| Terrori, Islami dhe Demokracia |
|
|
|
|
Ladan Boroumand Roya Boroumand “Pse?” Kjo është pyetja që njerëzit në perëndim kanë ngritur që prej ngjarjeve të tmerrshme të 11 shtatorit. Cilat janë qëndrimet, besimet dhe arsyet e terroristëve dhe lëvizjes nga e cila këto rrjedhin? Çfarë i shtyn të rinjtë e vendeve myslimane të jenë të gatshëm, madje të etshëm, për t’u bërë kamikazë? Si shpjegohet urrejtja kaq e dhunshme që këta njerëz ushqejnë për perëndimin dhe veçanërisht për Shtetet e Bashkuara? Cilat janë rrënjët – morale, intelektuale, politike dhe shpirtërore – e fanatizmit vrasës që përjetuam atë ditë? Ndërkohë që këto pyetje kanë munduar ekspertët dhe komentatorët perëndimorë, përshtjellimi dhe hutimi i tyre intelektual përballë islamistit radikal (vini re ne nuk themi “islamikut”) ka dalë dhimbshëm në dukje. Kjo është shqetësuese, pasi sado e domosdoshme të duket një përgjigje e armatosur në afatshkurtër, është e pamohueshme se një strategji afatgjatë e suskesshme për të luftuar islamizmin dhe terroristët e tij do të kërkojë një kuptim të qartë se kush janë këta armiq, çfarë ata mendojnë, dhe si i kuptojnë ata motivet e tyre. Pasi, terrorizmi në rradhë të parë e mbi të gjitha është një sfidë ideologjike dhe morale e demokracisë liberale. Sa më shpejt mbrojtësit e demokracisë ta kuptojnë këtë dhe të kapin implikimet që rrjedhin prej këtej, aq më shpejt demokracia do ta përgatisë veten për të fituar luftën e ideve dhe vlerave që vlon prej kohësh e që shpërtheu me furi të plotë më 11 shtator. Hutimi i demokracive liberale përballë terrorizmit islamist duket i çuditshëm. Në fund të fundit, që nga viti 1793, kur fjala “terror” u përdor për herë të parë në kuptimin e saj politik e modern, në të ashtuquajturin terror të Revolucionit Francez, pothuajse çdo shtet në perëndim ka patur eksperienca me ndonjë lëvizje apo regjim terrorist. Atëherë, pse ky fenomen që është produkt i kohëve moderne jo më pak se vetë demokracia liberale, në këtë rast duket kaq i errët për analistët perëndimorë? Terrori islamist shpërtheu për herë të parë në skenën botërore me Revolucionin Iranian të vitit 1979 dhe me rrethimin e Ambasadës së Sh.B.A.-së në Teheran në nëntor të atij viti. Që prej asaj kohe islamizmi është përhapur, dhe mjetet ideologjike e politike që janë përdorur për të kufizuar terrorizmin kanë rezultuar përgjithësisht joefektive për ta ndaluar atë pothuaj kudo në perëndim. Prezenca e tij është globale, dhe ndikimi i tij ndihet jo vetëm në tokat e besimit të gjerë islamik që shtrihen nga Maroku dhe Nigeria në perëndim, deri në Malajzi dhe Miandanao në lindje, por edhe në shumë anë të Europës, Indisë, ish-botës Sovjetike, të Amerikave, e madje edhe në disa pjesë të Kinës perëndimore. Përpara Revolucionit Iranian terrorizmi shihej përgjithësisht si pasojë e drejtpërdrejtë e ideologjive moderne. Gjithsesi, terroristët islamistë pretendojnë se luftojnë mbi baza teologjike: Pak vargje nga Kurani dhe disa referenca tek sunna (“bëmat e Profetit”) i vënë vulë islamike çdo operacioni. E gjithë pëlhura ideologjike duket e thurrur nga thirrje që i bëhen traditës, etnicitetit dhe përplasjeve historike, si të vjetra ashtu edhe të reja, shoqëruar me një set të fuqishëm referencash që tingëllojnë fetare ndaj “të pafeve,” “idhtarëve,” “kryqtarëve,” “martirëve,” “luftrave të shenjta,” “tokës së shenjtë,” “armiqve të islamit,” ”partisë së Zotit” dhe “Satanit të madh.” Por ky fjalor fetar mbulon natyrën e vërtetë të islamizmit të dhunshëm si sfidë totalitare moderne ndaj islamit tradicional dhe demokracisë moderne. Nëse terrorizmi do të ishte vërtetë aq pranë zemrës së besimit islamik, ashtu si islamistët dhe shumë prej armiqve të tyre pretendojnë, atëherë pse terrorizmi islamist ndërkombëtar daton vetëm në vitin 1979? Kjo pyetje gjen një jehonë të fuqishme në qëndrimet e shumë studiuesve e teologëve të shquar islamikë, të cilët kanë dënuar vazhdimisht veprimet e rrjeteve islamiste. Me këtë nuk duam të themi se jurisprudenca dhe filozofia islamike parashtron një vizion demokratik të shoqërisë, apo pranon lehtësisht principet e demokracisë e të të drejtave të njeriut. Megjithatë, ajo zbulon mashtrimin e referencave të terroristëve tek udhëzimet islamike. Nuk ka asnjë precedent në historinë e islamit për dhunën tërësisht të pakufizuar të al-Kaedas apo Hezbollahut. Edhe sekti shi’it Ismaili, i njohur si Vrasësit, edhe pse shfrytëzoi njerëz që ishin gati të vdisnin për të vrarë armiqtë e tij, asnjëherë nuk ra në diçka të ngjashme me kasaphanën masive rastësore, për të cilën Hezbollahu, Osama bin Laden dhe ndjekësit e tij krenohen.[1] Të vrasësh veten ndërkohë që vret pa arsye gra, fëmijë dhe njerëz të të gjitha besimeve dhe përshkrimeve – nuk ka të bëjë aspak me islamin, dhe dikush nuk ka nevojë të jetë një teolog i ditur për ta parë këtë. E verteta është se terrori islamist bashkëkohor është dukshëm një praktikë moderne, gjerësisht në përplasje me traditat dhe etikën islame.[2] Një ilustrim mjaft domethënës i tensionit midis islamit dhe terrorizmit u dha nga një këmbim fjalësh që ndodhi mes dy myslimanësh në sallën e gjykatës franceze ku Fuad Ali Saleh (Fouad Ali Saleh) po gjykohej në lidhje me rolin e tij në valën e bombardimeve që tronditën Parisin në vitet 1985-86. Një nga viktimat e tij, një burrë i djegur rëndë në një nga këto sulme, i tha Salehut: “Unë jam një mysliman praktikues… A ju tha Zoti juve të hidhni bomba mbi foshjat dhe gratë shtatzëna?” Salehu iu përgjigj “Ju jeni algjerian. Sillni ndërmend çfarë u bënë [francezët] baballarëve tuaj.”[3] I sfiduar në lidhje me bazën fetare të veprimeve të tij, terroristi u përgjigj jo me vargje të Kuranit, por me akuza nacionaliste shekullare. Dëshmia në gjyqin e Salehut është magjepse. Ai ishte një mysliman suni, me origjinë nga Tunizia, i cili e kaloi fillimin e viteve 1980-të “duke studiuar” në Kom (Qom,) qendra teologjike shi’ite në Iran. Ai u trajnua për përdorimin e armëve në Libi dhe Algjeri, dhe eksplozivin e mori nga militantët pro-iranianë të Hezbollahut. Në mbrojtjen e tij, ai iu referua jo vetëm Kuranit dhe Ajatollah Komeinit (Khomeini), por edhe Zhan D’Arkës – e cila është, ndër të tjera, një heroinë e të djathtës ekstreme franceze – si shembull të dikujt që “mbrojti vendin e saj nga sulmuesit.” Më pas ai lexoi me zë të lartë pasazhe nga Revolta kundër Botës Moderne e Jul Evolas (Julius Evola) (1898-1974), një shkrimtar italian që citohet shpesh nga të djathtët ekstremistë europianë. Kjo çorbë e çuditshme ideologjike flet për rëndësinë e zbulimit të rrënjëve intelektuale të terrorizmit islamist.[4] Gjenealogjia e Islamizmit Idea e një lëvizjeje “pan-islamike”[5] u shfaq në fund të shek. XIX e fillim të shek. XX, në të njëjtën kohë me transformimin e shpejtë të shoqërive myslimane tradicionale në shtete-kombe. Ai që punoi më shumë se kushdo tjetër për t’i dhënë ideologjisë totalitare një formë islamike ishte mësuesi egjiptian i quajtur Hasan al-Bana (Hassan al-Banna) (1906-49). Bana për nga trajnimi nuk ishte teolog. I ndikuar thellësisht nga nacionalizmi egjiptian, në vitin 1928 ai krijoi Vëllazërinë Myslimane duke shpallur hapur synimin për të vepruar kundër ndikimit perëndimor.[6] Nga fundi i viteve 1930-të, Gjermania naziste kishte vendosur kontakte me oficerë të rinj revolucionarë në ushtrinë egjiptiane, përfshirë këtu shumë prej atyre që ishin afër Vëllezërve Myslimanë. Pa humbur kohë Vëllezërit, të cilët kishin filluar duke u marrë me aktivitete bamirësie, shoqërizimi dhe kulturore, kishin edhe një grup të rinor, një djep të besnikërisë së pakushtëzuar ndaj liderit, dhe një organizatë paramilitare ku slogani “aksion, bindje, heshtje” i përngjante motos së fashistëve italianë “beso, bindu, lufto.” Idetë e Banës binin ndesh me ato të ulema-s (teologëve) tradicionale, dhe që në vitin 1943 ai i paralajmëoi ata që e përkrahnin që të prisnin “opozitën më të ashpër” nga strukturat fetare tradicionale.[7] Bana mori nga fashistët – dhe përtej tyre, nga tradita europiane e dhunës revolucionare “transformuese” apo “purifikuese” që filloi me Jakobinët – idenë e vdekjes heroike si një formë arti politik. Edhe pse pak njerëz në perëndim mund ta mbajnë mend sot, është e vështirë të nënvlerësosh shkallën në të cilën estetikëzimi i vdekjes, mbulimi me lavdi i forcave të armatosura, adhurimi i martirizimit dhe besimi në “propagandën e bëmave” i dha formë ethosit si të së djathtës ekstreme ashtu edhe të së majtës ekstreme në fillimet e shekullit XX. Duke ndjekur Banën, militantët e sotëm islamistë përqafojnë një kult terrorist të martirizimit që ka më shumë të bëjë me Réflexions sur la violence të Xhorxh Sorelit (Georges Sorel) sesa me islamin suni apo shi’it.[8] Pas fitores së Aleancës në Luftën e Dytë Botërore, vrasja e Banës në fillim të vitit 1949, dhe Revolucionit Egjiptian të 1952-54-ës, Vëllezërit Myslimanë u gjendën përballë armiqësisë së një qeverie ushtarake shekullarizuese dhe një konkurence të mprehtë ideologjike nga komunistët egjiptianë. Said Kutbi (Sayyid Qutb) (1906-66), zëdhënësi i kreut të Vëllezërve dhe lidhja e tyre me komunistët, i dha formë përgjigjes ideologjike që do të krijonte bazën për islamizmin e sotëm. Kutbi ishte një pasues jo vetëm i Banës, por edhe i shkrimtarit dhe aktivistit pakistanez Said Abu’l-A’la Maududi (Sayyid Abu’l-A’la Mawdudi) (1903-79), i cili në vitin 1941 themeloi Jamat-e-Islami-e-Pakistan (Asamblenë Islamike të Pakistanit), e cila vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme politike në Pakistan, edhe pse nuk gëzon ndonjë mbështetje të madhe elektorale.[9] Heqja dorë nga nacionalizmi, të cilin më parë Maududi e kishte përkrahur, rriti interesin e tij për rolin politik të islamit. Ai denoncoi çdo nacionalizëm, duke e etiketuar atë si kufr (mosbesim). Duke përdorur terminologjinë marksiste, ai foli në favor të një lufte të një “pararoje revolucionare” islamike si kundër perëndimit ashtu edhe islamizmit tradicional, duke u bashkëngjitur mbiemrin “islamik” termave qartazi perendimorë si “revolucion,” “shtet,” dhe “ideologji.” Edhe pse u kundërshtua fuqimisht nga autoritetet fetare myslimane, idetë e tij ndikuan një generatë të tërë islamistësh “modernë.” Si të dy mësuesit e tij, Kutbi nuk kishte trajnim teologjik tradicional. I diplomuar në kolegjin e mësuesve të shtetit, në vitin 1948 ai vajti për të studiuar në Shtetet e Bashkuara. Dikur nacionalist egjiptian, ai u bashkua me Vëllezërit Myslimanë menjëherë pasi u rikthye në vendin e tij në 1950-ën. Marka e islamizmit të Kutbit u plotësua nga njohuritë e tij për kritikat marksiste dhe fashiste të kapitalizmit modern dhe demokracisë përfaqësuese.[10] Ai bënte thirrje për një shtet monolit të drejtuar nga një parti e vetme e rilindjes islamike. Ashtu si Maududi dhe totalitarë të ndryshëm përëndimorë, ai e identifikoi shoqërinë e tij (në rastin e tij, shoqëritë myslimane bashkëkohore) ndër armiqtë që një pakicë pararojë, e vetëndërgjegjshme ideologjikisht dhe e virtytshme do të duhej të luftonte me çdo mjet të nevojshëm, duke përfshirë revolucionin e dhunshëm, me qëllim që një shoqëri e re dhe përsosurisht e drejtë të mund të lindë. Shoqëria e tij ideale ishte një shoqëri pa klasa ku “individi egoist” i demokracive liberale do të zhdukej dhe “shfrytëzimi i njeriut nga njeriu” do të shuhej. Ajo do të qeverisej vetëm nga Zoti përmes zbatimit të ligjit islamik (shari’a). Ky ishte leninizëm me veshje islamiste. Kur regjimi autoritar i presidentit Gamel Abdel Nasser i shtypi Vëllezërit Myslimanë në vitin 1954 (do të përfundonte me varjen e Kutbit në 1966), shumë prej tyre mërguan në Algjeri, Arabi Saudite,[11] Irak, Siri dhe Marok. Prej andej, ata përhapën idetë e tyre islamiste revolucionare – duke përfshirë mjetet organizative dhe ideologjike të shkëputura nga totalitarizmat europiane – përmes një rrjeti që përfshiu një numër të gjerë universitetesh dhe shkollash fetare. Shumica e kuadrove te reja islamiste sot janë pasues të drejtëpërdrejtë intelektualë dhe shpirtërorë të krahut kutbist të Vëllazërisë Myslimane. Lidhja Iraniane Bana dhe Vëllazëria përkrahën krijimin e një rrjeti solidariteti që do të shtrihej në shkolla të ndryshme të islamit.[12] Ndoshta pjesërisht për shkak të këtij qëllimi për bashkim, mund të dallojmë ndikimin e Vëllezërve që në vitin 1945 në Iran, atdheu i pjesës më të madhe të shiitëve në botë. Atë vit, me t’u kthyer në vendlindje nga Iraku, një klerik i ri iranian i quajtur Navab Safavi krijoi një grup terrorist që vrau një sërë intelektualësh dhe politikanësh shekullarë iranianë. Në vitin 1953, Safavi me ftesë të Vëllezërve vizitoi Egjiptin, ku pretendohet se është takuar me Kutbin. Edhe pse grupi i Safavit u shtyp dhe ai vetë u ekzekutua pas dështimit të një sulmi për vrasjen e kryeministrit në vitin 1955, shumë nga anëtarët e tij do të shquheshin ndër ata që u bashkuan me Ajatollah Komeinin (1900-89) për të organizuar Revolucionin islamik të vitit 1979-të. Vetë Komeini në vitin 1962 mori një qëndrim politik duke u bashkuar me ajatollahë të tjerë për të kundërshtuar planet e shahut për reformën e tokës dhe të drejtën e grave për të votuar. Në këtë moment, Komeini nuk ishte një revolucionar por një tradicionalist i shqetësuar nga modernizimi dhe i paduruar për të mbrojtur privilegjet e kastës së tij klerike. Kur mbështetësit e tij organizuan një kryengritje urbane në qershor 1963, ai u arrestua dhe më pas mërgoi fillimisht në Turqi e më pas në Irak. Pika e kthesës erdhi në vitin 1970 kur Komeini, i cili ndodhej ende në Irak, u bë një prej autoriteteve fetare të pakta shi’ite që kaloi nga tradicionalizmi në totalitarizëm. Ashtu si Maududi,[13] ai bëri thirrje për një revolucion për të krijuar një shtet islamik, dhe i frymëzuar nga Kutbi ai dënoi të gjithë regjimet joteokratike si adhurues idhujsh. Mbështetësit e tij në Iran ishin aktivë në shoqatat kulturore islamiste që përhapnin, mes të tjerash, idetë e Kutbit dhe Maududit. Ideologjia e Kutbit u përdor nga studentët e Komeinit për të bashkuar me lëvizjen islamiste një gjeneratë të tërë të ndikuar nga kultura revolucionare mbizotëruese e botës – marksizëm-leninizmi. Komeini u bë figurë kryesore në historinë e terrorizmit islamist sepse ai ishte figura e parë fetare, vërtet e shquar, që i dha atij autoritetin e vet. Pavarësisht gjithë ndikimit mbi të rinjtë, përpara Revolucionit Iranian islamizmi ishte vetëm një profanim skajor. Kutbi dhe Maududi ishin amatorë teologjikë, të cilët nuk u pranuan nga studiuesit suni. Madje edhe Vëllezërit Myslimanë i kishin hedhur poshtë zyrtarisht idetë e Kutbit. Si studiues i shquar klerik, Komeini i dha totalitarizmit islamist respektueshmërinë që i kishte munguar aq shumë. Me të ardhur në pushtet, kundërshtari i dikurshëm i reformës së tokës dhe të drejtës së grave për të votuar u bë “progresist” duke nxjerrë një program masiv mbi shtetëzimin e shpronësimin dhe përfshirjen e grave në fushatat e propagandës dhe mobilizimit revolucionar. Tiparet leniniste të udhëheqjes së tij – politika e tij e terrorit, tribunalet e tij revolucionare dhe forcat ushtarake rezerviste, spastrimet e administratës, revolucioni i tij kulturor dhe qëndrimi miqësor ndaj Bashkimit Sovjetik – larguan shumicën e shokëve të tij klerikë, por edhe i siguruan mbështetjen aktive të Partisë Komuniste Iraniane, aleate e Moskës, e cila nga viti 1979 deri në vitin 1983 e vuri veten në shërbim të teokracisë së re. Revolucioni i Komeinit nuk ishte ekskluzivisht një fenomen shi’it. Jo rastësisht, një nga vizitorët e parë të huaj që u shfaq për ta uruar ishte islamisti suni Maududi; pa kaluar shumë kohë fytyra e Kutbit ishte në pullën postare iraniane. Pasardhësi i Komeinit, Ali Kamenei (Ali Khamenei,) e përktheu Kutbin në persisht.[14] Interesi i Komeinit për të krijuar “Internacionalen Islamiste” – e cila më vonë do të njihet me termin e rrëmbyer nga Kurani, Hezbollah (“partia e Zotit”) – u bë i qartë që në gusht të vitit 1979. Kominterni[*] Islamist Ashtu sikurse tregojnë këto lidhje, islamizmi është vetëdijshëm një fenomen pan-mysliman. Është humbje kohe dhe përpjekje e kotë të përpiqesh të bësh dallimin midis grupeve terroriste islamiste sipas ndryshimeve që pretendohet se kanë në bazë të një sërë ndasish tradicionale, fetare, etnike apo politike (shi’itët versus sunive, persianët versus arabëve, e kështu me rradhë). Arsyeja është e thjeshtë: Vetë grupet islamiste e shohin përpjekjen e tyre të përbashkët për të goditur perëndimin, ndërsa vënë nën kontroll botën myslimane, jashtëzakonisht më të rëndësishme se çfarëdo që mund të duket se i “ndan” ata nga njëri-tjetri. Hezbollahu, i bazuar tek libanezët dhe i mbështetur nga Irani, është një nga rastet në fjalë. Themeluesi i tij iranian ishte nga ndihmësit kryesorë të Komeinit, i cili u frymëzua nga një islamist i ri egjiptian – një inxhinier, jo teolog – i cili ishte i pari që politizoi atë që ka qenë një term i pastër fetar. Një vështrim më nga afër i organizatës nxjerr në pah ndikimin e fortë të marksizëm-leninizmit në ideologjinë e themeluesve dhe lidershipit të saj. Kreu aktual i grupit, Muhamed Hosein Fadlallah, i ndikuar nga teoritë e Marksit dhe Niçes mbi dhunën,[15] ka mbështetur hapur metoda terroriste dhe aleanca taktike me organizata të majta.[16] Hezbollahu është një krijim i suksesshëm i “kominternit” islamist. “Ne duhet,” thotë Sheiku Fadlallah, “t’i premtojmë devotshmëri liderit të revolucionit [Iranian] dhe revolucionarëve, ashtu sikurse vetë Zotit,” sepse “ky revolucion është vullnet i Zotit.”[17] Një tregues i shkallës së kësaj devotshmërie është fakti se të gjitha negociatat mbi fatin e pengjeve të mbajtura në Liban u ndërmorrën vetëm nga Teherani. Në të njëjtën mënyrë, kreu i Gardës Revolucionare të Iranit mburrej se kishte sponsorizuar sulmet kundër forcave paqeruajtëse franceze dhe amerikane në Liban.[18] Planifikuesi kryesor ushtarak i Hezbollahut, Imad Muganiah (Imad Muhganiyyah,) është një arab që vepron prej Iranit. Agjensitë perëndimore të inteligjencës dyshojnë se Hezbollahu ka qenë duke punuar me bin Ladenin për operacione ndërkombëtare që në fillim të viteve 1990-të.[19] Rrjeti terrorist i Hezbollahut në Liban përbëhet nga grupe shi’ite dhe suni, dhe ka gjithashtu edhe një krah të Arabisë Saudite që u përfshi në bombardimet e Kullave të Kobarit që vranë 19 trupa amerikane në vitin 1996. Edhe rrjeti terrorist i pavarur i sunive që më vonë u bë baza e al-Kaedas, u frymëzua nga Revolucioni Iranian. Regjimi i Teheranit filloi të krijonte organe të propagandës për të ndikuar opinionin ndër autoritetet fetare suni që prej vitit 1982.[20] Ndër institucionet supranacionale të krijuara ishte Kongresi Botëror i Imamëve të Predikimit të së Premtes, të cilët ishin të pranishëm në jo më pak se 40 shtete. Synimi gjithëpërfshirës i këtyre përpjekjeve ka qenë të mobilizojë “islamin e njerëzve” kundër “islamit reaksionar të themelimit.”[21] Për një varg arsyesh ky rrjet ka mbetur pa një organizim të fortë, por të gjitha degët e tij dalin dhe ushqehen nga i njëjti burim ideologjik. Ndikimi i revolucionit islamist të Iranit u përmend edhe nga anëtarë të Xhihadit Islamik Egjiptian, të cilët qëlluan për vdekje presidentin Anuor Sadat (Anwar Sadat) në tetor 1981. Teoricieni i tyre ishte një inxhinier, Abdesalam Faraj (Abdessalam Faraj,) të cilit gjithashtu i pëlqente të citonte Kutbin për të justifikuar terrorin.[22] Konspiratorët – përfshirë këtu edhe oficerët e rinj të ushtrisë të cilët ishin ata që qëlluan në të vërtetë – ishin frymëzuar nga modeli iranian, dhe prisnin që vdekja e Sadatit të sillte shpërthimin e një kryengritjeje masive që do të sillte në Kajro të njëjtat zhvillime që kishin ndodhur në Teheran[23] dy vjet më parë (ku autoritetet iraniane më pas do t’i vinin një rruge emrin e vrasësit të Sadatit). Midis atyre që u burgosën për lidhje me komplotin ishte një fizikant nga Kajro, i quajtur Aimen al-Zauairi (Ayman al-Zawahiri). Ai u bë kreu i Xhihadit Islamik Egjiptian pasi kreu tre vjet burg, takoi bin Ladenin në vitin 1985 dhe më pas u bashkua me të në Sudan në fillim të viteve 1990-të. Zauairi, i cili do të bëhej planifikuesi operacional kryesor i al-Kaedas, thuhet se është shprehur publikisht që Osama është “Çe Gevara i ri.”[24] Islamizimi i çështjes palestineze ka ardhur pjesërisht si pasojë e ndikimit të Komeinit mbi degën palestineze të Xhihadit islamik. Themeluesi i tij ishte një tjetër fizikant që quhej Fathi Shkaki (Fathi Shqaqi). Lëvdata e tij e vitit 1979 Komeini: Alternativa Islamike i dedikohej si liderit iranian, ashtu edhe Hasan al-Banës (“dy njerëzve të këtij shekulli”). Botimi i parë me një tirazh prej 10,000 kopjesh u shit brenda pak ditësh.[25] Shkaki, i cili ishte sigurisht suni, kishte shkuar gjithsesi në Teheran për të qenë bashkë me Ali Kamenein në podiumin e predikimit të së premtes, duke denoncuar procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe duke akuzuar Jaser Arafatin për tradhëti.[26] Duke Deformuar Historinë dhe Mësimet e Islamit Ashtu sikurse tregojnë këta shembuj, dallimet që mund të ekzistojnë midis këtyre grupeve terroriste errësohen përballë gatishmërisë së tyre për t’u bashkuar dhe për të bashkëpunuar në bazë të një seti të përbashkët besimesh ideologjike. Këto besime do të duhet të quheshin “islamiste” e jo “islamike” pasi ato në fakt janë në kundërshtim me islamin – një kundërshti që nuk duhet të lejojmë të mbulohet nga zakoni i terroristëve për të komanduar terminologjinë fetare islamike e për ta përzier atë me përmbajtjen e tyre të shtrembëruar. Një ilustrim i kësaj është interpretimi nga islamistët i hijra-s – udhëtimi i Muhamedit në shtator 622 e.s. nga Meka në Medinë për të gjetur komunitetin e parë islamik, plotësisht të realizuar dhe autonom (umma). Pavarësisht një pasurie faktesh historike dhe doktrinare, në kundërshti me të, islamistët me arsimim gjysmak këmbëngulin në portretizimin e këtij udhëtimi si një shkëputje revolucionare nga shoqëria ekzistuese që i hap rrugë dëshirës së tyre për të shkishëruar shoqëritë e sotme myslimane në mbrojtje të vizionit të tyre thellësisht utopik. Republika Islamike e Iranit qëndron mbi profanimin, në këtë rast mbi teorinë e re e madje idiosinkratike të Komeinit për pushtetin absolut të jurisprudentit islamik suprem (faqih). Nuk është rastësi që një nga kryengritjet e para kundër regjimit të Komeinit u frymëzua nga një ajatollah i rëndësishëm, Shariat Madari.[27] Zyrtarët e regjimit e kanë pranuar se shumica e klerikëve iranianë kanë mbajtur një qëndrim dyshues ndaj Komeinizmit. Është e rëndësishme të kuptojmë se referencat fetare që Komeini përdorte për të mbështetur qeverisjen e tij ishin të njëjta me ato të përdorura një shekull më parë nga një ajatollah i shquar, i cili mbronte legjitimitetin e parlamentarizmit dhe sovranitetit popullor mbi baza islamike.[28] Vargjet e Kuranit mund të çojnë në interpretime të ndryshme e madje kontradiktore. Ndaj duhet t’i referohemi diçkaje tjetër e jo burimeve fetare islamike nëse duam të kuptojmë islamizmin dhe luftën që ai ndez në shoqërinë e tij, një luftë ku terrorizmi ndërkombëtar është vetëm njëra faqe. Në një artikull të shkurtër mbi deklaratën e bin Ladenit në vitin 1998 për xhihadin kundër Shteteve të Bashkuara, Bernard Luis (Bernard Lewis) tregon në mënyrë të mahnitshme si bin Ladeni transformoi jo vetëm fakte (për shembull, duke e etiketuar prezencën e kërkuar ushtarake të SH.B.A-së në Arabinë Saudite një pushtim “kryqtari,”) por edhe doktrinën islamike duke bërë thirrje për therrjen pa dallim të çdo dhe gjithë qytetarëve amerikanë, kudo gjenden në botë. Duke u rikujtuar lexuesve të tij se ligji islamik (shari’a) e sheh xhihadin si asgjë më tepër se një luftë normale që i nënshtrohet rregullave që kufizojnë konflikte të tilla, Luis përfundonte se “Asnjë pikë në tekstet kryesore të islamit nuk udhëzon terrorizëm apo vrasje. Askund në to nuk bëhet fjalë për masakrimin rastësor të soditësve të papërfshirë.”[29] Çfarë i jep forcë nocionit terrorist të xhihadit të krijuar nga iranianët dhe më pas të marrë nga bin Ladeni nuk janë rrënjët e tij në Kuran – nuk ka të tilla – por suksesi brutal i akteve terroriste. Bin Ladeni ka folur me admirim të veçantë për bombardimin kamikaz të mbështetur nga iranianët, të kamionit që vrau 241 marinsa amerikanë dhe të tjerë në Bejrut më 23 tetor 1983, që çoi në tërheqjen e SH.B.A-së nga Libani.[30] Gjithashtu, bin Ladeni nuk ishte i pari që mendoi të ngrinte kampe trajnimi për terroritët ndërkombëtarë – autoritetet e Teheranit e bënë këtë përpara tij.[31] Një predikim i së premtes i mbajtur në 1989-ën nga një prej këtyre autoriteteve, Ali-Akbar Hashemi Rafsanjani, në atë kohë kryetar i Parlamentit Islamik, shpalos më mirë se çfarëdo tjetër logjikën e terrorizmit islamist. Duke sulmuar ekzistencën e Izraelit si një tjetër front i luftës së vazhdueshme të mosbesimit (kufr) kundër islamit, Rafsanjani shtoi: Nëse për çdo palestinez të vrarë sot në Palestinë do të ekzekutoheshin pesë amerikanë, anglezë apo francezë, ata nuk do të bënin më akte të tilla… [K]a amerikanë kudo në botë… [A]ta mbrojnë Izraelin. A ka ndonjë vlerë gjaku i tyre? Frikësojini jashtë Palestinës që të mos ndihen të sigurtë… Ka qindra mijëra palestinezë në një shtet. Ata janë të arsimuar dhe punojnë… [F]abrikat që janë në shërbim të armiqve të Palestinës funksionojnë falë punës së palestinezëve. Hidhni në erë fabrikën. Atje ku punon, mund të veprosh… Lërini t’ju thërrasin terroristë… Ata [“imperializmi i informacionit dhe propagandës”] kryejnë krime dhe e quajnë këtë të drejta të njeriut. Ne e quajmë këtë mbrojtje të të drejtave dhe të një populli të shtypur… Ata do të thonë se kryetari i Parlamentit po ndjell zyrtarisht terror… [L]ërini ta thonë.[32] Këtu nuk ka asnjë referencë tek feja; apeli i Rafsanjanit është plotësisht politik. Sulmin e perëndimit ai e quan të drejta të njeriut; kundër tij ai i nxit myslimanët të ushtrojnë terror si arma më e mirë për të mbrojtur të drejtat e një populli të shtypur. Për më tepër, Rafsanjani lartëson me krenari “terrorin” me këtë emër, duke përdorur fjalën angleze dhe jo ekuivalenten e saj në persisht apo arabisht. Kështu ai përdor të njëjtin term që Lenini kishte marrë nga la Terreur i Revolucionit Francez. Linja nga gijotina dhe Çeka tek kamikazi është e qartë. Me këtë gjë në mendje, le t’i hedhim për një moment një sy Revolucionit Francez, ku u krijua koncepti modern i terrorit politik, për të gjetur shpjegimet që tradita islame nuk mund të na japë. Kur shpalli politikën e saj të terrorit në shtator 1793, “pakica e virtytshme”, e cila në atë kohë drejtonte qeverinë revolucionare të Francës, po i shpallte luftë vet shoqërisë së saj. Në zemër të kësaj lufte ishte një përplasje mes dy kuptimeve të “popullit”, në emër të të cilit kjo qeveri pretendonte se qeveriste. Njëri ishte një grup prej 25 milionë individësh që ekzistonin realisht, secili me të drejta natyrore. Tjetri në thelb ishte një krijim ideologjik, një abstraktim, një trup i pandashëm dhe mistik me pushtet absolut. Terrori i Revolucionit Francez nuk ishte as një gabim e as një aksident fatkeq; ai synonte të pastronte këtë trup mistik nga ato që elita terroriste i shihte si influenca korruptuese, mes të cilave rendisnin nocionin që qeniet njerëzore individuale kanë të drejta të patjetërsueshme.[33] Zëdhënësi i revolucionit islamist i bën jehonë terroristëve të Francës jakobine. Shkelja e të drejtave të njeriut shënon edhe pikëtakimin e luftës së brendshme për shoqërinë myslimane me luftën terroriste kundër perëndimit. Mjafton të dëgjosh komentet e bin Ladenit pas shkatërrimit të Qendrës Botërore të Tregtisë: “Ato kulla të mahnitshme simbolike që flasin për liri, të drejta të njeriut dhe njerëzim u shkatërruan. Ato u mbytën në tym.”[34] Çdo fushatë terroriste islamiste kundër perëndimit gjatë 20 viteve të fundit ka patur të njëjtin burim me përpjekjet islamiste për të tiranizuar një popullsi myslimane diku në botë. Kujtoni makthin nën të cilin Talibanët dhe al-Kaeda nënshtruan popullsinë e Afganistanit, apo atë çfarë algjerianët e zakonshëm vuajtën gjatë luftrave civile të egra islamiste të viteve 1990-të. Ose mendoni për gjendjen e terrorit që përditë mbyt çdo shpresë për njohjen e të drejtave të njeriut në Iran. Për të analizuar plotësisht këtë korrelacion mes terrorit kundër perëndimit dhe tiranisë kundër myslimanëve do të nevojitej një tjetër ese. Megjithtë ne mund të krijojmë një ide të natyrës së tij duke parë rastin e parë të terrorizmit islamist kundër Shteteve të Bashkuara, mbajtjen e pengjeve në Teheran në vitin 1979. Duke Mbajtur Demokracinë Peng të Terrorit Pasi liruan pengjet në janar 1981, autoritetet e Teheranit u krenuan për fitoren e tyre, të cilën kryeministri Muhamed Ali Raxhai (Mohammad Ali Rajai) e quajti “fitoren më të madhe politike në historinë sociale të botës” dhe një vepër që “gjunjëzoi forcën më të madhe satanike.” Në pamje të parë ky pretendim mund të duket idiot, pasi Shtetet e Bashkuara i kishin thënë jo kërkesave të qeverisë revolucionare për të dorëzuar shahun dhe për të shkrirë asetet iraniane. Por një vështrim më në brendësi tregon se islamistët iranianë në fakt kishin shënuar një ftore të madhe politike dhe ideologjike si kundër Shteteve të Bashkuara ashtu edhe kundër kundërshtarëve të brendshëm, dhe kështu kishin arsye të mjaftueshme për eufori. Marrja nën kontroll e ambasadës amerikane ndodhi në kohën kur Komeini dhe aleatët e tij nuk e kishin konsoliduar ende regjimin e tyre tiranik. Një Asamble Ekspertësh po hartonte kushtetutën e Republikës islamike. Opozita po forcohej dita ditës në qarqet fetare dhe ato shekullare të moderuara. E majta marksiste-leniniste e zemëruar nga një kufizim i shtypit të saj, po bëhej kryeneçe. Rebelime të hapura po shpërthenin në rajone të ndjeshme kufitare të populluara nga kurdë dhe azerë etnikë. Duke dërguar kuadrot e veta të përbëra nga studentë radikalë për të marrë nën kontroll ambasadën amerikane dhe për të mbajtur peng stafin e saj, regjimi zgjidhi nyjen gordiane të këtyre sfidave me një lëvizje të vetme, e madje e vuri veten në pozitën për të imponuar kushtetutën e tij të kritikuar gjerësisht. Vlerësimi i Rafsanjanit mbi domethënien e këtij akti na mëson shumë: Në muajt e parë të revolucionit, Shtëpia e Bardhë e Uashingtonit vendosi të përkrahte grushtin e shtetit në Iran. Idea ishte të infiltronte grupe iraniane dhe për të nisur një lëvizje për të asgjësuar revolucionin. Por pushtimi i ambasadës dhe sulmi i njerëzve kundër SH.B.A.-së e neutralizoi këtë plan, duke e shtyrë SH.B.A.-në drejt një qëndrimi në mbrojtje.[35] Dikush do të mund ta përshkruante këtë version të fakteve si një parodi: Në vitin 1979 ishte e qartë se qeveria e SH.B.A.-së nuk kishte as vullnetin dhe as mundësinë për të vënë në jetë një grusht shteti kundër Republikës islamike. Por totalitarët kryesisht flasin një gjuhë të brendshme të tyre. Ata që administruan terrorin në Francën revolucionare i quajtën disa nga republikanët më të shquar të vendit të tyre “monarkistë” përpara se t’i çonin në gijotinë. Bolshevikët i quajtën punëtorët grevistë dhe marinarët e Kronstadtit “banditë” dhe “kundërrevolucionarë” përpara se t’i masakronin. Në vitin 1979 promovimi i të drejtave të njeriut ishte një nga aspektet kryesore që Shtetet e Bashkuara kishin përcaktuar për politikën e tyre të jashtme. Sipas logjikës së Rafsanjanit del se çdo grup Iranian që fliste për të drejtat e njeriut tregonte se ishte vegël e Shteteve të Bashkuara. Dhe në të vërtetë, ndërsa negociatat e ngatërruara për pengjet tërhiqeshin zvarrë, administrata e presidentit Xhimi Karter hoqi dorë nga çdo tryezë për mbështetjen e demokracisë në Iran[36] - çështje për të cilën Karteri kishte marrë përsipër rrezikun e ndërprerjes së mbështetjes amerikane për shahun. Ndërkohë, regjimi revolucionar filloi të përdorte taktikat staliniste duke deklaruar se kushdo që fliste në mbështetje të një qeverisjeje më përfaqësuese në të vërtetë ishte një agent i SH.B.A.-së.[37] Përmes krizës së pengjeve regjimi islamist ishte i aftë ta bënte antiamerikanizmin një temë aq kryesore sa marksistët iranianë dhanë mbështetjen e tyre, ndërsa Moska shtriu mbrojtjen e saj të heshtur për teokracinë e re. Pas dështimit të përjekjes shpëtuese “Shkretëtira Një” të ushtrisë amerikane në 25 prill 1980 dhe tetë muajsh të tjerë negociatash, Shtetet e Bashkuara më në fund arritën të siguronin lirimin e pengjeve. Për këtë atyre ju desh të pranonin të njihnin legjitimitetin e regjimit revolucionar iranian, dhe të premtonin se nuk do të ngrinin asnjë akuzë kundër Iranit përpara autoriteteve ndërkombëtare, pavarësisht shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare që ishin shënuar. Edhe pse këto lëshime mund të dukeshin të domosdoshme në atë kohë, në retrospektivë mund të shohim se ato i dhanë zemër islamistëve të zhyteshin në nivele të reja të urrejtjes dhe pakënaqësisë ndaj perëndimit dhe ligjëratave të tij për të drejtat e njeriut. Po sikur studentët dhe klerikët revolucionarë në Teheran të mos e kishin detyruar satanin e madh të braktiste principet e tij e të gjunjëzohej? Terroristët i matën me përpikmëri përmasat e fitores së tyre dhe nxorrën konkluzione prej saj. Ata përdorën terrorin për të arritur synimin e tyre, dhe mbi përdorimin e vazhdueshëm të terrorit qëndron edhe mbijetesa e tyre. “[Amerika] është në mbrojtje. Nëse nesër ajo ndihet e sigurtë, atëherë do të mendojë të vërë në jetë projektet e saj imperialiste.”[38] Ndër këta projekte janë të drejtat e njeriut, të cilat një përfaqësues i Republikës islamike i denoncoi përpara Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut si një “mit imperialist.”[39] Që nga koha e marrjes së pengjeve në Teheran në vitin 1979 deri tek sulmet terroriste të shtatorit të kaluar, politikëbërësit perëndimorë shumë shpesh në mënyrë të nënkuptuar i kanë zbutur thirrjet për drejtësi dhe i kanë bërë bisht detyrës si ndaj qytetarëve të tyre, ashtu edhe ndaj çështjes së të drejtave të njeriut duke refuzuar të ndjekin terroristët me vendosmëri të vërtetë. Për të justifikuar shitjen e drejtësisë u përdorën konsiderata për “pragmatizëm” dhe “kujdes”, të cilat në një nga ironitë më të egra të shpalosura nën dritën e ashpër të 11 shtatorit, treguan se nuk kanë qënë aspak të kujdesshme. Që prej pandëshkueshmërisë që iu dha pengmarrësve të Teheranit, shkeljet e terroristëve janë rritur për sa i takon shpeshtësisë dhe numrit. Krahas gjithë pyetjeve të ngritura për masat e sigurisë, dështimet e inteligjencës, përgjegjshmërisë së vendim-marrjes në politikën e jashtme, e të tjera si këto, mizoria e 11 shtatorit i shtyn qytetarët e vendeve demokratike të pyesin veten sa të zotuar janë ndaj vlerave demokratike. Armiqtë e tyre mund të besojnë në një fantazi, por ata kanë treguar se janë gati të vdesin për të. Përballë sakrificës së terroristëve qytetarët e botës së lirë duhet të analizojnë ndërgjegjen e tyre; ata duhet të rivlerësojnë natyrën e besnikërisë së tyre ndaj demokracisë së brishtë dhe papërsosur. Në veçanti, rrjetet e forta solidare që totalitarët islamistë kanë krijuar duhet t’i shtyjnë qytetarët në shoqëritë demokratike të pyesin veten sa ata dhe qeveritë e tyre kanë bërë për të ndihmuar aktivistët pro demokracisë, të cilët janë persekutuar për vite me rradhë në Iran, Algjeri, Afganistan, Sudan e gjetkë. Ata qëndrojnë të paarmatosur në krye të luftës kundër terrorit dhe tiranisë, dhe ata meritojnë mbëshjtetje. Këtu ka një sfidë morale, politike e madje filozofike, tek e cila mendjet dhe zemrat e perëndimit duhet të përqëndrohen. Cili është fati i botës myslimane? Terrori islamist përbën një tjetër problem por jo më pak të rëndë për ata (përfshirë autorët e kësaj eseje) që vijnë nga vende islamike dhe mbart një sfidë të veçantë për intelektualët myslimanë. Opinioni publik në botën islame e ka dënuar gjerësisht – nëse ndoshta shumë qetësisht – masakrën e 11 shtatorit. Në Iran njerëz të rinj dolën spontanisht nëpër rrugë duke përballuar me guxim arrestimet dhe dhunën e policisë për të ndezur një qiri për viktimat. Por në disa vende myslimane pati gjithashtu edhe shpërthime festive dhe demostrata të konsiderueshme anti-amerikane, si në Pakistan. Ndoshta edhe më shqetësuese kanë qenë thashethemet e vazhdueshme, të përhapura, që vërtiten në shoqëritë myslimane se në një farë mënyre pas sulmeve qëndron një konspiracion izraelit. Forca dhe përhapja e këtij thashethemi janë simptoma të një largimi kolektiv nga një realitet i pakontrollueshëm. Është e vërtetë që çështja palestineze është një çështje e dhimbshme dhe e ndërlikuar që kërkon një zgjidhje të paanshme. Por është gjithashtu e vërtetë se përpjekja dalja në konspirata të huaja është kthyer në një rrugë të lehtë për shumë prej nesh që vijmë nga vendet myslimane për të shmangur përgjegjshmërinë. Gjatë shekujve të fundit bota islamike ka përjetuar një ndeshje traumatike me perëndimin. Që në fillim të kësaj ndeshjeje botësh, historia jonë ka qenë një tregim i modernizimit të pakthyeshëm, por edhe i sundimit absolut nga njëra anë dhe zemëratës nga ana tjetër. Për mendjet e myslimanëve perëndimi dhe praktikat e tij janë bërë një mit i fuqishëm – i keq, i papërshkueshëm dhe i pakuptueshëm. Cilado qoftë padrejtësia e botës perëndimore ndaj myslimanëve, mbetet i vërtetë fakti që studiuesit perëndimorë të paktën kanë bërë përpjekje për të mësuar rreth dhe kuptuar botën islamike. Por fatkeqësisht, punimet e mëdha dhe brilante të “orientalistëve” perëndimorë nuk kanë patur jehonë për një shkollë myslimane të ”oksidentalizmit.” Neve na ka munguar aftësia apo vullneti për t’u hapur ndaj të tjerëve. Kemi shpresuar për një zgjidhje të lehtë, atë të maskimit të kategorive intelektuale dhe koncepteve të importuara perëndimore nën veshjet e islamit. Duke bërë kështu ne jo vetëm që nuk kemi arritur të shfrytëzojmë mundësinë për të kuptuar perëndimin, por kemi humbur edhe çelësin për në kulturën tonë. Përndryshe, si do të mundte një leninizëm i degjeneruar të kërkonte të hiqej sot si shprehja e vërtetë e një feje të madhe monoteiste? Islamistët e shohin veten si luftëtarë guximtarë kundër modernizmit dhe perëndimit, por në fakt kanë qenë pikërisht këta që kanë importuar dhe pastaj veshur me petk islamik disa nga idetë më të dyshimta që janë shfaqur ndonjëherë në perëndimin modern, ide të cilat tani – pas shumë vdekjesh dhe vuajtjesh – vetë perëndimi i ka hedhur poshtë. Nëse nuk do të ishim bërë kaq të huaj ndaj trashëgimisë sonë kulturore, teologët dhe intelektualët tanë do të mund të kishin bërë një punë më të mirë për të shpalosur antinominë mes asaj që islamistët thonë dhe asaj që islami mëson në të vërtetë. Ata do të mund të dobësonin më me efektivitet pretendimin e terroristëve se janë përfaqësuesit e zgjedhur dhe të drejtpërdrejtë të Zotit në tokë, edhe ndërsa predikojnë një doktrinë që nuk bën gjë tjetër veçse risjell sakrificën njerëzore, sikur Zoti të mos e kishte dërguar kurrë ëngjëllin për të ndalur Abrahamin të vriste djalin e tij. Paaftësia jonë për të kutpuar realitetin qëndron në zemër të paranojës sonë. Nëse do t’i hidhnim një vështrim më të qartë dhe të kujdesshëm perëndimit, do të shihnim se ai e merr fuqinë e tij nga aftësia për të bërë vetëanalizë dhe krikë të patundur ndaj vetes. Do të kuptonim se kultura perëndimore nuk ka rreshtur kurrë duke na kërkuar, si figurë e të huajit, ta ndihmojmë të kuptojë veten dhe të luftojë veset e saj. Kur nuk e gjeti dot tjetrin, ajo e krijoi atë: Tomas Mor (Thomas More) imagjinoi një ishull të humbur të quajtur Utopia për të pasqyruar problemet sociale të kohës së tij; Mishel de Montenj (Michel de Montaigne) i shprehu kritikat e tij rreth politikës franceze në formën e një bashkëbisedimi me një shef indian nga Brazili; Monteskje krijoi letra nga një turist persian për të denoncuar veset e Europës. Po të kishim patur ekspertët tanë të shquar të qytetërimit europian, do mund të dinim se perëndimi është një etnitet i ndryshëm, i shumtë dhe i ndërlikuar. Kultura e tij politike ka prodhuar tmerre, por edhe institucione që mbrojnë dinjitetin njerëzor. Një nga këto tmerre ishte imperializmi që iu imponua myslimanëve dhe vendeve të tjera, por edhe kjo i dëmtoi vetë europianët po aq sa edhe neve, sikurse e di kushdo që njeh shifrat e viktimave të Luftës së Parë Botërore. Ekspertët tanë do të na kishin ndihmuar të kuptonim që denoncimet e Kutbit dhe Komeinit për të drejtat e njeriut ishin jashtëzakonisht të ngjashme me denoncimin e Papa Piut VI për Deklaratën Franceze të të Drejtave të Njeriut të vitit 1789. Ne do të mund ta kishim kapur që jo shumë kohë më parë perëndimorët hasën të njëjtat pengesa që ne hasim sot në rrugën drejt demokracisë. Qytetarët në perëndim luftuan për lirinë e tyre; në këtë luftë ata nuk humbën as shpirtin dhe as fenë e tyre. Ne gjithashtu duhet të përveshim mëngët të luftojmë për liri, duke mbajtur parasysh se së pari e mbi të gjitha ne jemi qenie njerëzore të lira e të përgjegjshme që Zoti i ka pajisur me dinjitet. Shënime Do të donim të falenderonim Hormoz Hekmat për komentet dhe kritikën e tij të vlefshme dhe Laith Kubba-n për informacionet e vlefshme që na siguroi. [*] Kominterni ishte një organizatë ndërkombëtare e partive komuniste që u krijua nga Lenini në vitin 1919 dhe u shpërbë në vitin 1943. [1] Bernard Lewis, The Assassins: A Radical Sect in Islam (New York: Oxford University Press, 1987), 133-34. [2] Mbi profanimin e referencave të islamistëve te jurisprudenti mysliman Ibn Taymiyya (1263-1328), shiko Olivier Carré, Mystique et politique: Lecture révolutionnaire du Coran par Sayyid Qutb, Frère musulman radical (Paris: Cerf, 1984), 16-17. Mbi teologjinë dhe jetën e Ibn Taymiyya shiko Henri Laoust, Pluralisme dans l’Islam (Paris: Librairie Orientaliste Paul Geuthner, 1983). [3] Ngjarjet mbi çështjen gjyqësore të Salehut janë marrë nga raportimet në Le Monde (Paris), 8 dhe 10 prill 1992. [4] Për një përmbledhje rreth karierës së rrjeteve terroriste islamiste, shiko Xavier Raufer, La Nebuleuse: Le terrorisme du Moyen-Orient (Paris: Fayard, 1987); Roland Jacquard, Au nom d’Oussama Ben Laden: Dossier secret sur le terroriste le plus recherché du monde (Paris: Jean Picollec, 2001); Yossef Bodansky, Bin Laden: The Man Who Declared War on America (Rocklin, Calif.: Prima, 1999); Gilles Kepel, Jihad: Expansion et decline de l’islamisme (Paris: Gallimard, 2000); dhe Yonah Alexander dhe Michael S. Swetnam, Usama Bin Laden’s al-Qaida: Profile of a Terrorist Network (New York: Transnational Publishers, 2001). [5] Për t’i bërë ballë kolonializmit perëndimor, intelektualët myslimanë dhe studiuesit fetarë si Said Xhemal al-Din ‘al-Afgani i Iranit dhe Muhamed Abduh i Egjiptit dolën në përfundimin se në shoqëritë myslimane nevojitej një reformism dhe interpretim i ri i islamit. Reforma që ata mbështesnin kishte si qëllim të pajtonte islamin dhe modernitetin. Ata kërkuan të promovonin lirinë e individit, drejtësinë sociale dhe liberalizmin politik. Gjithsesi, pas Luftës së Parë Botërore kjo lëvizje u mposht nga një tjetër, e cila ishte kundër liberalizmit politik. Rreth Afganit, shih Nikki K. Keddie, An Islamic Response to Imperialism: Political and Religious Writings of Sayyid Jamal al-Din ‘al-Afghani (Berkeley: University of California Press, 1983). Rreth Abduhut, shih Yvonne Haddad. “Muhammad Abduh: Pioneer of Islamic Reform,” nw Ali Rahnema, ed., Pieneers of Islamic Revival (London: Zed, 1994), 31-63. [6] Kjo pjesw bazohet tek David Dean Commins, “Hassan al-Banna (1906-49),” nw Ali Rahnema, ed., Pioneers of Islamic Revival, 146-47; si edhe tek Richard P. Mitchell, The Society of the Muslim Brothers (London: Oxford University Press, 1969). Shih edhe Gilles Kepel, Muslim Extremism in Egypt (Berkeley: University of California Press, 1993). [7] Richard P. Mitchell, The Society of the Muslim Brothers, 29. [8] Përshtypja e përhapur por e gabuar se një kult shi’ite i martirizimit shërben si frymëzim fetar për sulme kamikaze është një nga iluzionet për veten e tyre që terroristët kultivojnë me zotësi. Është e vërtetë që shi’itët admirojnë Hyseinin (d. 680 e.s.), imami i tretë dhe nip i Profetit, si një martir të shenjtë. Megjithatë, mësimet shi’ite udhëzojnë shmangien e martirizimit, madje rekomandojnë taqieh (“fshehjen e besimit”) si mënyrë të ruajtjes së jetës nga persekutuesit vrasës. Për më tepër, sunitë nuk shquhen për përkushtim ndaj Hyseinit, e përsëri kur vjen puna për sulme kamikaze, mes sunive të al-Kaedas dhe kuadrove kryesisht shi’ite të Hezbollahut ka pak ndryshim. Ka ngjashmëri befasuese mes justifikimit islamist të dhunës dhe martirizimit dhe ligjërimit të terroristëve gjermanë dhe marksistëve italianë që nga vitet 1970-të. Mbi këtë temë shih Philippe Raynaud, “Les origines intellectuelles du terrorisme,” në Francois Furet et al., eds., (Paris: Fayard, 1985), 65ff. [9] Rreth Maududit shih Seyyed Vali Reza Nasr, The Vanguard of the Islamic Revolution: The Jama’at-i Islami of Pakistan (Berkeley: University of California Press, 1994); dhe Seyyed Vali Reza Nasr, Mawdudi and the Making of Islamic Revivalism (New York: Oxford University Press, 1996). [10] Olivier Carré, Mystique et politique, 206-7. [11] Muhamed Kutb, vëllai i Said Kutbit, ishte ndër Vëllezërit Myslimanë që mirëpriteshin në Arabinë Saudite. Ai u lejua të mbikqyrte botimin dhe shpërndarjen e punimeve të vëllait të vet dhe u bë edhe vetë ideologjikisht me influencë: Justifikimi zyrtar për kodin penal të Saudisë përdor përkufizimin e tij të shoqërive shekullare dhe liberale si një “epokë e re injorance.” Vëllezërit Myslimanë të mërguar u bënë mjaft me ndikim në Arabinë Saudite. Uahabizmi, lloji intolerant dhe fanatik i islamit që mbizotëron në Arabinë Saudite, në fillesat e tij nuk ishte një ideologji totalitare moderne, por siguron një tokë pjellore për përhapjen e ideologjisë terroriste dhe lehtëson tërheqjen e sauditëve të rinj nga grupet terroriste. Shih Olivier Carré, L’utopie islamique dans l’Orient arabe (Paris: Presses de la Fondation Nationale des Sciences politiques, 1991), 112-14; dhe Gilles Kepel, Jihad, 72-75. [12] Mbështetësit e Banës sjellin ndërmend se si shpesh ai thoshte, “Secila nga katër shkollat [e islamit] është e respektuar,” dhe nxiste, “Le të bashkëpunojmë për ato gjëra ku mund të biem dakort dhe të jemi dashamirës aty ku nuk mundemi.” Richard P. Mitchell, The Society of the Muslim Brothers, 217. [13] Mawdudi, The Process of Islamic Revolution (Lahore, 1955). [14] Shih Baqer Moin, Khomeini: Life of the Ayatollah (London: I.B. Tauris, 1999), 246. [15] Cituar nw Olivier Carré, L’utopie islamique dans l’Orient arabe, 197. [16] Cituar nw Olivier Carré, L’utopie islamique dans l’Orient arabe, 231-32. [17] Olivier Carré, L’utopie islamique dans l’Orient arabe, 232. [18] Kreu i atëhershëm i Gardës Revolucionare Iraniane, Mohsen Rafiqdoust, tha se “si TNT-ja dhe ideologjia që me një shpërthim çoi në ferr 400 oficerë, nënoficerët dhe ushtarët në qendrën e Marinës u siguruan nga Irani.” Resalat (Tehran), 20 korrik 1987. [19] Më 22 mars 1998, Times of London raportoi që bin Ladeni dhe Garda Revolucionare Iraniane kishin nënshkruar një pakt 16 shkurtin e kaluar për të konsoliduar operacionet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Roland Jacquard shton se në shtator 1999, shërbimet inteligjente turke mësuan rreth një grupi islamist të financuar nga bin Ladeni në qytetin iranian të Tabrizit. Shih Roland Jacquard, Au nom d’Oussama Ben Laden, 287-88. [20] Konferenca e parë për bashkimin e lëvizjeve islamiste u organizua nën kujdesin iranian në janar 1982. Shih fjalimet e Kameneit dhe Muhamed Katamit (i cili është tashmë presidenti i zgjedhur i Republikës Islamike) në Etela’at (Tehran), 9 janar 1982. [21] Xavier Rauffer, La Nebuleuse, 175. [22] Charles Tripp, “Sayyid Qutb: The Political Vision,” në Ali Rahnema, ed., Pioneers of Islamic Revival, 178-79. [23] Gilles Kepel, Jihad, 122-23 [24] Roland Jacquard, Au nom d’Oussama Ben Laden, 76. [25] Gilles Kepel, Jihad, 187 dhe 579. [26] Sikurse është reportuar në Jomhouri-e Islami (Tehran), 5 mars 1994 (14 esfand 1372), 14 dhe 2. [27] Raportuar në të përditshmen Khalq-e Mosalman, 4 dhe 9 dhjetor 1979. [28] M.H. Nad’ni, Tanbih al-Omma va Tanzih al-mella 5th ed. (Tehran, 1979), 75-85. [29] Bernard Lewis, “License to Kill: Usama bin Ladin’s Declaration of Jihad,” Foreign Affairs 77 (nëntor-dhjetor 1998): 19. Deklarata e bin Ladenit për xhihadin përmend autoritetin e Ibn Taymiyya e sërish bie në kontraditë me idetë e tij mbi xhihadin. Ibn Taymiyya qartazi kundërshton vrasjen e civilëve dhe ia nënshtron xhihadin rregullave strikte. Shih Henri Laoust, Le traité de droit public d’Ibn Taimiya (përkthim me shënime i Siyasa shar’iya) (Beirut, 1948), 122-35. [30] Shih “Declaration of war against the Americans occupying the land of the two holy places: A Message from Usama Bin Muhammad bin Laden unto his Muslim Brethren all over the world generally and in the Arab Peninsula specifically” (23 gusht 1996), në Yonah Alexander dhe Michael S. Swetnam, Usama Bin Laden’s al –Qaida, 13. [31] Në vitin 1989, nënkryetari i Parlamentit Hojatol-Eslam Karoubi, propozoi krijimin e kampeve të trajnimit për “luftën anti-imperialiste në rajon.” Marrë nga e përditshmja Jomhouri-e Eslami (Tehran), 7 maj 1989, 9. [32] Jomhouri-e Eslami (Tehran), 7 maj 1989, 11. [33] Lidhur me këtë, është e rëndësishme të nënvizojmë se pas mbarimit të terrorit, Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve zyrtarisht nuk fitoi status kushtetues në Francë deri në vitin 1946. [34] Howard Kurtz, “Interview Sheds Light on Bin Laden’s Views,” Washington Post, 7 shkurt 2002, A12. Bin Ladeni ia dha këtë intervistë Tayseer Alounit të rrjetit televiziv satelitor në gjuhën arabe, al-Xhazira në tetor 2001. [35] Ali-Akbar Hashemi Rafsanjani, Enqelabe va defa’e Moqadass (Revolucioni dhe mbrojtja e tij e shenjtë) (Tehran: Press of the Foundation of 15 Khordad, 1989), 63-64. [36] Russell Leigh Moses, Freeing the Hostages: Reexamining U.S.-Iranian Negotiations and Soviet Policy, 1979-1981 (Pittsburgh: University of Pittsburgh Press, 1996), 174-75 [37] Në një intervistë që doli në të përditshmen e Teheranit Jomhouri-e Eslami më 4 nëntor 1981 për të shënuar dy vjetorin e mbajtjes peng të ambasadës, kreu i studentëve radikalë, Musavi Khoeiniha vërejti se neutralizimi i liberalëve dhe demokratëve iranianë ishte rezultati më i rëndësishëm i marrjes së pengjeve. [38] Ali-Akbar Hashemi Rafsanjani, Enqelabe va defa’e Moqadass, 64. [39] Amnesty International Newsletter, shtator 1982. Përfaqësues ishte Hadi Kosroshahi, një tjetër përkthyes i Said Kutbit.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 3 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 93 |
![]() | Dje | 269 |
![]() | Kete jave | 93 |
![]() | Javen e shkuar | 1628 |
![]() | Kete muaj | 1298 |
![]() | Muajin e shkuar | 5624 |
![]() | Gjithe vizitat | 133013 |
We have: 3 guests online
Your IP: 38.107.179.223
,
Today: Feb 06, 2012
Your IP: 38.107.179.223
,
Today: Feb 06, 2012










