohet nga funksionet sociale të korrupsionit në shoqëri. Ndryshimi dramatik i perceptimit të korrupsionit në Evropën Lindore gjatë dekadës së fundit nuk mund të shpjegohet thjesht me rritjen reale të korrupsionit apo rritjen e interesit të medias për korrupsionin. Ndjenjat antikorrupsion në Evropën Lindore u nxitën nga fakti se rryshfeti zëvendësoi favorin si formë tipike të korrupsionit. Publiku e sheh favorin si një formë sociale më të pranueshme të korrupsionit. Ishte karakteri jomonetar i favorit dhe roli i tij në rishpërndarjen e mallrave dhe pushtetit që e bënte atë të dukej më legjitim në sytë e opinionit publik. Dhënia e rryshfetit është më pak e pranueshme jo vetëm sepse është më e shëmtuar (nga ana estetike), apo sepse është më e rrezikshme (në terma ligjore). Dhënia e rryshfetit është më pak e pranueshme sepse është një mekanizëm që prodhon pabarazi sociale. Raporti i Bankës Botërore konstaton se “pabarazia brenda vendeve në tranzicion është rritur me ritme alarmuese. Në disa vende të rajonit pabarazia tashmë ka arritur nivele të njëjta me vendet më të pabarabarta të Amerikës Latine. Diskursi i njohur antikorrupsion nuk është një diskurs për transparencë apo qeveri të mirë, është një diskurs për rritjen e pabarazisë. Kjo është arsyeja pse diskursi antikorrupsion është diskursi më popullor për të kritikuar tregun dhe demokracinë në një shoqëri ku nuk ka një alternativë ndaj tregut dhe demokracisë. Paradoksi i shtetit ligjor Në fillim të viteve 1980-të tre “kriminelë” të çuditshëm ndanin të njëjtën qeli në burgun e Lefortovo-s në Moskë. Ata simbolizonin mjaft mirë tre armiqtë më të rrezikshëm të sistemit komunist. Lev Timofeev-i ishte disident dhe ekonomist që shkruante për korrupsionin si problem institucional në shoqërinë komuniste. Vahab Usmanov ishte një zyrtar i lartë sovjetik, ish ministër i pambukut në Uzbekistan, i cili në 1986-ën u ekzekutua për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Banori i tretë i qelisë ishte i një rëndësie më të ulët. Ai ishte një ish-profesor universiteti, i cili ishte arrestuar për spekulime monetare dhe marrje parash nga studentët e tij të huaj (Timofeev, 2000). Të tre qëndronin në burg në një kohë kur autoritetet sovjetike, të frymëzuar nga Andropov-i u përpoqën të përdornin fushatat antikorrupsion dhe retorikën antikorrupsion si një instrument për të zëvendësuar legjitimimin ideologjik të regjimit me një legjitimim racionalo-ligjor. Synimi përfundimtar ishte krijimi i shtetit ligjor socialist (Leslie Holmes). Që të tre ishin skeptikë për shanset e sipërmarrjes. Ish-ministri po përpiqej të kuptonte pse dikush duhet të futet në burg sepse ka bërë atë që të gjithë zyrtarët e lartë të partisë bëjnë zakonisht. Ishte e vërtetë se Usmanov-i po merrte rryshfete dhe ai nuk e mohoi këtë, por a ishte e mundur të mos merrje rryshfete kur të duhet të japësh rryshfete. Suksesi apo dështimi i prodhimit të pambukut uzbek varej nga suksesi i negociatave të ndërmjetësuara nga rryshfeti në Komitetin e Planifikimit dhe institucione të tjera federale. Për Usmanov-in fushata antikorrupsion ishte një formë e luftës së lidershipit. Timofeev-i ishte gjithashtu i paaftë të kapte logjikën e sipërmarrjes. Për të përbënte mister fakti se si lidershipi sovjetik po planifikonte të luftonte korrupsionin kur vetë ekzistenca e sistemit sovjetik varej nga ekzistenca e tregut të zi të mallrave dhe pushtetit. I burgosuri i tretë nuk kishte ndonjë argument të veçantë për të mos i besuar fushatës antikorrupsion, por ai ka një argument të përgjithshëm, ai nuk besonte në gjithçka që bënte qeveria. Të burgosurit kishin të drejtë për skepticizmin e tyre. Andropov-i filloi fushatën antikorrupsion dhe retorika antikorrupsion e lejuar zyrtarisht nuk rriti besimin tek qeveria, përkundrazi kontribuoi në delegjitimimin dhe rënien e sistemit komunist. Sipas mendimit tim, gjithashtu ka vend për skepticizëm se fushatat antikorrupsion janë rruga më e shkurtër drejt kulturës ligjore në Evropën Lindore. Një tipar i pashmangshëm i fushatës antikorrupsion është zgjerimi i vazhdueshëm i përkufizimit të korrupsionit. Në fillim të fushatës dyshohet se korrupsioni gjendet pothuajse kudo, me të arritur në mes të fushatës dyshohet se korrupsioni është pothuajse gjithçka. Faza e fundit është bindja se pothuajse gjithkush është i korruptuar. Frika ndaj akuzave për korrupsion paralizon energjinë e zyrtarëve të qeverisë dhe objektivi kryesor i politikëbërësve është të zgjedhin alternativa që duken të pastra, pavarësisht disavantazheve që mund të kenë. Të bërit e “transparencës” qëllim final të politikës shpjegon pse dy vitet e fundit qeveria bullgare doli në favor të privatizimit me ankand. Kritikat se ky lloj privatizimi nuk është mundësia më e mirë për të tërhequr investitorë strategjikë dhe për të penguar që paratë e krimit të hyjnë në proces nuk janë marrë në konsideratë. Për qeverinë ishte më e rëndësishme të vërtetonte pastërtinë sesa të zgjidhte një mundësi më të mirë ekonomike. Disavantazhi i dytë i fushatave antikorrupsion është se duke u fokusuar tek korrupsioni ato çojnë në errësimin e linjave mes opsioneve të ndryshme politike. Politika e përqendruar tek korrupsioni në një farë mënyre është fundi i politikës. Ajo moralizon alternativat politike në atë masë që politika reduktohet në zgjedhjen mes qeverisë së korruptuar dhe opozitës së pastër. Politika e përqendruar tek korrupsioni është një nga shpjegimet për shndërrimin e demokracisë së Evropës Lindore në demokraci të votës së protestës[†]. Disavantazhi i tretë i bërjes së fushatave antikorrupsion që përfundon me rritjen e delegjitimimit të elitës politike dhe administratës publike, është se një numër njerëzish të rinj dhe të talentuar, të cilët në mjedise të ndryshme do të zgjidhnin politikën ose administratën publike si zanatin e tyre, në rrethanat aktuale parapëlqejnë të qëndrojnë larg mbretërisë së të korruptuarve. Deklarata se, me përkufizim, politikanët janë të korruptuar mbështetet nga shumica e pjesëmarrësve në sondazhet e opinionit publik në vende si Bullgaria, Rumania dhe Maqedonia. Duke qenë se korrupsioni është një krim mjaft i vështirë për t’u vërtetuar, fokusi i aktual tek korrupsioni çon në rishpërndarjen e funksioneve, p.sh. për të rritur funksionet e agjensive hetuese. Besnike ndaj principeve të shtetit ligjor, gjykatat hasin vështirësi në dhënien e vendimeve për korrupsion. Ka një diferencë të pamasë mes numrit të politikanëve të akuzuar në media dhe numrit të politikanëve të dënuar nga gjykata. Presioni për vendime spektakolare gjyqi në kuadër të luftës kundër korrupsionit bie ndesh me faktin se korrupsioni është një nga krimet më të vështira për t’u vërtetuar në gjykatë. Në Bullgari pothuajse të gjithë ministrat e dhjetë viteve të fundit po hetohen ose janë hetuar duke u ndjekur penalisht bazuar në akuza për korrupsion, por nuk ka asnjë ministër në burg. Rezultati është rritja e mosbesimit tek sistemi gjyqësor dhe rritja e akuzave se sistemi gjyqësor është plotësisht i korruptuar. Në kundërshti me pritshmëritë apo qëllimet e arkitektëve të fushatave antikorrupsion në post-komunizëm, kryqëzata kundër korrupsionit mund të jetë e dëmshme për krijimin e kulturës së shtetit ligjor në Evropën Lindore ashtu siç është edhe vetë korrupsioni. Retorika antikorrupsion krijon pritshmëri, të cilat nuk mund të përmbushen nga rezultatet e politikave antikorrupsion, dhe arsyeja kryesore për këtë rreth vicioz që krijohet është natyra e ndjenjave antikorrupsion në periudhën e tranzicionit. Ndjenjat antikorrupsion nxiten jo nga niveli aktual i korrupsionit, por nga zhgënjimi i përgjithshëm me ndryshimet dhe rritjen e pabarazisë sociale. Është ky korrelacion i dobët mes botës së korrupsionit dhe botës së ndjenjave antikorrupsion që vë në pikëpyetje vlerën e fushatave antikorrupsion. Ajo për të cilën kanë nevojë shoqëritë post-komuniste janë politikat që reduktojnë korrupsionin, por jo një retorikë që çon në politika të përqendruara tek korrupsioni. Referenca Avramov, Rumen. (2001) Stopanskia XX vek na Bulgaria (Sofia: Centre for Liberal Strategies) Coulloudon, Virginie. (1997) “The Criminalization of Russia’s Political Elite,” East European Constitutional Review 6:73-78. De Sardan, Olivier J. P. (1999) “A Moral Economy of Corruption in Africa?” The Journal of Modern African Studies, 37, 1 (1999), 25-52. Dunn, Elizabeth. (1999) “Audit, Corruption, and the Problem of Personhood: Scenes From Postsocialist Poland,” Lecture in the Wissenchaftskolleg, Berlin. European Bank for Reconstruction and Development. (2000) Transition Report 2000: Employment, Skills and Transition (London: EBRD). Grødeland, Åse B., Tatyana Y. Koshechkina, William L. Miller. (1998) “’Foolish to Give and Yet More Foolish Not to Take’ – In-depth Interviews with Post-Communist Citizens on Their Everyday Use of Bribes and Contacts,” Europe-Asia Studies 50:651-677. Hellman, Joel S., Geraint Jones, Daniel Kaufman. (2000) “Seize the State, Seize the Day: State Capture, Corruption, and Influence in Transition,” Policy Research Working Paper 2444 (Washington DC: World Bank) Holmes, Leslie. (1993) The End of Communist Power: Anti-corruption Campaigns and Legitimation Crisis, (Cambridge, UK: Policy Press) Ledeneva, Alena V. (1998) Russia’s Economy of Favors: Blat, Networking and Informal Exchanges, (Cambridge, UK: Cambridge University Press) Meny, Yves. (2000) “Fin de siecle Corruption: Change, Crisis and Shifting Values, ” në Williams, R (ed.) Explaining Corruption (Cheltenham, UK: Edward Elgar Publishing Limited) Miller, William L., Åse B. Grødeland dhe Tatyana Y. Koshechkina, (1997) “How Citizens Cope with Postcommunist Official: Evidence from Focus Group Discussions in Ukraine and the Czech Republic,” Political Studies 45:597-625. Miller, William L., Åse B. Grødeland dhe Tatyana Y. Koshechkina. (1998a) “Are People Victims or Accomplicies? The Use of Presents and Bribes to Influence Officials in Eastern Europe,” Crime, Law, and Social Change 29:273-310. Miller, William L., Åse B. Grødeland dhe Tatyana Y. Koshechkina. (1999a) “Confessions: A Model of Officials’ Perspectives on Accepting Gifts from Clients in Post-Communist Europe,” Paper presented at the Coalition 2000 Conference in Varna, 19-20 qershor. Miller, William L., Åse B. Grødeland dhe Tatyana Y. Koshechkina. (1999b) “A Focus Group Study of Bribery and Other Ways of Coping with Officialdom in Postcommunist Eastern Europe,” Paper presented at the Coalition 2000 Conference in Varna, 19-20 qershor. Miller, William L., Åse B. Grødeland dhe Tatyana Y. Koshechkina. (2001) A Culture of Corruption: Coping with Government in Post-Communist Europe, (Budapest, New York: Central European University Press). Mishler, William, dhe Richard Rose. (1997) “Trust, Distrust, and Skepticism: Popular Evaluation of Civil and Political Institutions in Post-Communist Societies,” Journal of Politics 59(2): 418-51. Mishler, William, dhe Richard Rose. (1998) Trust in Untrustworthy Institutions: Culture and Institutional Performance in Post-Communist Societies, Studies in Public Policy Number 310, Centre for the Study of Public Policy, University of Strathcylde, Glasgow, Scotland Philp, Mark. (2000) “Defining Political Corruption” në Williams, R. (ed.) Explaining Corruption, (Cheltenham, UK: Edward Elgar Publishing Limited). Rose, Richard. (1999b) New Russia Barometer: Trends Since 1992. Studies in Public Policy 320, Centre for the Study of Public Policy, University of Strathcylde, Glasgow, Scotland Rose, Richard, dhe Christian Haerpfer (1998a) New Democracies Barometer V: A 12-Nation Survey, Studies in Public Policy 306, Centre for the Study of Public Policy, University of Strathcylde, Glasgow, Scotland Rose, Richard, dhe Christian Haerpfer (1998b) Trends in Democracies and Markets: New Democracies Barometer 1991-1998, Studies in Public Policy 308, Centre for the Study of Public Policy, University of Strathcylde, Glasgow, Scotland. Rose, Richard, William Mishler, dhe Christian Haerpfer. (1997) Getting Real: Social Capital in Post-Communist Societies, Studies in Public Policy 278, Centre for the Study of Public Policy, University of Strathcylde, Glasgow, Scotland. Rose-Ackerman, Susan. (1994) “Reducing Bribery in the Public Sector,” në Duc V. Trang, (ed.), Corruption and Democracy, (Budapest: Institute for Constitutional and Legislative Policy), 21-28 Rose-Ackerman, Susan. (1999) Corruption, Government: Causes, Consequences and Reform, (Cambridge UK: Cambridge University Press). Sajó, András. (1998) “Corruption, Clientelism and the Future of Constitutional State in Eastern Europe,” East European Constitutional Review Vol. 7, nr. 2. Shleifer, Andre, dhe Robert Vishny. (1993) “Corruption,” Quarterly Journal of Economics 108:599-617. Sztompka, Piotr. (1999) Trust: A Sociological Theory, (Cambridge UK: Cambridge University Press). Timofeev, Lev. (2000) Institutcionalnata Korupcia, (Moscow: Moscow State University Press). World Bank. (2000) Anticorruption in Transition: A Contribution to the Policy Debate, (Washington D.C.: The World Bank). [*] Kjo ese është shkëputur nga libri i autorit: Krastev, Ivan. (2004) Shifting Obsessions: Three Essays on the Politics o f Anticorruption, (Budapest: CEU Press) f. 43-74. [†] Vota e protestës është më shumë votë kundër partisë në pushtet sesa votë për një parti në opozitë (Shënim i përkthyesit).
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 5 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 98 |
![]() | Dje | 269 |
![]() | Kete jave | 98 |
![]() | Javen e shkuar | 1628 |
![]() | Kete muaj | 1303 |
![]() | Muajin e shkuar | 5624 |
![]() | Gjithe vizitat | 133018 |
We have: 5 guests online
Your IP: 38.107.179.222
,
Today: Feb 06, 2012
Your IP: 38.107.179.222
,
Today: Feb 06, 2012










